Hiqet skema e naftës për fermerët, ministri: Kemi rritur mbështetjen për tufat e bagëtive
Hiqet skema e naftës për fermerët, ministri: Kemi rritur mbështetjen për tufat e bagëtive
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, prezantoi Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026, duke sjellë një ndryshim për fermerët: heqjen e skemës së naftës pa taksa dhe orientimin e fondeve drejt subvencioneve të drejtpërdrejta, veçanërisht për sektorin e blegtorisë.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, fermerët nuk do të përfitojnë më karburant pa taksa për punimin e tokës. Sipas ministrit, kjo skemë zëvendësohet me një paketë më të gjerë mbështetjeje, ku fermerët mund të përfshihen në disa masa njëkohësisht, duke përfituar drejtpërdrejt nga fondet e buxhetit të shtetit. Ky ndryshim vjen në një kohë kur mungojnë fondet nga Bashkimi Europian dhe çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje të ndjeshme.
Për të kompensuar rritjen e kostove, qeveria ka parashikuar një mekanizëm të ri: rimbursim në masën 10% të faturave për çdo shitje që fermerët realizojnë tek grumbulluesit, agropërpunuesit apo subjektet e agroturizmit. Në këtë mënyrë synohet të mbështetet zinxhiri i shitjes dhe formalizimi i tregut bujqësor.
Një nga risitë kryesore të kësaj skeme është ulja e pragjeve për përfitim, duke i hapur rrugë një numri më të madh fermerësh të bëhen pjesë e mbështetjes shtetërore. Nga ky vit, përfitojnë edhe fermat më të vogla, duke nisur nga 5 krerë bagëti, 50 krerë të imta, 5 dosa dhe 25 koshere bletësh.
Sa i përket blegtorisë, skema e re paraqet një rritje të konsiderueshme të mbështetjes financiare dhe një strukturim më të qartë të përfitimeve. Për gjedhinë, fermerët që kanë jo më pak se 5 lopë do të përfitojnë 10 mijë lekë për çdo krerë, duke synuar të mbështesë prodhimin e qumështit dhe stabilitetin e fermave të vogla dhe të mesme. Për bagëtitë e imta, si dele dhe dhi, mbështetja është 1500 lekë për çdo krerë për tufat që kanë të paktën 50 krerë, një masë që synon të nxisë rritjen e kapaciteteve në zonat rurale.
Për herë të parë, skema përfshin edhe mbështetje të drejtpërdrejtë për dosat, ku fermerët që kanë të paktën 5 krerë përfitojnë 7 mijë lekë për çdo dosë, duke synuar zhvillimin e sektorit të blegtorisë së derrit. Ndërkohë, bletaria trajtohet si një sektor prioritar, ku jepen 20 mijë lekë për çdo zgjua për fermat me minimum 25 koshere, duke inkurajuar prodhimin e mjaltit dhe produkteve të tjera të lidhura.
Në të njëjtën kohë, skema mbështet edhe teknologjitë moderne dhe praktikat e qëndrueshme në bujqësi. Për shembull, për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera, shteti do të mbulojë deri në 70% të kostove, duke nxitur përdorimin e metodave ekologjike dhe uljen e përdorimit të pesticideve.
Fondi total i Skemës Kombëtare për vitin 2026 arrin në 5.2 miliardë lekë, ndërsa qeveria ka lënë të hapur mundësinë për rritje të mëtejshme të këtij buxheti gjatë rishikimeve të vitit. Me këtë riorganizim, synohet një mbështetje më e drejtë dhe më e drejtpërdrejtë për fermerët, duke orientuar fondet drejt prodhimit real dhe forcimit të sektorit bujqësor në vend.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 21
31/03/2620:07
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 30
31/03/2620:07
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 10
31/03/2620:07
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 18
31/03/2620:07
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 20
31/03/2620:07