Rama: Mos lini pleqtë të dalin nga dera. Mos na detyroni t’ju godasim

22/03/2020:12

Shperndaje:


Pas 40 orëve në karantinë nesër në 05:00 të mëngjesit deri në 13:00 qytetarët në të gjithë vendin mund të dalin nga shtëpia për të bërë pazaret dhe kryer nevojat jetike, por me disa kushte, në të kundërt, kryeministri Edi Rama paralajmëron goditje pa asnjë tolerancë. Kreu i qeverisë kërkon nga qytetarët që të respektojnë oraret, të mos dalin me asnjë person tjetër në krah, fëmijët dhe pleqtë të mos i nxjerrin nga shtëpia, mos krijojnë grumbuj në tregje e dyqane, por të mbarojnë punë fillikat dhe të rikthehen në banesë. Nëse nuk respektohen masat, Rama shkruan se cdo person do të goditet pa asnjë tolerancë, teksa sot janë gjobitur 78 qytetarë që thyen karantinën.

“Sot numri i pozitivëve u rrit! sidoqoftë brenda parashikimit lavdi Zotit dhe do të vazhdojë të rritet ende më shumë këtë javë! Por sfida e madhe është të mos rritet nga marrëzitë tona e të dalë jashtë kontrollit! Me rezistencë të madhe popullore, mund të dalim nga kjo luftë me humbje e plagë të mëdha, por shumë më pak sidoqoftë se sa po nuk rezistuam! Ju lutem si Krishtit e Muhametit mos luani me zjarrin dhe mos bëni një hap më shumë përtej kufijve që janë vënë për secilin! Nesër nis një ditë e re me sfidën e mosshkeljes së orareve; mosdaljes me asnjë tjetër në krah; moskrijimit të grumbujve në tregje e në dyert e dyqaneve!

Ju lutem mbani fëmijët brenda!
Ju lutem mos lini pleqtë të dalin nga dera! Ju lutem ecni fillikat në rrugë pa u ndalur askund!

Ju lutem rrini drejt e njëri pas tjetrit në radhë me durim! Ju lutem mos dilni poshtë pallatit!

Ju lutem, ju lutem, ju lutem, mos merrni më qafë familjen dhe Shqipërinë me numra idioteskë në shkelje të rregullave të luftës! Ju lutem kuptojeni se sa e turpshme dhe kriminale është të na vdesin qindra e mosozot mijëra njerëz, për një pakicë të vogël fare që nuk reziston, po tradhëton!

Ju lutem njëmijë herë mos, mos, mos! Shteti po bën gjithçka mundet, forcat e rendit do bëjnë gjithçka munden, 99% e populit po bën gjithçka duhet, prandaj ju që jeni pakica e pakicës, por jeni aq sa i duhen armikut për të na grirë si mish qeni, mos tradhëtoni! Do t’ju godasim pa asnjë tolerancë, por juve nuk duhet ta çoni punën aty! Jemi të gjithë një familje dhe s’ka më turp në histori që të humbim një luftë si kjo, se nuk rrimë dot në shtëpi” shkruan Rama.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.