Pas protestave Këshilli Bashkiak diskuton kërkesën për linjën Delvinë-Sarandë
Pas protestave Këshilli Bashkiak Sarandë diskuton kërkesën për linjën Delvinë-Sarandë
Këshilli Bashkiak Sarandë zhvilloi ditën e sotme mbledhjen e radhës, ku një prej çështjeve që mori vëmendjen kryesore ishte transporti publik dhe kërkesa e banorëve të Delvinës që linja Delvinë–Sarandë të vijojë të hyjë në qytet, pa u detyruar të përfundojë udhëtimin në terminal.
Në rendin e ditës ishin gjashtë pika: përdorimi i fondit të kushtëzuar për ndihmën ekonomike për muajin korrik, dhënia e ndihmës ekonomike nga të ardhurat e Bashkisë, nisja e procedurës së shpronësimit për projektin e rikualifikimit të rrugëve të brendshme në zonën Turizëm–Kanali i Çukës, korrigjimi i gabimeve materiale, raporti për fillimin e vitit të ri arsimor dhe analiza e transportit publik.
Gjatë diskutimeve për masat e marra në prag të vitit të ri arsimor, këshilltarja Dafina Allkushi bëri të ditur se shkolla “Shefqet Sulejmani” në Gjashtë është përzgjedhur për t’u përfshirë në programin “Pas Shkolle”.
Ndërkohë, këshilltarët e Ksamilit kërkuan masa më të forta sigurie në shkolla, duke ngritur një pretendim shqetësues se në ambientet apo pranë këtyre institucioneve ka edhe raste të shitjes së lëndëve narkotike. Ky pretendim u ngrit gjatë diskutimeve në Këshill dhe kërkon verifikim nga institucionet përgjegjëse.
Këshilltarët mbështesin kërkesën e Delvinës
Debati kryesor gjatë analizës së transportit publik u përqendrua te terminali dhe linjat që lidhin Sarandën me bashkitë fqinje.
Për diskutim u paraqit kërkesa e banorëve të Delvinës, të cilët prej ditësh kundërshtojnë detyrimin që autobusët e linjës Delvinë–Sarandë të ndalojnë në terminal dhe kërkojnë që linja të vazhdojë itinerarin brenda qytetit.
Kërkesa të ngjashme janë ngritur edhe nga banorë dhe operatorë të linjave që u shërbejnë fshatrave të Finiqit dhe Konispolit.
Gjatë diskutimit, pothuajse të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak shprehën mbështetje për kërkesën e banorëve.
Kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, avokati Gjergji Imeri, kërkoi që linja Delvinë–Sarandë të mos penalizohet për shkak të ndonjë interesi tjetër që mund të lidhet me linjat e transportit urban.
Këshilltari Ilirjan Gërdhuqi shkoi më tej, duke kërkuar që kërkesa e banorëve të hidhej në votim për miratim.
Bashkia propozon dy linja të reja urbane, por nuk merret vendim
Në analizën e transportit, Bashkia Sarandë kishte paraqitur gjithashtu propozimin për shtimin e linjave urbane, me argumentin se aktualisht nuk mbulohet i gjithë qyteti.
Sipas dokumenteve të paraqitura, propozohet linja Qendër–Terminal, me nisje nga Shkolla “9 Tetori” dhe itinerar nëpër rrugët Idriz Alidhima, Abedin Dino dhe Skënderbeu deri në terminal.
Propozimi i dytë është linja Kodër–Terminal, gjithashtu me nisje nga Shkolla “9 Tetori”, që parashikohet të kalojë në rrugët Idriz Alidhima, Mitat Hoxha, Abedin Dino, Adem Sheme, Gjergj Araniti dhe Skënderbeu përpara mbërritjes në terminal.
Megjithatë, mbledhja u mbyll pa një vendimmarrje për kërkesën e banorëve të Delvinës, pavarësisht mbështetjes së shprehur gjatë diskutimeve dhe kërkesës që çështja të hidhej në votim.
Po ashtu, nuk u mor vendim as për dy propozimet e Bashkisë për linjat Qendër–Terminal dhe Kodër–Terminal, duke lënë të hapur diskutimin për mënyrën se si do të organizohet transporti publik në Sarandë. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
Luani i Butrintit gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
31/08/2616:18
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 7
31/08/2616:18
Suvenire nga Saranda – Shegë
31/08/2616:18
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 16
31/08/2616:18
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 26
31/08/2616:18