Gjuetia rikthehet pas 12 vjetësh, por menaxhimi i zonave i kalon privatit
Gjuetia rikthehet pas 12 vjetësh, por menaxhimi i zonave i kalon privatit. Menaxheri privat i pyjeve, nyja më e debatueshme e ligjit të ri të gjuetisë
Ligji i ri për gjuetinë, i miratuar në dhjetor 2025, i jep fund një moratoriumi 12-vjeçar dhe synon të rregullojë aktivitetin e gjuetisë në Shqipëri përmes një modeli të ri menaxhimi. Në letër, ligji shpallet si një instrument modern për mbrojtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e qëndrueshëm të faunës së egër, e konsideruar pasuri kombëtare. Në praktikë, megjithatë, ai hap një sërë pikëpyetjesh serioze, sidomos për rolin qendror që i jep menaxherit privat të zonave të gjuetisë.

Një nga ndryshimet më thelbësore të ligjit është delegimi i menaxhimit të zonave të gjuetisë te një subjekt privat, i përzgjedhur përmes procedurave të tenderimit. Ky menaxher fiton kompetenca të gjera: nga hartimi i planit vjetor të përdorimit të faunës së egër, te përcaktimi i tarifave për përdorimin e zonës dhe vlerësimi i potencialit gjuetar të saj. Pikërisht këtu nis edhe problematika kryesore.
Ligji parashikon që gjuetia të lejohet vetëm deri në 10 për qind të shtesës natyrore të popullatës së një specieje. Por ky kufi varet drejtpërdrejt nga inventarizimi i saktë i faunës, proces që në praktikë kryhet ose mbikëqyret nga vetë menaxheri privat. Ky orientim drejt një modeli biznesi ngre dyshime për konflikt interesi, pasi rritja artificiale e shifrave të inventarit do të sillte më shumë leje gjuetie dhe, rrjedhimisht, më shumë të ardhura.
Situata bëhet edhe më problematike në rastet kur ende nuk është përzgjedhur menaxheri. Ligji nuk jep qartësi se kush e kryen inventarizimin në këtë periudhë, duke krijuar boshllëk ligjor dhe hapësirë për pasaktësi ose abuzime.
Përcaktimi i zonave të gjuetisë i ngarkohet bashkive, edhe pse dihet gjerësisht se shumica e tyre nuk kanë kapacitetet teknike, njerëzore dhe financiare për të realizuar këtë proces kompleks. Për më tepër, dispozitat kalimtare i ngarkojnë bashkitë me të gjitha përgjegjësitë e menaxherit deri në përzgjedhjen e tij, duke krijuar mbingarkesë institucionale dhe konfuzion administrativ.
Ndërkohë, ligji ndalon ushtrimin e gjuetisë pa miratimin e planit vjetor të përdorimit të zonës, i cili duhet të hartohet nga bashkitë. Kjo ose e bën praktikisht të pamundur hapjen reale të gjuetisë, duke zgjatur moratoriumin në mënyrë të tërthortë, ose krijon hapësira të rrezikshme për miratime formale dhe pa baza shkencore.
Megjithëse organizatat mjedisore nuk kanë reaguar ashpër ndaj miratimit të ligjit, duke e parë si një përpjekje për të vendosur kontroll mbi një aktivitet të ndaluar për vite me radhë, dispozitat konkrete tregojnë se rreziku i presionit mbi speciet e egra mbetet real. Sidomos në kushtet e mungesës së burimeve institucionale për monitorim në terren, fuqizimi i një menaxheri privat pa mekanizma të fortë kontrolli mund ta kthejë ligjin nga instrument mbrojtës në burim abuzimi.
Një zgjidhje e arsyeshme për të shmangur këto rreziqe do të ishte zgjatja e ndalimit të gjuetisë për një periudhë 2–3 vjeçare. Kjo kohë do të lejonte hartimin e akteve nënligjore që mungojnë, ndërtimin e një programi kombëtar të gjuetisë, përcaktimin e qartë të zonave dhe, mbi të gjitha, forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe strukturave monitoruese.
Pa transparencë, pa inventarizim të pavarur dhe pa kontroll real mbi menaxherin privat, ligji i ri për gjuetinë rrezikon të minojë përpjekjet shumëvjeçare për mbrojtjen e biodiversitetit dhe të krijojë një model menaxhimi ku interesi ekonomik mbizotëron mbi interesin publik dhe mjedisor.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 5
18/01/2618:26
Luani i Butrintit gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
18/01/2618:26
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 2
18/01/2618:26
Anija Liburna, punim në dru nga Agur Kapo
18/01/2618:26
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 14
18/01/2618:26