Pas Policisë, edhe FNSH dhe Ushtria dalin në rrugë. Kontroll të gjitha makinave pa përjashtim

11/03/2022:16

Shperndaje:


Zbatimi i urdhrit të qeverisë për vetëkarantinimin e personave të ardhur nga Italia dhe Greqia ka nxjerrë në terren policinë dhe grupet e FNSH.  Gjatë mbrëmjes së sotme drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bardhyl Kollçaku inspektuan këto pika kontrollit, të shpërndara në pikat hyrëse dhe kyçe në Tiranë, të ngritura për të monitoruar qarkullimin e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve që mund të udhëtojnë nga shtetet e prekura nga COVID-19.

Ardi Veliu u shpreh se duhet të kontrollohen të gjitha makinat pa përjashtim dhe grupet e FNSH të jenë në gatishmëri për rastet që hasin rezistencë dhe nuk duan të vetëkarantinohen.

`Normalisht makinat duhet të kontrollohen të gjitha pa përjashtim dhe nëse konstatoni shtetas që 15 ditëshin e fundit kanë ardhur sidomos nga Italia, duhet t’i bëjmë të qartë se duhet të vetëkarantinohen dhe duhet të shkëmbeni numrin e telefonit dhe të telefonojnë te 127 për çdo problematikë. Makinat duhet të ndalohen të gjitha pa përjashtim, jo me përzgjedhje. Kjo punë do vazhdojë sot deri në 12 dhe nesër do të rinisë sërish në 5:30 të mëngjesit. Nesër do të sjellim dhe tabletat që do të keni të gjitha të dhënat. Grupet  e FNSH për rastet e rezistencës‘, tha Veliu.

Ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bardhyl Kollçaku tha se dalja e ushtrisë në  do të jetë në mbështetje të Policisë së Shtetit për të kontrolluar apo sensibilizuar qytetarët, kryesisht ata që kanë udhëtuar në Itali e Greqi dhe se ky kontroll do të përfshijë të gjithë vendin, jo vetëm Tiranën.

“Detyrat e FA-ve në këto moment janë që të jenë në mbështetje të policisë së shtetit për të kontrolluar, sensibilizuar qytetarët, kryesisht ata që kanë udhëtuar në Itali e Greqi për t’i detyruar të vetëkarantinohen. Do të vazhdojnë për aq kohë sa është e nevojshme. Planet tona janë fleksibël. Aktualisht shtrihen dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ka një plan të detajuar”, tha Kollçaku.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.