Në kulmin e rritjes së çmimit të naftës, qeveria vendos edhe dy taksa të tjera
Në kulmin e rritjes së çmimit të naftës, qeveria vendos edhe dy taksa të tjera
Në një kohë kur çmimet e karburanteve në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në rajon, qeveria ka njoftuar vendosjen e dy tarifave të reja që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës dhe benzinës.

Sipas raportimit të publikuar nga Kapitali.al, në vend që të lehtësojë barrën fiskale mbi karburantet, qeveria ka zgjedhur të shtojë dy tarifa të reja: tarifën e gjurmimit të karburanteve dhe atë për krijimin e rezervës kombëtare të sigurisë.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se sistemi i gjurmimit të karburanteve do të realizohet nga kompania Albtrace (AlbTreis), një kompani e përbashkët mes shtetit shqiptar dhe një partneri nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas Ramës, kjo kompani publike do të përdorë teknologji për të monitoruar të gjitha produktet e akcizës dhe veçanërisht karburantet.
“Ne kemi krijuar një kompani të re publike, në ortakëri me Emiratet e Bashkuara, me kompaninë e tyre të të njëjtit objektiv, e cila quhet AlbTreis. Ajo është një kompani publike që do të bëjë gjurmimin e të gjitha produkteve të akcizës me teknologji dhe së shpejti Albtreis do të hyjë në treg me dy produktet e veta të para, që kanë të bëjnë me gjurmimin dhe ndjekjen e naftës,” deklaroi kryeministri.
Sipas tij, sistemi i gjurmimit do të përdoret kryesisht për të kontrolluar tranzitin e karburanteve, duke synuar të eliminojë rastet kur nafta që deklarohet për rieksport përfundon duke u shitur në tregun vendas.
Albtrace është një kompani ku 51 për qind e aksioneve zotërohen nga shteti shqiptar, ndërsa 49 për qind nga kompania arabe O & S Security and Solutions, e cila më parë ishte e përfshirë edhe në koncesionin e pullave fiskale. Hyrja e kësaj kompanie në tregun e karburanteve pritet të rikthejë pjesërisht sistemin e markimit dhe do të shoqërohet me një tarifë të re, e cila do të përfshihet në çmimin final që paguajnë qytetarët për naftën.
Por edhe më e kushtueshme pritet të jetë tarifa për krijimin e rezervës kombëtare të sigurisë për hidrokarburet. Ministri i Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se qeveria po përgatit një projektligj për krijimin e një agjencie shtetërore që do të mbajë rezervat strategjike të karburanteve.
Sipas planit të qeverisë, do të krijohet një rezervë minimale 90-ditore e karburanteve për të garantuar sigurinë energjetike të vendit. Aktualisht këto rezerva mbahen nga kompanitë tregtare të hidrokarbureve, por me ligjin e ri ato do të menaxhohen nga një agjenci shtetërore që do të përdorë depozita të sajat ose depo të marra me qira.
Kostoja për krijimin e kësaj rezerve është shumë e lartë. Sipas përllogaritjeve të publikuara nga Kapitali.al, vetëm për vitin e parë do të nevojitet sigurimi i rreth 240 mijë tonëve naftë. Me një çmim aktual në treg prej rreth 1250 dollarë për ton, kjo përkthehet në një kosto të drejtpërdrejtë që i kalon 300 milionë dollarët.
Përveç kësaj, agjencia shtetërore do të ketë edhe kosto të tjera operative, përfshirë marrjen me qira të depozitave të karburanteve. Aktualisht qiraja minimale për depozita të tilla llogaritet rreth 10 euro për ton në muaj, çka do të krijonte një kosto shtesë që mund të arrijë deri në 25 milionë euro në vit.
Të gjitha këto shpenzime pritet të financohen përmes vendosjes së një tarife të re mbi çmimin e karburanteve. Si rrjedhojë, dy tarifat e reja – ajo e gjurmimit dhe ajo e rezervës kombëtare – pritet t’i shtohen barrës së rëndë fiskale që tashmë rëndon mbi karburantet në Shqipëri, duke rritur edhe më tej çmimet që paguajnë qytetarët në pompë.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit