Qytetari rrëmbehet dhe dhunohet nga njerëz të maskuar, Policia bën sehir dhe godet personin që filmonte

Qytetari rrëmbehet dhe dhunohet nga njerëz të maskuar, Policia bën sehir dhe godet personin që filmonte 

Një situatë e tensionuar dhe me skena shqetësuese është regjistruar këtë të shtunë pranë lagunës së Nartës, në kufi me fshatin Zvërnec, ku po zhvillohen punime në kuadër të projektit “Zvërnec South Adriatic Development”.

 

 

Rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme në këtë zonë ka ngritur alarmin tek organizatat mjedisore dhe banorët e zonës, të cilët pretendojnë se investimi po cenon një territor të mbrojtur dhe po shkakton dëme të konsiderueshme në natyrë.

 

Për këtë arsye, aktivistë dhe qytetarë dolën sërish në protestë, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve. Situata u përshkallëzua kur protestuesit tentuan të afrohen pranë kantierit dhe u përballën me punonjës të sigurisë private të kontraktuar nga kompania investuese.

 

Pamjet e filmuara nga vendngjarja tregojnë persona të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, të cilët përplasen me protestuesit. Sipas dëshmitarëve, ndaj qytetarëve është përdorur spraj me piper, ndërsa një protestues është marrë me forcë nga jashtë rrethimit, është goditur në fytyrë dhe më pas është tërhequr zvarrë nga persona të maskuar.

 

Momente tensioni janë regjistruar edhe kur qytetarët i janë drejtuar efektivëve të Policisë së Shtetit duke kërkuar ndërhyrje për mbrojtjen e tyre. Në vend që të ndalohej dhuna, një efektiv policie ka goditur personin që po filmonte ngjarjen.

 

Një nga pyetjet që ngrihet pas ngjarjes është se mbi çfarë baze ligjore personat e sigurisë private përdorin spraj me piper ndaj protestuesve, por edhe ndaj efektivëve të policisë që ndodheshin në terren.

 

Për situatën ka reaguar edhe kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi:

“Askush nuk mund të marrë zvarrë shqiptarët. Junta e Edi Ramës duhet rrëzuar. Ligjet për investimet strategjike duhen shfuqizuar.”

 

Ngjarja ka hapur debat të fortë mbi rolin e Policisë së Shtetit në menaxhimin e situatës. Mbetet e paqartë përse forcat shtetërore nuk ndërhynë drejtpërdrejt nëse protestuesit po kryenin shkelje ligjore, ose në të kundërt, përse u lejua që përballja me qytetarët të menaxhohej nga një grup personash të maskuar, pamja e të cilëve ka ngjallur reagime dhe pikëpyetje të shumta në opinionin publik.

 

Pritet që autoritetet përgjegjëse të japin një sqarim zyrtar lidhur me ngjarjen, kompetencat e personave të sigurisë private dhe veprimet e ndërmarra gjatë protestës. Saranda Web

 

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

3.6 milionë euro për rrugën “Idriz Alidhima” në Sarandë, por pa ndërhyrje në kanalizimet e ujërave të zeza
Lexoni më shumë
Nga Tirana drejt Mamurrasit me 126 doza kokainë, arrestohet 31-vjeçari nga Saranda
Lexoni më shumë
Ndeshja ndaj Patosit, Butrinti ndëshkohet rëndë nga Komisioni i Disiplinës
Lexoni më shumë
PD Sarandë mbledh Kryesinë për protestat në Tiranë, por hesht për problemet e qytetit të vet
Lexoni më shumë
Legalizimet e banesave: si të merrni faturën e truallit online dhe kush përfiton ulje
Lexoni më shumë
8 ligjvënës amerikanë ngrenë zërin për Shqipërinë: Ndalni dhunën ndaj protestuesve, luftoni korrupsionin
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.