Saranda edhe këtë vit mësim me 2 turne, drejtoria arsimore fsheh numrin e nxënësve

Saranda edhe këtë vit mësim me 2 turne, drejtoria arsimore fsheh numrin e nxënësve

 

Nesër në mëngjes, mijëra prindër në Sarandë do të përcjellin fëmijët e tyre në bankat e shkollës për nisjen e vitit të ri shkollor, ndërsa drejtuesit e institucioneve do kalojnë shkollë më shkollë për të uruar nxënësit. Në rrjetet sociale do të mbizotërojnë urimet, fotot e fëmijëve me çantat e reja dhe emocionet e fillimit, por prapa këtij entuziazmi fshihet një e vërtetë e hidhur: edhe këtë vit, në Sarandë mësimi do të zhvillohet me dy turne.

 

Eco campus eko kampus Sarande

 

Ndërtimi i Eko Kampusit, një investim i bërë rreth tetë vjet më parë, u bë me synimin për të përmirësuar kushtet e mësimdhënies dhe për t’i dhënë fund orareve të zgjatura e lodhshme të dy turneve. Megjithatë, as këtë shtator ky kompleks nuk do të shërbejë për mësimdhënie. Premtimet për hapjen e tij kanë mbetur të paplotësuara, ndërsa fëmijët do të vazhdojnë të ndjekin mësimet në kushte të ngjeshura dhe me orare të pazakonshme.

 

Një tjetër problem që shoqëron nisjen e vitit të ri shkollor është mungesa e transparencës. Drejtoria arsimore nuk ka publikuar ende numrin e nxënësve që do të ulen nesër në bankat e shkollës.

 

Megjithatë, statistikat e vitit të kaluar japin një panoramë të qartë: në vitin shkollor 2024–2025, në zonën Sarandë–Konispol–Delvinë u ulën në bankat e shkollës 4179 nxënës, një rënie krahasuar me vitin pararendës 2023–2024, kur ky numër ishte 4320. Vetëm për klasën e parë, u regjistruan 350 nxënës të rinj, duke dëshmuar një tendencë të vazhdueshme tkurrjeje të numrit të nxënësve.

 

Përtej shifrave, pasojat e mësimit me dy turne i ndjejnë drejtpërdrejt prindërit dhe fëmijët. Në mëngjes, nxënësit e turnit të parë nisen herët, ndërsa ata të turnit të dytë kthehen në shtëpi vetëm në orët e vona të mbrëmjes. Prindërit e vegjëlve detyrohen të presin deri në errësirë për t’i marrë fëmijët nga shkolla, duke përballuar një lodhje të dyfishtë: atë të punës dhe të përkujdesjes për fëmijët që nuk ndjekin një orar normal.

 

Viti i ri shkollor në Sarandë nis me buzëqeshjet dhe emocionet e zakonshme të fëmijëve, por edhe me të njëjtat plagë të vjetra. Mësimi me dy turne është kthyer në një realitet të hidhur që vazhdon prej vitesh, ndërsa investime si Eko Kampusi mbeten të papërdorura. Deri sa premtimet të bëhen realitet, fëmijët e Sarandës do të vazhdojnë të ndjekin mësimet në kushte që nuk përputhen me aspiratat e një arsimi bashkëkohor.

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Finiq, i vjedhin të moshuarës 6,800 euro që i kishte kursyer për një operacion – VIDEO
Lexoni më shumë
Laert Vasili dhe Drilon Hoxha rikthehen në  Sarandë dhe e gjejnë sërish pa kinoteatër
Lexoni më shumë
Luftëtari mposht Butrintin në Sarandë, Delvina merr një pikë ndaj Albpetrolit
Lexoni më shumë
Organizatat kundër torturës dënojnë “brutalitetin policor” në protesta
Lexoni më shumë
Markata DON PESHK kërkon Sallatiere për punësim gjithëvjetor
Lexoni më shumë
Butrinti dhe Luftëtari në përballje për kreun, Delvina kërkon fitoren ndaj Albpetrolit
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.