Rritja e çmimit të naftës, Rama takim me biznesin: Do ndihmojmë vetëm pensionistët

Rritja e çmimit të naftës, Rama takim me biznesin: Pa ulje taksash dhe pa masa konkrete për tregun

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me furnizuesit e karburanteve në vend pas rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, të ndikuara nga lufta në Lindjen e Mesme. Rama deklaroi se në Shqipëri rritja ka qenë “e moderuar”, por pranoi se askush nuk mund të parashikojë se si do të evoluojë çmimi i naftës në bursë në ditët dhe javët në vijim.

 

 

Megjithatë, pavarësisht shqetësimit për rritjen e çmimeve, nga takimi nuk doli asnjë masë konkrete për të frenuar shtrenjtimin e karburanteve në tregun vendas. Kryeministri përjashtoi rikthimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve, duke u mjaftuar me një apel ndaj kompanive që të mos e kalojnë të gjithë koston e krizës tek konsumatorët.

 

Rama bëri të ditur se Shqipëria ka rezerva karburanti të garantuara për rreth 100 ditë dhe se situata do të monitorohet nga qeveria. Ai përmendi gjithashtu një nismë për të futur në treg një distributor shtetëror me shumicë, që sipas tij do të ndihmonte në sigurimin e sasive dhe në marrëdhënie të drejtpërdrejta me kompanitë furnizuese, por pa dhënë një afat të qartë për realizimin e saj.

 

Nga ana tjetër, kërkesat e biznesit për ulje të taksave mbi karburantet u refuzuan. Organizata e biznesit Konfindustria ka kërkuar që shteti të ndërhyjë përmes një pakete fiskale dhe që të ardhurat shtesë nga TVSH-ja për shkak të rritjes së çmimeve t’u rikthehen qytetarëve dhe bizneseve përmes uljes së çmimit final. Por kryeministri e përjashtoi këtë mundësi.

 

Rama deklaroi gjithashtu se taksa e qarkullimit nuk do të ndryshohet, duke argumentuar se nëse hiqet nga çmimi i karburantit, ajo do të kalonte në një formë tjetër taksimi për përdoruesit e automjeteve.

 

Sa i përket mbështetjes nga buxheti i shtetit, kryeministri theksoi se nëse do të ketë ndihmë shtesë, ajo do të përqendrohet tek pensionistët. Ndërkohë për qytetarët dhe bizneset që përballen drejtpërdrejt me rritjen e çmimit të karburanteve, qeveria nuk paralajmëroi asnjë masë të menjëhershme.

 

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Familjarët në alarm për zhdukjen e një personi nga Saranda, humb kontaktet gjatë udhëtimit drejt Greqisë
Lexoni më shumë
Atentati në Gjirokastër, dyshime për lidhje me vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë
Lexoni më shumë
Butrinti përmbys Apoloninë në Fier, Mario Mërkuri shënon dy gola dhe i jep fitoren 2-1
Lexoni më shumë
Butrinti luan nesër në Fier ndaj Apolonisë, një përballje e rëndësishme në Kategorinë e Dytë
Lexoni më shumë
Tetë vjet pa drita, apeli i 68-vjeçarit: Më kanë marrë shpirtin ngado që kam vajtur
Lexoni më shumë
Parashikohen reshje intensive në Sarandë, Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron vërshime uji
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.