Promovohet krijimtaria e poetit Agim Mato ne Bari te Italise
PROMOVOHET KRIJIMTARIA E POETIT AGIM MATO NË BARI TË ITALISË
Qyteti i Barit në Itali shquhet për jetën e gjallë letrare e artistike, falë grupit “La Vallisa” me president profesor Daniele Giancane, poet, studiues, me mbi 50 tituj librash. Grupi ka 30 vjet që boton revistën e tij letrare me të njëjtin titull rregullisht çdo katër muaj. Në këto vite ky grup, zhvillon një veprimtari të rrallë ditëve të hëna, që quhet “ E hëna letrare”, duke ftuar një poet, ose prozator evropian, apo italian në laboratorin e vet, me një trupë të sprovuar kritikësh e krijuesish që promovojnë në qytetin e tyre produktin letrar që marrin në shqyrtim.
Promovohet krijimtaria e poetit Agim Mato ne Bari te Italise
Të hënën e fundit të nëntorit, (30 nëntor 2015) u ftuan në Bari poeti Agim Mato dhe prof. Anton Nikë Berisha, nga letërsia shqipe. Njoftimet u kryen nëpërmjet “Gaazzetta del Mezzogiorno” dhe portalit “Puglia Live” ku theksohej se takimet do të zhvilloheshin në Universitetin e Barit, në Librarinë Roma, në një nga sallat e saj, ku mbidhet shpesh grupi i njohur dhe të nesërmen në bibliotekën e Institutit “Gaetano Salvemini”. Në to theksohej se autori Agim Mato, me përmbledhjet “Jashtë eklipsit”, “Fundo” dhe “Lundrimet”, të përkthyera nga profesoresha Klara Kodra, dallohet për stilin energjik, dhe shpesh të ëmbël, që e bën atë të penelojë me elegancë bukurinë e peizazhit shqiptar, por edhe të denoncojë me forcë veprimet denatyrizuese të regjimit komunist, që çuan në burgosjen e të atit, një disident politik, kur shkrimtari i ardhshëm nuk ishte veçse tre vjeç. Gjithashtu bie në sy një qëndrim i shkëlqyer e vibrat mbi aktualitetin dhe historinë, ku nuk mungon përçimi i fillit të mitit, si një çelës sqarues me karakter antropologjik.
Takimet iniciohen nga profesor Daniele Giancane, drejtori përgjegjës i revistës “La Vallisa” dhe promotor i një bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë.
Në Universitetin e Barit takimi u zhvillua me studentët e shkencave të formimit, të psikologjisë dhe komunikacionit. Nicola Accettura, poet dhe aktor, lexoi me një intonim profesional disa nga poezitë me theks të ndjerë social, duke bërë edhe komentin e tyre.
Profesor Anton Berisha u ndal në panoramën e poezisë shqipe, me një analizë historike të saj, deri tek poezia e sotme dhe ajo e autorit të pranishëm. Daniele Giancane vlerësoi shumë përmbledhjen e paraqitur, me poezi të një thellësie dhe muzikaliteti me të vërtetë të rrallë, duke e quajtur një poet të mahnitshëm.
Takimi më i rëndësishëm ishte ai që u zhvillua në Librarinë Roma, ku morën pjesë, përveç grupit të Vallisës edhe të interesuar të tjerë nga Bari, të cilët ishin informuar nga “Gazzeta del Mezzoggiorno”. Takimi zgjati dy orë.
Profesor Daniele prezantoi krijimtarinë e poetit, duke folur për jetën e tij dhe koloritin artistik. Të një niveli të lartë ishin ndërhyrjet kritike të Gianni Palumbos, i cili analizoi gjerësisht, me njohuri të thella motivet që merrnin shkas nga miti dhe elementet mitike që krijon nga aktualiteti poezia. Ndërhyrje u bënë nga Angela Giannelli, Enrico Bagnato, Renato Greco, Teodora Mastrototaro, Maurizio Evangelista etj. Si gjithmonë Anton Berisha, me një ekskursion elegant në hullitë e poezisë shqipe dhe me gjetjet simpatike nga lidhja e poezisë së autorin me detin, u imponohet të pranishmëve.
Takimi i datës 1 dhjetor në institutin Salvemini të Molfettës, pas një udhëtimi të shkurtër me tren, mbushi me mbi 100 studentë sallën e bibliotekës së Institutit. Sërish këtu Gianni Palumbo tregoi erudicionin e vet dhe përzgjodhi motivet që u shkonin përshtat studentëve, përzgjedhur disa prej tyre për t’i lexuar para sallës. Ranë në sy ndërhyrjet e drejtorit të Institutit, që me shumë pasion u ngrit dhe i komentoi disa prej poezive. Folën Angela Giannelli, Marco de Santis, Daniele Giancane, Anton Berish, etj.
Agim Mato falënderoi të pranishmit dhe u ndje i vlerësuar nga numri i madh i ndërhyrjeve, duke shprehur se bashkëpunimi me “La Vallisën” do të konstituohet së afërmi me marrëveshjen për botimin e antologjive poetike me titull “Poetë të Jugut”, në shqip dhe në italisht.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 27
20/12/1522:10
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 31
20/12/1522:10
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 6
20/12/1522:10
Anija Liburna, punim në dru nga Agur Kapo
20/12/1522:10
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 7
20/12/1522:10