Operacioni “Vjeshta” në Sarandë, 20 të ndaluar për drogë dhe armë – VIDEO

Operacioni “Vjeshta” në Sarandë, 20 të ndaluar për drogë dhe armë – sekuestrohen pistoleta, kokainë e kanabis

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në Sarandë pas një hetimi dymujor për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje. Operacioni i koduar “Vjeshta” ka përfunduar me ndalimin e 20 personave, ndërsa janë sekuestruar dy armë zjarri, kokainë, kanabis, automjete, telefona celularë dhe para.

 

 

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, hetimi është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës dhe nën drejtimin e prokurores Esmeranda Basho.

 

Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 20 personat e ndaluar: A. O., 25 vjeç; F. F., 27 vjeç; M. M., 35 vjeç; K. P., 27 vjeç; R. A., 33 vjeç; N. R., 32 vjeç; A. A. (D), 48 vjeç; E. D., 41 vjeç; Dh. T., 33 vjeç; Xh. M., 27 vjeç; V. K., 23 vjeç; F. L., 54 vjeç; B. K., 26 vjeç; Sh. B., 20 vjeç; A. B., 20 vjeç; N. R., 24 vjeç; E. D., 30 vjeç; D. S., 22 vjeç; K. O., 28 vjeç dhe F. B., 30 vjeç. Sipas Policisë, njëri prej tyre banon në Ksamil, ndërsa të tjerët në Sarandë.

 

Dy pistoleta, drogë, makina dhe 19 celularë të sekuestruar

 

Gjatë kontrolleve të kryera me vendim gjykate, policia thotë se shtetasve D. S. dhe Sh. B. iu gjet nga një armë zjarri pistoletë. Armët janë sekuestruar dhe pritet t’u nënshtrohen ekzaminimeve në Institutin e Policisë Shkencore.

Gjithashtu janë sekuestruar kokainë dhe kanabis të ndara në dhjetëra doza, që sipas hetuesve dyshohet se ishin përgatitur për shitje, si dhe 4 automjete, 19 telefona celularë dhe një shumë parash në lekë dhe euro.

 

Në kuadër të të njëjtit operacion është proceduar në gjendje të lirë edhe E. N., 36 vjeç, nga Lushnja, pasi dyshohet se kundërshtoi punonjësit e Policisë gjatë kontrollit në një dhomë hoteli. Pikërisht në këtë ambient u kap Sh. B., të cilit, sipas Policisë, iu gjet një nga pistoletat.

 

Hetimi kishte nisur dy muaj më parë

 

Operacioni i sotëm lidhet me një procedim të nisur më herët. Më 31 korrik 2026, në kuadër të të njëjtit hetim, ishin arrestuar në flagrancë A. N., A. C. dhe K. J., ndërsa u sekuestruan rreth 5 kilogramë kanabis, që sipas hetuesve synohej të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil.

 

Policia pretendon se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se personat nën hetim merreshin me shitjen e lëndëve narkotike në zonën e Sarandës, kryesisht në plazhe, lokale nate dhe në afërsi të shkollave.

 

Në operacion u angazhuan, krahas strukturave të Policisë së Sarandës, edhe Forca e Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe struktura policore nga Fieri, Tirana, Elbasani dhe Gjirokastra.

 

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të personave të përfshirë dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me veprimtarinë e dyshuar kriminale. Saranda Web

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Elisa Spiropali letër Skënderbeut: Përgjigjja që presin prej teje nuk është një tjetër fjalim, por një vendim
Lexoni më shumë
Atentati me tritol në Gjirokastër, arrestohen dy persona dhe shpallen në kërkim dy të tjerë
Lexoni më shumë
Hotel Olympia në Sarandë kërkon Roje‐Mirëmbajtës dhe Sanitare
Lexoni më shumë
Rrëfimi që të këput shpirtin i Alida Metaj në Sarandë: “Djalin e lë të mbyllur me çelës në shtëpi që të shkoj në punë”
Lexoni më shumë
Berisha: Rama duhet të japë dorëheqjen, të mos ndjekë shembullin e diktatorëve
Lexoni më shumë
Protesta e studentëve në Tiranë LIVE / Ndiqni transmetimin e drejtpërdrejtë nga Reuters
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.