Banorët sërish në protestë në Këshillin Bashkiak, kërkojnë zgjidhje për linjën Delvinë–Sarandë

26/09/2618:16

Shperndaje:

Banorët e Delvinës sërish në protestë në Këshillin Bashkiak të Sarandës, kërkojnë zgjidhje për linjën Delvinë–Sarandë

 

Banorët e Delvinës i rikthehen protestës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës, duke kërkuar zgjidhje për problematikën e transportit dhe itinerarin e autobusëve të linjës Delvinë–Sarandë. Çështja mbetet e pazgjidhur edhe pas diskutimeve të zhvilluara në mbledhjen e muajit të kaluar, ku banorët kërkuan që autobusët të mos detyrohen ta përfundojnë itinerarin në terminal, por të vijojnë lëvizjen brenda qytetit të Sarandës.

 

 

Në mbledhjen e kaluar, pothuajse të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak shprehën mbështetje për kërkesën e banorëve. Kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, avokati Gjergji Imeri, kërkoi që linja Delvinë–Sarandë të mos penalizohej për shkak të interesave që mund të lidheshin me transportin urban, ndërsa këshilltari Ilirjan Gërdhuqi kërkoi që propozimi i banorëve të hidhej në votim.

 

 

Megjithatë, mbledhja u mbyll pa një vendim përfundimtar. Në përfundim u vendos ngritja e një grupi pune që do të analizonte problematikën dhe do të përgatiste një projektvendim për t’ia paraqitur Këshillit Bashkiak.

 

 

Në debatin për këtë çështje reagoi edhe këshilltari Ermir Hoxha, i cili kërkoi që Bashkia Sarandë të hartojë një studim konkret mbi efektet që sjell lejimi ose moslejimi i linjave të Delvinës dhe fshatrave për të hyrë në qytet. Sipas tij, vendimmarrja duhet të mbështetet në të dhëna dhe në ndikimin real që këto linja kanë në Sarandë.

 

Hoxha argumentoi se banorët e fshatrave dhe zonave përreth përbëjnë një burim të rëndësishëm të aktivitetit ekonomik të Sarandës, veçanërisht gjatë muajve jashtë sezonit turistik. Sipas tij, kjo dallohet edhe pas orës 15:00, kur një pjesë e banorëve të zonave përreth largohen dhe lëvizja në qytet bie ndjeshëm.

 

 

Në këtë kontekst, Ermir Hoxha këmbënguli që linjat e Delvinës dhe të fshatrave të vazhdojnë të lejohen të hyjnë në Sarandë, ndërsa paralelisht Bashkia të analizojë me të dhëna konkrete ndikimin e tyre përpara marrjes së një vendimi përfundimtar.

 

Ndërkohë, banorët e Delvinës vijojnë t’i qëndrojnë kërkesës së tyre: autobusët e linjës Delvinë–Sarandë të mos e përfundojnë detyrimisht itinerarin në terminal, por të vijojnë lëvizjen brenda Sarandës, siç ndodhte më parë.

 

Problematika nuk prek vetëm Delvinën. Kërkesa të ngjashme janë ngritur edhe për linjat që u shërbejnë banorëve të zonave të Finiqit dhe Konispolit.

Pas ngritjes së grupit të punës në mbledhjen e kaluar, banorët presin tashmë që diskutimet dhe analizat të përkthehen në një vendimmarrje konkrete nga Këshilli Bashkiak i Sarandës.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Banorët sërish në protestë në Këshillin Bashkiak, kërkojnë zgjidhje për linjën Delvinë–Sarandë
Shpërthim në qendër të Athinës, mes viktimave gjenden edhe 3 shqiptarë
Qëllohet me armë drejt lokalit të një shqiptari në Athinë; plagoset vajza e tij 10-vjeçare
Publikohen pamje nga atentati në Sarandë, autori përdori dy pistoleta – VIDEO
Supermarket MIRELI në Ksamil kërkon punonjës/e staf vjetor. Ofrohet transporti
Rama nga New York: Armiqtë nuk na sulmojnë me raketa, por nëpërmjet rrjeteve sociale

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.