Pronarët e mjeteve ujore futen në zyrat e Bashkisë Sarandë: Nesër do mbyllim dyert
Pronarët e mjeteve ujore futen në zyrat e Bashkisë Sarandë: Nesër do mbyllim dyert Pronarët e mjeteve ujore në Ksamil kanë protestuar ditën e sotme para Bashkisë Sarandë, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak për përcaktimin e vendbazimeve të mjeteve ujore përgjatë vijës bregdetare të Ksamilit.
Situata vjen pas mbledhjes së ndërprerë të Këshillit Bashkiak të datës 29 maj, e cila u pezullua për shkak të protestës së këtij grupi interesi. Pas negociatave mes palëve, Këshilli Bashkiak në mbledhjen e datës 1 qershor miratoi 6 vendbazime për mjetet ujore në Ksamil, në dakordësi me përfaqësuesit e sektorit.
Megjithatë, edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga miratimi i vendimit dhe sezoni turistik ka hyrë në fazën më intensive, në terren ende nuk janë marrë masat për vendosjen e tapave kufizuese dhe sinjalistikës përkatëse. Sipas protestuesve, kjo vonesë po pengon zhvillimin normal të aktivitetit të tyre ekonomik.
Pronarët e mjeteve ujore pretendojnë se, përveç zvarritjes së procesit, ka tentativa nga ana e Bashkisë Sarandë për të mos zbatuar vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak, duke propozuar vendndodhje që ata i konsiderojnë të papërshtatshme për operimin e mjeteve ujore dhe ushtrimin e aktivitetit të tyre.
Pas disa orësh pritjeje për një takim me përfaqësues të bashkisë, rreth 30 protestues hynë në ambientet e institucionit, duke kaluar nga një zyrë në tjetrën në kërkim të zyrtarëve përgjegjës. Ata kërkuan komunikim të drejtpërdrejtë me drejtuesit vendorë për të marrë një përgjigje konkrete mbi zbatimin e vendimit.
Pas takimeve të zhvilluara në ambientet e bashkisë, protestuesit deklaruan se kanë marrë garanci se çështja do të trajtohet nesër në terren. Sipas tyre, është premtuar se kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, së bashku me përfaqësues të tjerë të institucionit, do të shkojnë në Ksamil për të shqyrtuar nga afër problematikën dhe për të gjetur një zgjidhje që garanton zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak.
Megjithatë, pronarët e mjeteve ujore kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës në rast se kërkesat e tyre nuk marrin zgjidhje. Ata deklarojnë se nesër do të bllokojnë hyrjet e Bashkisë Sarandë nëse nuk ndërmerren veprime konkrete për vendosjen e vendbazimeve dhe zbatimin e plotë të vendimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit