Drafti i amnistisë penale: Kush përfiton nga lirimi, ulja e dënimit dhe pushimi i çështjeve

04/02/2619:05

Shperndaje:

Drafti i amnistisë penale: Kush përfiton nga lirimi, ulja e dënimit dhe pushimi i çështjeve

 

Qeveria ka përgatitur një draft për amnisti penale, i cili pritet t’i paraqitet Kuvendit për miratim. Nëse ky projektligj merr dritën jeshile, mbi 10 mijë persona pritet të përfitojnë në forma të ndryshme, që nga lirimi i menjëhershëm nga burgu, ulja e dënimit, deri te pushimi i ndjekjes penale.

 

 

Sipas draftit, rreth 380 të dënuar do të lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa afro 980 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të masës së dënimit.

 

Kush përfiton lirim të menjëhershëm

 

Lirimi i menjëhershëm parashikohet për burra dhe gra të dënuar me vendim të formës së prerë, për sa kohë nuk bëjnë pjesë në kategoritë e veprave penale të përjashtuara nga ligji.

Konkretisht, nga amnistia përfitojnë burrat e dënuar me deri në 3 vite burg ose ata që, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, kanë për të vuajtur edhe deri në 3 vite burg. Po ashtu, përfitojnë gratë e dënuara me deri në 4 vite burg, si dhe ato që kanë të mbetura deri në 4 vite për të vuajtur, pavarësisht dënimit fillestar.

 

Lirim të menjëhershëm përfitojnë gjithashtu gratë që kanë mbushur moshën 50 vjeç dhe burrat mbi 60 vjeç, si edhe të gjithë personat që në momentin e kryerjes së veprës penale kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël.

Të gjitha këto kategori përfitojnë vetëm nëse nuk janë dënuar për vepra penale të përjashtuara shprehimisht nga drafti i amnistisë.

 

Ulje e dënimit për të dënuarit

 

Përveç lirimeve të menjëhershme, drafti parashikon edhe ulje të dënimit për rreth 1000 persona të tjerë. Ulja e masës së dënimit është parashikuar me 1 vit për burrat dhe me 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit.

Megjithatë, nga kjo skemë përjashtohen të dënuarit nga GJKKO, personat e dënuar me burgim të përjetshëm, ata që i janë shmangur drejtësisë, si dhe autorët e veprave të rënda penale, përfshirë vrasjen në rrethana cilësuese, vrasjen e funksionarëve publikë, vrasjen e punonjësve të policisë dhe vrasjen në familje.

 

Pushimi i ndjekjes penale për mijëra çështje

 

Një tjetër efekt i rëndësishëm i draftit të amnistisë është pushimi i ndjekjes penale për afro 9000 qytetarë. Bëhet fjalë për çështje që ndodhen ende në fazë hetimi, në gjykim ose kallëzime të paregjistruara, të cilat nuk do të vijojnë më pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Amnistia parashikon shuarjen e ndjekjes penale për veprat e kryera deri më 31 dhjetor 2025, për të cilat Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikojnë dënim deri në 3 vite burg, përjashtuar rastet kur vepra penale bën pjesë në kategoritë ndaluese.

 

Drafti pritet të diskutohet në Kuvend, ndërsa miratimi i tij do të sjellë një nga amnistitë më të gjera penale të viteve të fundit, me ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin penitenciar dhe në mijëra procese penale në të gjithë vendin.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Ardit Bido në Parlament: Tatzati, Varfaj, Vërva, Dishati, Lefterohori e Kakodhiqi duhet të lidhen me rrugë për banorët & turizmin
Drafti i amnistisë penale: Kush përfiton nga lirimi, ulja e dënimit dhe pushimi i çështjeve
Banorët pa drita, OSHEE u përgjigjet me tallje: Do të keni kur të vijë behari
Ardit Bido në Parlament: Të nisë projekti nga Tatzati, Saranda dhe Delvina s’mund të lihen më pa ujë
Pas denoncimit në Saranda Web, rifillojnë punimet për korrigjimin e kanalit në Delvinë
Sallon estetik SILVI në Ksamil kërkon Estetiste për manikyr & pedikyr

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.