Euro bie, ushqimet më shtrenjtë se në Greqi, qytetarët detyrohen të blejnë në Janinë
Euro bie, ushqimet më shtrenjtë se në Greqi, qytetarët detyrohen të blejnë në Janinë. Çmimet e ushqimeve po rriten me një ritëm që po i mbyt familjet shqiptare. Në raftet e supermarketeve, çdo javë etiketa të reja, çdo javë disa lekë më shumë. Dhe kjo po ndodh në një moment kur, teorikisht, duhej të ndodhte e kundërta.

Shkurti po regjistron një nga nivelet më të ulëta të këmbimit për euron dhe dollarin. Që nga viti 2022, monedha evropiane është zhvlerësuar me afro 25%, dhe me të njëjtin ritëm ka rënë edhe dollari amerikan. Në një treg ku një pjesë e madhe e ushqimeve vjen nga importi, kjo duhet të përkthehej në çmime më të ulëta për konsumatorin shqiptar. Por realiteti në arkë tregon një histori krejt tjetër.
Ekspertët paralajmërojnë se kostot e jetesës në Shqipëri janë tashmë më të larta se në disa vende të rajonit. Ka raste kur të njëjtat produkte, nga të njëjtat kompani, shiten 20–30% më lirë sapo kalon kufirin. Bëhet fjalë për produkte identike, jo për alternativa të ngjashme.
Por situata bëhet edhe më alarmante kur krahasimi bëhet me Greqinë.
Sot, pothuajse të gjitha ushqimet në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se edhe në tregjet greke. Në zonën e Sarandës kjo është kthyer në realitet të përditshëm: shumë banorë po zgjedhin të kalojnë kufirin për të bërë pazar në Janinë apo Igoumenicë. Jo për luks, por për produkte bazë – vaj, qumësht, mish, detergjentë, fruta dhe perime, madje edhe ujë – që rezultojnë më të lira se në qytetin e tyre.
Është paradoksale që qytetarët shqiptarë të detyrohen të blejnë më lirë në një vend të Bashkimit Evropian sesa në tregun vendas, ndërkohë që valuta është zhvlerësuar ndjeshëm dhe teorikisht duhet të favorizojë importin.
Një pjesë e arsyes lidhet me sezonalitetin dhe mungesën e prodhimit vendas në këtë periudhë të vitit. Por kjo nuk shpjegon diferencat drastike të çmimeve. Kur produktet blihen më lirë jashtë dhe shiten ndjeshëm më shtrenjtë në Shqipëri, atëherë kemi të bëjmë me një diferencë që kërkon hetim serioz.
Inspektorët duhet të analizojnë faturat e importit: sa blihet produkti, sa kushton transporti, sa janë taksat dhe sa shtohet në raft. Pa këtë transparencë, qytetarët mbeten përballë një tregu që duket i pakontrolluar.
Shembulli i naftës është po aq domethënës. Me një dollar të zhvlerësuar rreth 20%, çmimi në lekë duhet të reflektonte këtë rënie. Por ulja reale nuk ndihet në xhepin e konsumatorit. E njëjta logjikë po shihet edhe tek ushqimet.
Nëse euro dhe dollari bien, por çmimet rriten, atëherë problemi nuk është tek kursi i këmbimit. Problemi është tek mënyra si funksionon tregu dhe tek mungesa e kontrollit efektiv.
Dhe kur qytetarët e Sarandës nisen drejt Janinës apo Igoumenicës për të mbushur makinën me produkte më të lira, kjo nuk është thjesht zgjedhje ekonomike. Është një alarm i hapur për ekonominë vendase dhe për standardin e jetesës në Shqipëri.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 20
13/02/2618:40
Suvenire nga Saranda – Shegë
13/02/2618:40
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 2
13/02/2618:40
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 5
13/02/2618:40
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 14
13/02/2618:40