Këshilli Bashkiak Sarandë mblidhet për ujin, por seanca ndërpritet sërish nga mungesa e kuorumit

04/08/2614:45

Shperndaje:

Këshilli Bashkiak Sarandë mblidhet për ujin, por seanca ndërpritet sërish nga mungesa e kuorumit

U zhvillua sot mbledhja e Këshillit Bashkiak Sarandë, e cila ishte planifikuar fillimisht për më 31 korrik, por atë ditë nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit.

 

 

Në qendër të mbledhjes ishte situata e furnizimit me ujë në Sarandë. Përfaqësues të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Sarandë raportuan para këshilltarëve mbi problematikat e shfaqura gjatë sezonit turistik dhe masat e ndërmarra për furnizimin e qytetarëve.

 

Sipas përfaqësuesve të Ujësjellësit, sasia aktuale e ujit nuk është e mjaftueshme për të përballuar fluksin e lartë të sezonit turistik, ndërsa është tentuar që përmes kufizimeve të plotësohen nevojat e zonave të ndryshme.

 

“Megjithë problematikat e shfaqura dhe mungesën e sasisë së mjaftueshme të ujit për të përballuar këtë fluks turistik, jemi munduar që me kufizime të plotësojmë nevojat”, u tha gjatë raportimit.

 

Përfaqësuesi i Ujësjellësit bëri të ditur gjithashtu se, së bashku me Bankën Botërore, po punohet për një studim që synon të sjellë rreth 500 litra ujë në sekondë nga burimet e Tatzatit, një projekt që pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetet e furnizimit me ujë të zonës së Sarandës.

 

Një tjetër çështje e rëndësishme e trajtuar në mbledhje ishte kalimi në pronësi të Bashkisë Sarandë i territorit që përfshin sipërfaqen e gjimnazit “Hasan Tahsini”. Në këtë zonë planifikohet ndërtimi i një parkingu publik.

 

Në rendin e ditës ishin gjithashtu vendime që lidhen me ndihmën ekonomike për muajin qershor, ndihmën financiare për një qytetar, transferimin në pronësi të Bashkisë Sarandë të territorit të Bar Lulishtes, si dhe ndryshime në buxhetin e Bashkisë për vitin 2026.

 

Në fillim të seancës, me propozim të këshilltarit të PS-së, Gjergji Imeri, dhe këshilltarit të djathtë Ilirjan Gërdhuqi, rendit të ditës iu shtuan edhe dy pika të tjera.

 

Megjithatë, mbledhja nuk arriti të përfundonte të gjithë rendin e ditës. Këshilltarët e djathtë u larguan pjesë-pjesë nga salla dhe, pas rënies së numrit të këshilltarëve të pranishëm nën kuorumin e nevojshëm, vijimi i seancës u bë i pamundur.

Për pasojë, tre pikat e fundit të rendit të ditës mbetën pa u diskutuar.

 

Mes tyre ishte edhe çështja që lidhej me nisjen e procedurës dhe miratimin në parim të vlerës financiare të shpronësimit të pronave private që preken nga projekti “Përmirësimi i infrastrukturës së zonës periferike Sarandë”.

 

Kështu, edhe mbledhja e 4 gushtit, e thirrur pas dështimit të seancës së 31 korrikut për mungesë kuorumi, u mbyll pa arritur të shqyrtojë të gjitha çështjet e parashikuara në rendin e ditës. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Tragjedi në kufirin shqiptaro-grek, 20-vjeçari humb jetën nga etja dhe vapa
Këshilli Bashkiak Sarandë mblidhet për ujin, por seanca ndërpritet sërish nga mungesa e kuorumit
Parandalohet një vrasje në Sarandë, 5 të arrestuar – dy prej tyre u kapën me armë dhe silenciator
Zero Zero Hotel në Sarandë kërkon të punësojë Sanitare
ODA e BABËS në Sarandë kërkon Kamarier dhe Ndihmës Kamarier
Aksidenti tragjik në Ksamil: 20-vjeçari ishte pasagjer, drejtuesi i mjetit i plagosur në spital

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.