Do presim Venecian/ Qeveria tërhiqet përballë mediave

30/01/2011:43

Shperndaje:


Mazhoranca e kryeministrit Edi Rama bëri një hap pas nga votimi për herë të dytë i së ashtuquajturës paketa “antishpifje” të enjten, në pritje të një opinioni nga Komisioni i Venecias për projektligjet kontroverse.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi nga foltorja e Parlamentit se Komisioni i Venecias kishte vendosur që t’i shqyrtonte me procedurë të përshpejtuar projektligjet për median online dhe informoi deputetët se votimi për dekretet e Presidentit do të shtyhej.

“Dua t’u informoj se sapo më ka ardhur një komunikim nga Komisioni i Venecias, që ka pranuar të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar në sesionin e 21 marsit. Gjatë muajit shkurt, përfaqësues të Komisionit të Venecias do të vijnë në Tiranë për të dialogur me ne, me këdo. Votimi i dekretit për mediat audiovizive, diskutimi për të të shtyhet, deri sa Komisioni i Venecias të na sjellë raportin e vet më 20-21 mars,” tha Balla.

Dy projektligjet e qeverisë për kontrollin administrativ të medias online u miratuan mes protestës dhe kundërshtive në seancën e fundit parlamentare për vitin 2019, por u rikthyen në Kuvend si ligje antikushtetuese nga presidenti Ilir Meta.

Komisioni Europian ka deklaruar prerazi se projektligjet për median nuk janë në përputhje me rekomandimet e Brukselit, ndërsa Komisioni Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e dërgoi draftin “Për mediat audiovizive” në Komisionin e Venecias –institucion që ka zëvendësuar Gjykatës Kushtetuese për disa nga çështjet më të nxehta në vend.

Të enjten, disa nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes përsëritën thirrjet drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të tij socialistë të mos shtyjnë përpara një paketë kontroverse ligjes të prezantuara nga Rama si “paketë antishpifje” por të vlerësuara nga kritikët si ligje censure të medias. Në një seri mesazhesh në rrjetet sociale, Article 19, Federata Europiane e Gazetarëve, dhe Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit përdorën gjuhë të ashpër kundër ligjeve, të cilat, socialistët thonë se kanë vendosur t’i votojnë sot përfundimisht.

Ricardo Gutiérrez, sekretar i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve, organizata që përfaqëson dhjetëramijëra profesionistë të medias në kontinent, i konsideroi ligjet “të turpshme”.

“Sapo raportuam në Komisionin Europian mbi kërcënimin ndaj lirisë së shprehjes në Shqipëri,” shkroi ai në Tëitter. “Mesazhi ynë për Kryeministrin Edi Rama: Mos vijo përpara me këto ligje të turpshme censure në parlament sot. Të gjithë demokratët e kanë denoncuar atë”.

Gutiérrez shkoi më tutje duke i bërë thirrje Komisionit Europian “të ndalojë negociatat për anëtarësim me një qeveri që po dhunon standardet ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes”.

Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit ECPMF mbështeti deklaratën e mëparshme të eurodeputetit David Lega i cili tha se miratimi i projektligjeve përbën një rrezik të madh për shanset e Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Article 19, një organizatë tjetër për mbrojtjen e lirisë së shprehjes shtoi: “Ne nxisim kryeministrin Edi Rama të ndalojë përpjekjet për “paketën antishpifje” deri sa Komisioni i Venecias të ketë publikuar opinionin e tyre mbi ndryshimet e propozuara në ligjet e medias.”


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.