
Sigurimi i detyrueshëm i pronës nga fatkeqësitë natyrore pritet të bëhet ligj në Shqipëri
Sigurimi i detyrueshëm i pronës nga fatkeqësitë natyrore pritet të bëhet ligj në Shqipëri
Qeveria shqiptare po përgatitet të vendosë me ligj sigurimin e detyrueshëm të banesave dhe bizneseve ndaj fatkeqësive natyrore, një skemë që pritet të ndryshojë mënyrën se si përballohen dëmet nga tërmetet, përmbytjet apo zjarret. Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend në Europë pa një ligj të tillë, duke theksuar se “të gjithë duhet të përfshihen” në sigurimin ndaj fatkeqësive, përfshirë shtëpitë dhe bizneset.
Nga ana e qeverisë thuhet se zjarret e kësaj vere dhe përmbytjet e dimrit kanë nxjerrë qartazi pamundësinë e shtetit për të përballuar çdo dëm të madh financiar. Qeveria argumenton se sigurimi i detyrueshëm do të shmangë krizën buxhetore pas katastrofave, ashtu siç ndodhi pas tërmetit të vitit 2019, kur u desh ndërhyrja e donatorëve ndërkombëtarë.
Megjithatë, kjo nismë po ngjall shqetësim tek qytetarët, të cilët prej vitesh përballen me rritje çmimesh dhe kosto të papërballueshme jetese. Futja e një pagese të re vjetore për sigurimin e pronës shihet nga shumë familje si barrë shtesë, në një kohë kur faturat e energjisë, ujit dhe taksave vendore janë rritur ndjeshëm.
Drafti, i hartuar me Bankën Botërore, parashikon krijimin e një “Fondi për Tërmetet”, që do të përcaktojë primin e sigurimit dhe do të propozojë tarifat që më pas miratohen nga Këshilli i Ministrave. Kontratat do të jenë vjetore dhe detyrimi zbatohet për çdo pronar apo përdorues të një pasurie, qoftë individ, subjekt privat apo institucion publik.
Skema e sigurimit do të mbulojë vetëm dëmet materiale të godinës, ndërsa përjashton:
– dëmet trupore,
– dëmet morale apo jopasurore,
– pajisjet dhe mobiljet brenda banesës,
– kostot e pastrimit të mbetjeve pas shkatërrimit.
Familjet me vështirësi ekonomike pritet të mbështeten nga shteti, por ende nuk ka sqarime se si do të identifikohen dhe përzgjidhen për përfitim.
Shqipëria ka një histori të dobët të sigurimeve private, ku shumica e familjeve mbështeten vetëm te kompensimi shtetëror pas fatkeqësive. Kalimi drejt një skeme të detyrueshme mund të jetë i vështirë pa garanci të qarta se qytetarët nuk do të paguajnë thjesht edhe një faturë tjetër, pa përfitim real.
Ky ligj pritet të hapë debat të gjerë publik: a është ky një hap drejt mbrojtjes së pronës, apo një detyrim që rëndon më tej ekonominë familjare?
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
