Bashkia Sarandë hap tender mbi 300 mijë euro për rehabilitimin e terreneve sportive në pesë shkolla
Bashkia Sarandë hap tender mbi 300 mijë euro për rehabilitimin e terreneve sportive në pesë shkolla
Bashkia Sarandë ka hapur një procedurë tenderimi me vlerë rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH, ose mbi 300 mijë euro, për rehabilitimin dhe rikonstruksionin e terreneve sportive në disa institucione arsimore të qytetit dhe zonave përreth.

Sipas dokumentacionit të projektit, tenderi pritet të zhvillohet më 1 qershor, ndërsa synimi është që ndërhyrjet të përfundojnë në kohë për fillimin e vitit të ri shkollor. Projekti përfshin ndërhyrje në gjimnazin Hasan Tahsini, shkollën 9-vjeçare Adem Sheme, shkollën 9-vjeçare 9 Tetori, shkollën në lagjen Gjashtë dhe shkollën 9-vjeçare në Çukë.
Nga përshkrimet teknike rezulton se një pjesë e mirë e terreneve sportive ndodhen në gjendje të amortizuar, me mungesë ndriçimi, rrjetash mbrojtëse, tapetesh sportive dhe infrastrukturë të dëmtuar. Në disa raste, aktivitetet sportive zhvillohen ende mbi sipërfaqe betoni, të cilat konsiderohen të papërshtatshme për zhvillimin normal të edukimit fizik.
Në shkollën “Adem Sheme”, dokumentet evidentojnë se oborri aktual mbetet një hapësirë e pashfrytëzuar për sport, ndërsa aktivitetet zhvillohen në kushte jo të përshtatshme. Projekti parashikon krijimin e një fushe basketbolli dhe rehabilitimin e zonës përreth, me synimin për të rritur aktivitetet sportive për nxënësit.
Edhe fusha sportive në shkollën “9 Tetori” paraqitet me problematika të shumta. Sipas inspektimeve, terreni ka nevojë për tapet dhe vijëzim të ri, ndërsa janë evidentuar mungesa në ndriçim, dëmtime të rrjetave dhe të koshave të basketbollit. Projekti parashikon edhe krijimin e ulëseve në zonat ku aktualisht ndodhen bordurat ekzistuese.
Gjendja më problematike duket se paraqitet në gjimnazin “Hasan Tahsini”, ku raporti teknik evidenton degradim të tre terreneve sportive ekzistuese. Fusha e basketbollit ka nevojë për riparime të tapetit, ulëseve dhe rrjetave anësore, ndërsa dy fushat e futbollit kërkojnë nivelim të plotë, shtrim të ri, sistemim të zonave përreth dhe instalim të ndriçimit e rrjetave mbrojtëse. Projekti përfshin gjithashtu zëvendësimin e pajisjeve sportive dhe shtimin e elementëve të rinj për aktivitete fizike.
Ndërhyrje janë planifikuar edhe në shkollën e Çukës, ku terreni aktual përdoret për aktivitete sportive, por nuk plotëson kushtet e nevojshme. Projekti synon transformimin e hapësirës në një terren sportiv funksional, me nivelim të sipërfaqes, ndriçim, rrjeta mbrojtëse dhe sistemim të zonave të gjelbëruara përreth.
Në shkollën 9-vjeçare në lagjen Gjashtë, aktivitetet sportive zhvillohen aktualisht në një oborr të shtruar me beton. Sipas projektit, në anën perëndimore të oborrit do të krijohet një fushë basketbolli e re, e cila pritet të përmirësojë kushtet për zhvillimin e edukimit fizik dhe aktiviteteve sportive për nxënësit.
Investimi vjen në një periudhë kur infrastruktura sportive në shkollat e Sarandës është kritikuar shpesh nga prindër dhe nxënës për mungesën e kushteve bazë. Mbetet për t’u parë nëse procedura do të realizohet sipas afateve të parashikuara dhe nëse terrenet do të jenë funksionale në nisje të vitit të ri shkollor. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 5
26/05/2620:49
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 28
26/05/2620:49
Luani i Butrintit gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
26/05/2620:49
Suvenire nga Saranda
26/05/2620:49
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 18
26/05/2620:49