Bonusi mujor i pensioneve pritet të dyfishohet në 2027, cilat janë kategoritë që përfitojnë 220 milionë euro?
Pensionistët parashikohet të marrin një bonus mujor të dyfishuar nga janari i vitit 2027, krahasuar me atë të vitit 2026. Fondi i planifikuar për këtë mbështetje arrin në afro 20 miliardë lekë, ndërsa shuma që do të përfitojë secili pensionist do të varet nga lloji dhe masa e pensionit.
Për përfituesit e pensionit të plotë urban, me pension deri në 40 mijë lekë në muaj, bonusi parashikohet të jetë 3 600 lekë në muaj. Kjo kategori do të marrë shumën më të lartë të mbështetjes mujore.
Pensionistët e fshatit, pensioni i të cilëve nuk kalon 18 mijë lekë në muaj, parashikohet të përfitojnë 2 000 lekë bonus mujor. Për ata që marrin pension të pjesshëm urban deri në 22 mijë lekë, bonusi do të jetë 1 600 lekë në muaj.
Përfituesit e pensioneve familjare deri në 18 mijë lekë në muaj do të mbështeten me 1 400 lekë bonus mujor. Ndërsa për pensionet e invaliditetit, që nuk tejkalojnë 30 mijë lekë në muaj, shuma e parashikuar është 1 200 lekë në muaj.
Kufijtë e pensionit do të përcaktojnë edhe të drejtën e përfitimit. Pensionistët që marrin një pension mbi tavanin e vendosur për kategorinë e tyre nuk do të përfshihen në këtë skemë bonusi.
Krahas bonusit mujor, për vitin 2027 parashikohet edhe një fond prej 4 miliardë lekësh për indeksimin e pensioneve. Zbatimi i indeksimit planifikohet të nisë në prill, tre muaj më herët nga sa ishte parashikuar. Ai do të jetë një masë më vete nga bonusi mujor. Saranda Web