Rrëshqitja e tokës në Delvinë: shpallet e pabanueshme një shtëpi, rrezikohet 1 tjetër dhe teqeja
Rrëshqitja e tokës në Delvinë: shpallet e pabanueshme një shtëpi, rrezikohet 1 tjetër dhe teqeja
Situata e krijuar prej muajit Nëntor nga rrëshqitjet e vazhdueshme të dherave në qytetin e Delvinës ka marrë përmasa alarmante. Një banesë është shpallur e pabanueshme, një tjetër ndodhet nën rrezik të drejtpërdrejtë, ndërsa kërcënohet edhe një teqe pranë zonës së prekur.

Ditët e fundit, për shkak të përkeqësimit të motit dhe lëvizjes së vazhdueshme të terrenit, gjendja është rënduar ndjeshëm. Gjatë natës së kaluar, një ngjarje tjetër e rëndë ka tronditur familjen e Ibrahim Shehut: një qeparis rreth 500-vjeçar, i cili ndodhej në kopshtin e teqesë, është shembur mbi çatinë e banesës së tyre, duke shkaktuar dëme serioze materiale.
Fatmirësisht, Ibrahim dhe Minevere Shehu nuk ndodheshin në banesë në momentin e shembjes. Të frikësuar nga rrëshqitjet e dheut, që një ditë më parë ishin bërë kritike, ata kishin vendosur të largoheshin përkohësisht nga shtëpia.
.
“Tuneli i braktisur mbi shtëpinë tonë”
Në rrëfimin e tij për Saranda Web, Ibrahim Shehu sjell në vëmendje edhe një detaj historik që, sipas tij, mund të ketë ndikuar në destabilizimin e terrenit.
“Ne jetojmë poshtë Kalasë së Delvinës. Në vitet e komunizmit, mbi shtëpinë tonë u tentua të hapej një tunel nga ushtria për strehim. Por, sapo gjatë gërmimeve doli ujë, punimet u braktisën. Atë vit pati edhe një shembje,” – tregon ai.
Sipas Shehut, zona kishte qëndruar e qetë për vite me radhë, por këtë vit situata ndryshoi ndjeshëm.
“Pas djegieve të verës dhe më pas me shirat e Nëntorit, filloi rrëshqitja e vazhdueshme. Çdo ditë toka lëvizte më shumë. Frika u bë e përditshme,” – rrëfen ai.
“Ishte pasuria jonë e vetme”
Me lot në sy, Minevere Shehu tregon dhimbjen për shtëpinë që, sipas saj, ishte fryt i një jete të tërë sakrificash.
“Këtë shtëpi e kemi ndërtuar me shumë mundime. Ishte pasuria e vetme që kishim. Çdo gur është vënë me djersë. Nuk kishim tjetër,” – shprehet ajo.
“Në verë na u dogjën të gjitha pemët nga zjarri. Tani u shemb edhe shtëpia. Çfarë të bëjmë më?” – thotë ajo mes dhimbjes dhe pasigurisë për të ardhmen.
.
Rrëshqitja e tokës, Bashkia Delvinë: Terreni i bllokuar e pamundësoi ndërhyrjen e menjëhershme
Në një reagim për Saranda Web, Bashkia Delvinë bëri me dije se strukturat vendore kanë qenë pranë familjes që në momentet e para.
Sipas deklaratës zyrtare, Kryetari i Bashkisë, strukturat e emergjencave civile, shërbimet komunitare dhe zjarrfikësja kanë ndjekur situatën nga afër. Megjithatë, terreni i bllokuar dhe rrëshqitja aktive e dheut e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen e menjëhershme në vendngjarje.
Me forcat punëtore është arritur të hiqet një pjesë e masës së dheut, por situata është përkeqësuar pas shembjes së qeparisit 500-vjeçar, i cili ka rënë mbi banesën Shehu duke dëmtuar rëndë çatinë dhe strukturën e saj.
Bashkia Delvinë ka kërkuar mbështetje nga një inxhinier gjeolog i specializuar nga Tirana për të vlerësuar rrezikun dhe për të përcaktuar masat që duhen marrë. Po ashtu, është kërkuar ndihmë nga strukturat e Emergjencave Civile, duke qenë se bashkia përballet aktualisht me një sërë dëmesh të konsiderueshme dhe situata të tilla kërkojnë buxhete të larta për menaxhim.
Sipas autoriteteve vendore, familja Shehu është në gjendje të mirë shëndetësore dhe aktualisht është strehuar me vullnetin e saj pranë të afërmve, ndërsa bashkia shprehet se do të vijojë të jetë pranë saj për çdo ndihmë të nevojshme.
Ndërkohë, lëvizja e tokës në Delvinë vijon dhe rreziku për banesa të tjera mbetet real.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 19
18/02/2614:07
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 1
18/02/2614:07
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 27
18/02/2614:07
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 28
18/02/2614:07
Anija Liburna, punim në dru nga Agur Kapo
18/02/2614:07