Adem Daci përjetësohet në Sarandë: Qendra Kulturore e Fëmijëve do mbajë emrin e kitaristit legjendar
Adem Daci përjetësohet në Sarandë: Qendra Kulturore e Fëmijëve do të mbajë emrin e kitaristit legjendar
Adem Daci nderohet nga qyteti i Sarandës, duke i dhënë emrin e tij Qendrës Kulturore të Fëmijëve – një akt mirënjohjeje dhe kujtese për një nga figurat më emblematike të muzikës qytetare dhe estradës sarandjote. Ky vendim është jo vetëm një nderim institucional, por mbi të gjitha një përkulje shpirtërore ndaj një artisti që i dha qytetit tonë tingull, shpirt dhe fisnikëri njerëzore.

Adem Daci, kitaristi emblemë i Estradës së Sarandës, njeriu i urtë dhe i butë, me rrënjë nga Përmeti, erdhi në Sarandë në fillimin e viteve ’70 dhe u bë menjëherë pjesë e pandarë e jetës artistike të qytetit. Ai erdhi pa bujë, por la gjurmë të pashlyeshme. Iku po ashtu në heshtje nga kjo jetë, por la pas një trashëgimi të rrallë muzikore dhe njerëzore.
Kur Adem Daci mbërriti nga Përmeti, një grup dashamirësish të muzikës – aktorë dhe instrumentistë të Kinoteatrit të asaj kohe – e rrethuan në skenë dhe i kërkuan të luante diçka. Deri atëherë, në Sarandë nuk ishte dëgjuar kurrë një kitarë elektrike. Ademi kishte sajuar vetë një të tillë: me magnet mbi rrethin e kitarës së drunjtë dhe një altoparlant të vogël, nisi t’i binte telave. Dhe aty ndodhi magjia.
Tingulli që doli ishte i ëmbël, i rrumbullakosur, si i veshur me një cohë të butë kadifeje. Një tingull që nuk e kishte dëgjuar askush më parë. Ata që luanin vetë kitarë në atë kohë, mbetën pa fjalë. Krahasimet u bënë të pamundura. Adem Daci ishte një magjistar i vërtetë. Gishti i tij i butë mbi tela nxirrte vetëm tinguj të ëmbël, të ngrohtë, plot shpirt. Një duarartë i rrallë.
Kulmi erdhi kur ai nisi të interpretonte melodinë e njohur të kohës, “Brumbulli”. Shpejtësia, dinamika, saktësia dhe eleganca e ekzekutimit ishin të jashtëzakonshme. Gishti i tij “vraponte” mbi tastierë. Ishte fat për Estradën e Sarandës që Adem Daci erdhi në atë qytet. U punësua menjëherë dhe shumë shpejt u bë instrumentisti VIP i saj.
Në një kohë kur Shqipëria kishte pak kitaristë të nivelit të lartë, Adem Daci u rendit natyrshëm mes më të mirëve. Krahasohej me emra të mëdhenj të skenës kombëtare, si Alfons Balliçi, i vlerësuar si ndër më të mirët për shpejtësinë e lojës. Por Ademi ishte “diçka tjetër”: jo vetëm i shpejtë, por mbi të gjitha i ëmbël. Tingulli i tij ishte i veshur, i ngrohtë, kurrë i thatë apo i vrazhdë. Pas Alfonsit, vështirë se Shqipëria e asaj kohe pati një kitarist më të mirë se Adem Daci.
Ai ishte mjeshtër i ekzekutimit të partiturave më të vështira dhe çdo solo e tij në premierat e shumta të estradës shoqërohej pa përjashtim me bis nga publiku. Përveç interpretimit brilant, Adem Daci kompozoi edhe shumë këngë të bukura, duke u kthyer në një nga muzikantët më të padiskutueshëm të Sarandës.
Por përtej talentit të jashtëzakonshëm, ajo që mbetet thellë në zemrat e atyre që e njohën ishte natyra e tij njerëzore: i butë, i urtë, i pabezdisur, qytetar i vërtetë, mik dhe shok i rrallë. Një njeri që nuk kërkoi kurrë vëmendje, por që e fitoi përjetësisht respektin.
Adem Daci u nda nga jeta më 12 janar 2022, në moshën 77-vjeçare. Kitarja e tij ende “tingëllon” në kujtesën e qytetit, gishti i tij mbi tela ende vibron në kujtimet e atyre që patën fatin ta dëgjojnë e ta njohin.
Vendosja e emrit Adem Daci Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Sarandë është një akt dinjitoz dhe domethënës: një emër mjeshtri për një institucion që do të ushqejë breza të rinj me art, muzikë dhe kulturë. Sepse disa tinguj nuk shuhen kurrë. Dhe disa emra, si Adem Daci, mbeten përjetë.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit