Mbledhja u ndërpre nga protestat, Këshilli Bashkiak Sarandë mblidhet sërish sot në orën 12:00
Sot në orën 12:00 rikthehet mbledhja e Këshillit Bashkiak Sarandë, në fokus vendbazimet e mjeteve ujore dhe çështje të rëndësishme për sezonin turistik
Sot në orën 12:00 do të zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Sarandë, e cila u ndërpre të premten pas tensioneve të krijuara nga protesta e pronarëve të mjeteve ujore që operojnë në Ksamil.
Mbledhja e kaluar u shoqërua me debate të forta lidhur me projektvendimin për miratimin e hartave të vendbazimeve të mjeteve ujore në territorin e Bashkisë Sarandë. Sipas propozimit të paraqitur nga bashkia, parashikohej miratimi i katër vendbazimeve, të përcaktuara pas një procesi dëgjese publike.
Megjithatë, pronarët e mjeteve ujore kundërshtuan propozimin, duke argumentuar se vendbazimet e planifikuara nuk janë funksionale për aktivitetin e tyre, pasi ndodhen larg zonave turistike të Ksamilit dhe paraqesin vështirësi operimi për shkak të kushteve detare dhe dallgëve.
Gjatë diskutimeve, një pjesë e këshilltarëve bashkiakë propozuan rritjen e numrit të vendbazimeve nga katër në gjashtë, propozim që nuk hasi kundërshtime as nga përfaqësuesit e Policisë Kufitare.
Tensionet u përshkallëzuan gjatë pushimit të kërkuar nga këshilltarët e majtë për konsultime mbi çështjen. Pronarët e mjeteve ujore tentuan të hynin në ambientet ku po zhvillohej mbledhja, duke kërkuar takim me kryetarin e bashkisë dhe duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mënyrën se si po trajtoheshin kërkesat e sektorit.
Për shkak të situatës së krijuar, mbledhja u ndërpre dhe u shty për sot, kur pritet të rikthehet në diskutim çështja e vendbazimeve të mjeteve ujore, një nga temat më të debatueshme në prag të sezonit veror.
Përveç kësaj çështjeje, këshilltarët bashkiakë do të informohen mbi procesin e inventarizimit të pemëve dhe hapësirave publike në Sarandë dhe Ksamil, si dhe mbi problematikat e konstatuara gjatë zbatimit të projekteve publike, veçanërisht në lidhje me cilësinë e punimeve dhe standardet e sigurisë rrugore.
Në rendin e ditës përfshihet edhe raportimi mbi ecurinë e procesit të trajtimit të kërkesave për përfundimin e kalimit të pronësisë në kuadër të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 329, datë 22 maj 2019.
Këshilli pritet të shqyrtojë dhe miratojë një sërë projektvendimesh me ndikim social dhe ekonomik, mes tyre përdorimin e fondit të kushtëzuar për ndihmën ekonomike, shpërndarjen e ndihmës ekonomike nga të ardhurat e Bashkisë për muajin prill 2026 dhe listën përfundimtare të familjeve përfituese nga programi i subvencionimit të qirasë në tregun e lirë për vitin 2026.
Në diskutim do të jenë gjithashtu ndryshimet në strukturën e ndërmarrjes së shërbimeve publike, ndryshimet në rregulloren e kundërvajtjeve administrative dhe transferimi në pronësi të Bashkisë Sarandë i një sipërfaqeje trualli prej 8,911 metrash katrorë.
Vëmendje të veçantë pritet të marrin dy projektvendime që lidhen drejtpërdrejt me sezonin turistik: miratimi i çmimeve maksimale për zonat bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit, si dhe miratimi i vendbazimeve të mjeteve lundruese dhe korridoreve të lëvizjes së tyre.
Mbledhja do të mbyllet me shqyrtimin e një projektvendimi për korrigjimin e gabimeve materiale në dokumentacionin e administratës vendore.
Takimi i sotëm konsiderohet ndër më të rëndësishmit për Bashkinë Sarandë në prag të sezonit turistik, pasi vendimet që do të merren pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në administrimin e plazheve, aktivitetin e operatorëve turistikë dhe cilësinë e shërbimeve publike në Sarandë dhe Ksamil. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 24
01/06/2610:52
Kalaja Veneciane në Butrint, punim në rërë nga Agur Kapo
01/06/2610:52
Suvenire nga Saranda
01/06/2610:52
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 8
01/06/2610:52
DEA e Butrintit, punim në gur nga Agur Kapo
01/06/2610:52