“Është e trishtë…” – Mesazhi prekës i një fëmije për këndet e lojërave në Sarandë
“Është e trishtë…” – Mesazhi prekës i një fëmije për këndet e lojërave në Sarandë
Një nënë nga Saranda ka dërguar në Saranda Web një mesazh të veçantë, të shkruar në emër të fëmijës së saj të mitur. Përmes një rrëfimi të ndjerë, ajo përshkruan gjendjen e këndeve të lojërave në qytet dhe frikën që ndjejnë prindërit kur i çojnë fëmijët të luajnë në to.

Mesazhi vjen si një thirrje për më shumë vëmendje ndaj hapësirave publike për fëmijët dhe sigurinë e tyre.
“Është e trishtë” – Kështu thotë mami, ndërkohë që arrij të shkëputem prej duarve të saj dhe vrapoj për te këndi i lojërave në shëtitore.
Jam një fëmijë i vockël. Më pëlqen shumë të kolovitem, por nuk e kuptoj pse mami ka frikë të më çojë të loz aty. Ndoshta sepse sa herë ulem, ndiej shumë ftohtë kur trupi im i brishtë prek lisharësen e hekurt. Duart dhe këmbët më bëhen akull, por prapëseprapë nuk dua ta ndërpres lojën.
Kolovitem lumturisht aq shumë, saqë harroj se lisharësja nuk ka mbrojtëse sigurie dhe për një moment ndiej zhavorrin e ashpër të gërvishtë lëkurën time. Jam rrëzuar… Mami s’ka mundur të më kapë. Qaj shumë sepse më dhemb. Jam i trembur, por edhe shumë konfuz.
Nuk e kuptoj përse nuk shkojmë në një kënd tjetër lojërash, si ato këndet e sigurta e të bukura plot ngjyra që shoh në televizor.
Mami më kap nga dora dhe më shëtit pak më tutje. Pamja përpara syve të mi është po njësoj; pak metra më tutje është po i njëjti kënd lojërash lakuriq, si ai ku u rrëzova.
Meqenëse dje ra shi, poshtë lodrave, aty ku duhet të kishte bar, është krijuar një llucë e madhe. Një fëmijë po lëkundet dhe britmat e tij të kënaqësisë mbyten nga gërvimat e zinxhirave të lisharëses.
“Ikim këtej; kur të sjelli babi lekë, do shkojmë në një kënd lojërash privat”, thotë mami. Por unë dua të loz përditë dhe e di që ajo nuk mundet…
Përse ndihem kaq i zbrazët kur e ndiej trishtimin e saj në pamundësinë për të bërë asgjë?
“Është e trishtë”, kam filluar të mendoj edhe unë si ajo; është e trishtë sesi askush nuk përpiqet ta dëgjojë dëshirën, nevojën dhe të drejtën time për të pasur një vend loje të sigurt, siç e kanë fëmijët në të gjithë botën.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 25
16/03/2614:11
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 17
16/03/2614:11
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 8
16/03/2614:11
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 10
16/03/2614:11
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 4
16/03/2614:11