LAJM I MIRË/ Qytetarët në Sarandë reagojnë, kundërshtojnë parkingun në territorin e gjimnazit
LAJM I MIRË/ Qytetarët në Sarandë reagojnë, kundërshtojnë parkingun në territorin e gjimnazit “Hasan Tahsini”
Një reagim i pazakontë qytetar ka shpërthyer në Sarandë pas vendimit të Këshillit Bashkiak për kalimin në pronësi të Bashkisë të territorit që përfshin sipërfaqen e gjimnazit “Hasan Tahsini”, me qëllim ndërtimin e një parkingu publik. Qindra qytetarë kanë reaguar në publikimin e Saranda Web, duke kundërshtuar përdorimin e kësaj hapësire për parking dhe duke kërkuar që territori t’u mbetet nxënësve, sportit dhe aktiviteteve të të rinjve.
Përmasat e këtij reagimi përbëjnë një zhvillim veçanërisht domethënës: është ndër rastet e para, dhe ndoshta reagimi më i gjerë publik i qytetarëve të Sarandës për një vendimmarrje që prek drejtpërdrejt hapësirat e qytetit, pas 35 vitesh gjatë të cilave Saranda ka përjetuar zaptime, betonizime dhe tjetërsime të shumta të hapësirave publike.
Pikërisht për këtë arsye titulli “LAJM I MIRË” nuk lidhet me vendimin për parkingun, por me faktin se qytetarët po reagojnë, po kërkojnë llogari dhe po shprehin publikisht qëndrimin e tyre për mënyrën se si përdoret qyteti.
Qytetarët: Parking po, por jo në territorin e shkollës
Saranda Web ishte media e vetme që bëri publike vendimmarrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Pas publikimit, reagimet ishin të menjëhershme dhe qindra komente e kthyen çështjen në një debat publik.
Nga komentet e deritanishme, qëndrimi dominues është kundërshtimi i ndërtimit të parkingut pikërisht në këtë territor.
“Territori i shkollës është i shenjtë dhe ruhet si sytë e ballit”, shkruan një qytetar.
Të tjerë kërkojnë që hapësira të përdoret për fusha sportive, aktivitete shkollore dhe gjelbërim, ndërsa për parkingun Bashkia të gjejë një tjetër territor.
“Nuk ka më ambiente për edukim fizik? Vetëm ndërtime për biznes? Nuk ka më klasa sportive dhe aktivitete shkollore?”, pyet një tjetër qytetar.
Ka edhe qytetarë që e konsiderojnë të domosdoshëm shtimin e parkingjeve publike në Sarandë, por edhe në këto reagime ngrihet çështja e vendndodhjes. Me pak fjalë: parkingje po, por jo duke zvogëluar hapësirat që mund t’u shërbejnë nxënësve dhe të rinjve.
Vangjel Agora: “Makina mund të parkojë diku tjetër, fëmija nuk mund të rritet diku tjetër”
Debatit i është bashkuar publikisht edhe Vangjel Agora, i cili kundërshton projektin dhe kërkon rishikimin e tij.
Në reagimin me titull “Nga një ambient sportiv në fushë parkimi: kështu po ‘zhvillojmë’ rininë?”, Agora argumenton se çështja nuk duhet parë thjesht si një procedurë administrative, por si një zgjedhje për modelin e qytetit që Saranda dëshiron të ndërtojë.
Ai thekson se nuk është kundër parkingjeve. Përkundrazi, pranon se një qytet turistik si Saranda ka nevojë për parkingje dhe zgjidhje serioze për trafikun, por kundërshton përdorimin për këtë qëllim të një hapësire që lidhet me shkollën dhe sportin.
Sipas tij, Bashkia duhet të investojë për rikonstruksionin e territorit, krijimin e fushave të basketbollit e volejbollit dhe ambienteve ku të rinjtë mund të ushtrohen pas mësimit.
Agora sjell në vëmendje edhe traditën sportive të Sarandës dhe ekipet e “Butrintit”, duke ngritur pyetjen nëse qyteti duhet të synojë ringritjen e kësaj tradite apo të vazhdojë të zvogëlojë hapësirat ku mund të lindin sportistët e së ardhmes.
“Makina mund të parkojë diku tjetër. Fëmija nuk mund të rritet diku tjetër”, është një nga mesazhet e reagimit të tij.
Sipas Agorës, debati nuk është një luftë kundër parkingjeve, por një debat mbi prioritetet: “Saranda ka nevojë për parkingje. Por Saranda ka edhe më shumë nevojë për fëmijët e saj.”
Roli i opozitës: Një pjesë u largua, pjesa tjetër qëndroi në sallë duke mos cenuar kuorumin
Një pikë që ngre pikëpyetje në këtë vendimmarrje është edhe qëndrimi i opozitës në Këshillin Bashkiak Sarandë.
Gjatë mbledhjes, një pjesë e këshilltarëve të opozitës u larguan nga salla, ndërsa pjesa tjetër zgjodhi të qëndronte dhe të merrte pjesë në votim, ku ra në sy se gjatë gjithë kohës ka patur një komunikim me mesazhe në telefona (SHIKO VIDEO) . Këshilltarët opozitarë që qëndruan votuan kundër propozimit, por prania e tyre bëri që kuorumi të mos cenohej dhe mbledhja të vijonte normalisht, duke i hapur rrugë votimit dhe miratimit të vendimit nga shumica.
.
Përpara mbledhjes nuk pati një reagim publik të opozitës për të informuar qytetarët mbi propozimin, për të ngritur shqetësimet e saj apo për të kërkuar debat publik. Edhe pas votimit dhe miratimit të vendimit, deri në këto momente, mungon një reagim publik që të shpjegojë qëndrimin e saj dhe arsyet e votës kundër.
.
Në këtë mënyrë, kundërshtimi më i fortë publik ndaj projektit deri tani nuk ka ardhur nga politika, por nga vetë qytetarët, të cilët reaguan në numër të madh pasi vendimmarrja u bë publike nga Saranda Web.
Pas 35 vitesh, një sinjal se qytetarët nuk duan më të heshtin
Pas dekadash transformimesh të pakthyeshme të qytetit, zaptimet, betonizimi dhe tjetërsimi i hapësirave publike, qindra sarandjotë po thonë publikisht se duan të kenë zë në atë që ndodh me hapësirat e tyre.
Ky reagim qytetar mund të jetë zhvillimi më i rëndësishëm i gjithë kësaj historie: Saranda po diskuton publikisht se çfarë qyteti dëshiron të jetë.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 30
05/08/2618:53
DEA e Butrintit, punim në gur nga Agur Kapo
05/08/2618:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 13
05/08/2618:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 18
05/08/2618:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 8
05/08/2618:53