I arrestuar nga SPAK për korrupsion, shkarkohet prokurori Sali Hasa! KPK: Ka fshehur pasurinë

03/09/218:17

Shperndaje:

TIRANË-Prokurori i Sarandës, Sali Hasa i arrestuar për korrupsion 3 muaj më parë, është shkarkuar sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi  ka probleme të theksuara me pasurinë.

Sipas KPK Hasa nuk ka deklarim të saktë, nuk ka burime dhe ka fshehur pasurinë. Ai ka deklaruar se ka shitur karabinanë, por nuk ka dokumente që e vërtetojnë. Për shtëpinë në Kavajë dhe në Sarandë ka pasur mungesë burimesh financiare. Edhe pse kishte kërkuar të kundërtën vetë z. Hasa nuk u pa i pranishëm as në këtë seancë. 

Në seancën e kaluar të KPK u konstatua se Hasa ka bërë deklarime kontradiktore nëpër të gjitha deklaratat, duke mosdeklaruar detyrimet për blerjen e apartamentit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nisi sezonin e ri të vetingut me prokurorin e arrestuar të Sarandës, Sali Hasa të mërkurën më 1 shtator. Kryesuesja e trupit gjykues, Firdes Shuli tha në fillim të seancës se Hasa ishte njoftuar për seancën në paraburgim dhe e kishte marrë njoftimin, por nuk mund të paraqitej për arsye që nuk u bënë të ditura.

Dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues janë Etleda Çiftja dhe Roland Ilia, ky i fundit në cilësinë e relatorit të çështjes. Si vëzhgues ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Prokurori Sali Hasa u arrestua për veprën penale të korrupsionit pasiv më 19 qershor të këtij viti, pas hetimeve të nisura ndaj një grupi të trafikut të drogës nga ana e SPAK. Procesi i tij i rivlerësimit ka përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë.

KPK ka gjetur pasaktësi, mospërputhje dhe mungesë të dokumentacionit për një investim karabina të kryer mbi një truall të blerë në vitin 1998. Për këtë arsye, vlera e shitjes së kësaj pasurie, e cila ka shërbyer si burim për blerjen e një apartamenti nuk është konsideruar si e ligjshme nga ana e KPK.

Relatori Ilia tha se zyra e hipotekës Kavajë ka konfirmuar se Hasa e ka shitur tokën në vitin 2004, por nuk ka dokumentacion për shitjen e karabinasë me sipërfaqe ndërtimi 130 m2 në shumën 2.5 milionë lekë.

Komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës për mungesë të dokumentacionit ligjor për ndërtimin e karabinasë; për ndërtim pa leje dhe se ai nuk arriti të provojë ndërtimin e objektit. Gjithashtu, nuk është arritur të provohet pretendimi se karabinaja është ndërtuar me të ardhura të siguruara nga bashkëshortja nga puna në aktivitetin e të atit, duke konkluduar pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Relatori Ilia tha se duket i qëllimtë mosdeklarimi para noterit i shitjes së karabinasë dhe se ka mungesë dokumentacioni ligjor për përfitimin e vlerës së pretenduar nga shitja 2.5 milionë lekë. Në seancë u evidentua se nuk rezulton të jenë paguar detyrimet për këto të ardhura dhe për pasojë nuk është konsideruar në analizën financiare shuma 2.5 milionë lekë.

Për shkak të heqjes së kësaj vlere, subjekti ka rezultuar në pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Durrës.

Ai ka deklaruar se e ka blerë këtë apartament në vitin 2005 kundrejt shumës 1.7 milionë lekë,  por nga hetimi ka rezultuar se ka nënshkruar kontratë porosie në vitin 2001 për çmimin 50 mijë USD.

Komisioni konstaton deklarime kontradiktore dhe të pasakta për shumën e paguar për këtë apartament. “Vlera e kontratës së shitjes 1.7 milionë lekë dyshohet të jetë fiktive. Subjekti është përpjekur të fshehë të vërtetën e banesës,” tha Ilia dhe shtoi se vlera në treg e apartamentit kishte qenë 8.9 milionë lekë.

Pasaktësi në deklarime dhe paqartësi të veprimeve që kanë mundësuar krijimin e burimeve financiare, janë gjetur edhe në procedurën e blerjes së një apartamenti me sipërfaqe 90 m2 në qytetin e Sarandës kundrejt çmimit 3.9 milionë lekë.

Sipas KPK, në kontratën e sipërmarrjes të vitit 2010 është përcaktuar se kësti i parë në shumën 720 mijë lekë është shlyer para nënshkrimit të kësaj kontrate. Si burim tjetër për shlyerjen e këstit të dytë 3.1 milionë lekë të çmimit të kësaj pasurie, Hasa ka deklaruar edhe një kredi në shumën 2.4 milionë të përfituar nga bashkëshortja bazuar në një vendim qeverie për strehimin e zyrtarëve publikë.

Relatori Ilia tha se është e paqartë se si e ka përfituar këtë lloj kredie bashkëshortja e subjektit dhe djali i tyre, ndërkohë që ata zotëronin edhe një apartament tjetër. Sipas KPK, duket se subjekti e ka përfituar këtë apartament me çmim preferencial në shumën 3.9 milionë lekë, ndërkohë që çmimi i tregut ka qenë 4.4 milionë lekë.

Prokurorit Hasa i është kaluar barrë prove edhe për disa autovetura, mes së cilave njëra e blerë përmes një huaje prej 1 milionë lekësh. Sipas KPK-së, Hasa nuk ka arritur të provojë mundësinë financiare të huadhënësit.

Hasa ka deklaruar blerjen e një mjeti tip Audi në shumën 850 euro dhe shitjen e kësaj pasurie djalit të tij për 1000 euro, i cili e ka shitur pas dy vitesh përdorimi në shumën 400 mijë lekë. Komisioni i ka kaluar barrën e provës lidhur me trajtimin preferencial në blerjen e kësaj makine për 850 euro në vitin 2012 dhe ngre dyshime për çmimin e shitjes 400 mijë lekë në vitin 2014.

Edhe në këtë rast, nuk ka rezultuar kontratë blerje për të vërtetuar çmimin 850 euro dhe nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie. Për rrjedhojë nuk janë përfshirë në analizën financiare të ardhurat e përfituara nga shitja.

Hasa ka deklaruar blerjen dhe shitjen e një autoveture tip Peugeot brenda një periudhe 2 javore në vitin 2012. Ai rezulton ta ketë blerë në shumën 500 euro dhe e ka shitur 2200 euro dy javë më pas.

Dhurimet

Komisioni konstaton fshehje dhe deklarim të rremë të prokurorit Hasa lidhur me deklarimin e dhurimit të një toke kullotë me sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo-Himarë në vitin 2014 nga shtetasi V.Rr. në favor të dy fëmijëve të tij.

Ilia tha se nga hetimi ka rezultuar se fëmijët zotërojnë së bashku një truall me sipërfaqe 2000 m2 në “Palermo-Himarë” dhe jo një sipërfaqe toke kullotë 1000 m2, ashtu si ka deklaruar Hasa. Nga hetimi është konstatuar se prej kontratave të dhurimit janë përfituar 2 pasuri me nga 1000 m2, pasi rezultojnë dy kontrata noteriale me franksione të ndryshme.

Edhe pse nuk është gjetur konflikt interesi me dhuruesin, KPK ngre dyshime se përse një person që nuk është pjesë e rrethit familjar duhej t’u dhuronte 2000 m2 truall dy fëmijëve të prokurorit Hasa.

Hasa ka deklaruar se një pjesë e mirë e shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve në Rusi janë mbuluar nga dhurimet e gjyshërve. Ai ka pretenduar se gjyshërit u kanë dhuruar fëmijëve nga 500 mijë lekë për dy vite shkollore për të mbuluar shpenzimet e jetesës, ndërkohë që ka dërguar edhe ai shuma monetare. Hasa ka deklaruar se arsimimi ka qenë falas pasi janë mbështetut nga shteti shqiptar dhe ai rus.

Komisioni nuk i ka përfshirë në analizën financiare dhurimet e gjyshërve të fëmijëve, pasi nuk janë pasqyruar në deklaratat periodike. Ndërkohë, janë konstatuar edhe mospërputhje të deklarimeve për shpenzimet e shkollimit në Rusi.

Gjatë hetimit, Hasa pretenduar edhe një dhurim tjetër nga dy shtetas, që sipas tij ka shërbyer për përballimin e shpenzimeve për një udhëtim në Moskë në vitin 2006. “Ngelet e dyshimtë lidhja e subjektit me këto shtetas, shuma e dhuruar, si dhe ky dhurim nuk është deklaruar asnjëherë nga subjekti në deklaratat e pasurisë,” tha Ilia.

Nga hetimi janë evidentuar edhe përdorimi i dy apartamenteve në Sarandë pa kundërshpërblim për periudhën 2003-2010. Po ashtu është konstatuar mungesë dokumentacioni ligjor për përdorimin e një automjeti tip Benz të deklaruar nga subjekti.

Nga analiza financiare përfundimtare për gjithë periudhën e rivlerësimit është konkluduar balancë negative në shumën 15.5 milionë lekë.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për heqjen e sekuestros së Bazës Detare të Limionit
Kishte dëgjuar se këtu s’ka shtet, arrestohet 24-vjeçari nga Belgjika
Një djalë dhe një vajzë 17 vjeçarë procedohen pas sherrit në aktivitetin sportiv
Një tjetër arrestim për dhunë në familje
Dëgjesa publike për Paketën Fiskale dhe Buxhetin e Bashkisë Sarandë për 2025 – LIVE
Anila Denaj: Në 2025 do të rritet mbështetja për fermerët, do investohet në ujitje dhe kullim

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.