Shembet sa herë bie shi: ura Delvinë – Kakodhiq, Lefterhor, Varfaj, simbol i dështimit të punimeve

10/01/2612:46

Shperndaje:

Shembet sa herë bie shi: ura Delvinë – Kakodhiq, Lefterhor, Varfaj, simbol i dështimit të punimeve

 

Ura që lidh qytetin e Delvinës me fshatrat Kakodhiq, Lefterhor dhe Varfaj është shembur sërish pas shirave të ditëve të fundit, duke rikthyer një problem që prej muajsh ka mbetur pa zgjidhje reale. Një infrastrukturë jetike për qindra banorë vazhdon të trajtohet me ndërhyrje të përkohshme, pa standarde dhe pa garanci sigurie.

 

 

Kujtojmë se ura u shemb për herë të parë më 19 nëntor, pas reshjeve të rrëmbyeshme që përfshinë zonën e Delvinës. Pas këtij momenti, u ndërmorën punime emergjente për rindërtimin e saj, madje edhe me ndihmën e forcave të ushtrisë.

 

Vetëm brenda një jave, ura u rrëmbye nga ujërat edhe dy herë të tjera, për t’u rindërtuar përfundimisht më 27 nëntor 2025. Një “përfundim” që, siç u vërtetua, ishte thjesht formal. Shirat e fundit e shembën përsëri urën, duke nxjerrë në pah mungesën e projektimit të duhur, punime pa cilësi dhe një neglizhencë të rrezikshme ndaj sigurisë së banorëve.

 

Ky cikël absurd shembjeje dhe rindërtimi tregon qartë një mosseriozitet të thellë në mënyrën se si kryhen punimet publike. Nuk bëhet më fjalë për një fatkeqësi natyrore, por për dështim njerëzor dhe institucional. Ura nuk po ndërtohet për t’i rezistuar kushteve reale të terrenit dhe prurjeve të ujit, por thjesht për t’u publikuar në rrjetet sociale si punë e përfunduar.

 

Sot kanë nisur sërish punimet për rindërtimin e saj. Por pyetja që shtrojnë me të drejtë banorët është e thjeshtë dhe shqetësuese: a do të jenë këto punime funksionale dhe përfundimtare, apo thjesht një tjetër zgjidhje e përkohshme që do të shembet me shiun e radhës?

 

Pa transparencë, pa përgjegjësi dhe pa standarde teknike të qarta, kjo urë rrezikon të kthehet në simbolin e paaftësisë për të ndërtuar qëndrueshmëri, edhe në punimet më elementare infrastrukturore. Dhe deri atëherë, banorët e Kakodhiqit, Lefterhorit dhe Varfajt mbeten peng të një problemi që nuk duhet të ekzistonte më.

 

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Debate të forta / Këshilli Bashkiak Sarandë miraton kalimin e vilave qeveritare në “Polin e Zhvillimit të Sarandës”
Sarandë | Operacion antidrogë, arrestohet 30-vjeçari me kanabis gati për shitje
Mbytet një varkë turistike në Ksamil, shkak dyshohet konkurenca – VIDEO
Mobileri RENO në Mesopotam kërkon Bojaxhi & zmerilues  dhe Montues skeletesh
Ndërron jetë kryetari i Bashkisë së Filatit Vasili Tzigos
“Marina Limion” kërkon Shef Sigurie Porti dhe Punonjës Sigurie

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.