Dritëhijet e një prone, një shpërthimi dhe një arrestimi
Dritëhijet e një prone, një shpërthimi dhe një arrestimi
Pamjet e kamerave të sigurisë janë prova e vetme e policisë së Sarandës në arsyetimin e urdhër arrestit të firmosur për 36 vjecarin Sotir Çabiri, të dyshuar si autor i vendosjes së eksplozivit një ditë më parë në hotelin ku babai i tij ishte bashkëpronar. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në pamje duket i riu qe del nga hoteli vetëm 3 minuta para shpërthimit me eksploziv.
Vetë ai nuk e ka pranuar akuzën duke u shprehur se ishte në hotel për te marrë një valixhe që kishte harruar pasi do të shkonin po atë ditë familjarisht në Angli, aty ku banon prej vitesh motra e tij së bashku me bashkëshortin e fëmijët.
Ajo që përbën cudi është mënyra e vendosjes së eksplozivit, me një përpikmëri prej “xhenieri” në të paktën 5 vatra të objektit dhe jo në një, duke arritur kështu ta rrëzojë komplet objektin. Madje edhe në pamjet filmike dallohen disa shkëndija të njepasnjëshme duke të lënë të kuptosh se kanë qenë shpërthime seri. Pra pikëpyetja që ngrihet është se a ka qenë i aftë një 36 vjecar pa eksperience ushtarake apo xheniere për të vendosur e ndezur një sasi kaq të madhe eksplozivi të ndarë në 5 pjesë e të vendosur me përpikmërinë e duhur për të shembur një objekt 2 katësh me sipërfaqje 700 metra katrorë?
A ka patur të tjerë persona të përfshirë?!
I riu Çabiri nuk njihet në Sarandë si problematik, përkundrazi gëzon respektin e gjithë bashkëqytetarëve, i folur dhe i qeshur me të gjithë. Ai ka ndjekur arsimin e lartë dhe për 8 vjet, në periudhën 2014-2022, ka mbajtur prozicionin e N/Kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dega Sarandë dhe administronte një piceri në katin e parë të hotelit që u shkatërrua.
Vitet e fundit Hoteli dhe një mjedis për Fast-Food në krah të tij ishin dhënë me qera nga Çabiri. Pavarësisht kalvarit shumëvjecar të gjyqeve për pronësinë mes Spiro Çabirit, Vangjel Shtukës e grekut Dhimitër Evangjeliu, prona administrohej pikërisht nga Çabiri ndërkohë që në QKB rezulton që 60 % e ortakërisë së hotelit i takon Shtukës dhe 40 % Spiro Çabirit ndërsa administratore është bashkëshortja e këtij të fundit, Miranda.
Mëgjithatë muajt e fundit rezulton se në tratativa për ta blerë hotelit ka qenë edhe një biznesmen. Këte informacion e disponon edhe grupi hetimor, megjithatë ata nuk bëjnë me dije se me kë nga pretenduesit e pronës ai kishte hyrë në negociata, me paditësin Evangjeliu apo të paditurit Çabiri e trashëgimtarët e Shtukës së ndjerë edhe pse burime konfidenciale bëjnë me dije se Çabiri kurrsesi nuk ishte pjesë e kesaj “marrëveshje”. Madje nuk bëhet me dije nga grupi hetimor as se si kanë përfunduar këto negociata.
Ajo cka dihet nga vendimet publike gjyqësore është se edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë njohu pronar të objektit Evangjeliun dhe e detyroi këtë të fundit t’i jepte nga 46 mijë euro Çabirit dhe Shtukës, shkallët më të larta të gjyqësorit kanë vazhduar më pas ping pongun duke e rikthyer cështjen për rigjykim të paktën deri në vendimet e bëra publikë deri në tetor 2022.
Nuk dihet nëse ka pasur vendime të tjera gjyqësore pas kësaj date që mund t’i kenë dhenë të drejtë pronësie ndonjë prej palëvë ashtu sic pretendohet se mund të jetë bërë edhe shkak për ngjarjen e djeshme.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit