90 mijë pensionistë mbeten pa bonus në janar, Ministria e Ekonomisë: do rishikojmë skemën

21/02/2614:53

Shperndaje:

Afro 90 mijë pensionistë nuk kanë përfituar bonusin mujor gjatë muajit janar, sipas të dhënave zyrtare mbi zbatimin e skemës së kompensimit. Nga rreth 762,740 pensionistë që ka Shqipëria, vetëm 672,982 prej tyre kanë marrë bonus, ndërsa rreth 12% kanë mbetur jashtë.

 

 

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e përfituesve nuk kanë marrë shumën maksimale. Vetëm 33% e tyre kanë përfituar bonusin prej 1,800 lekësh, ndërsa pjesa tjetër ka marrë shuma më të ulëta, në varësi të llojit dhe vlerës së pensionit.

 

Sipas kritereve aktuale, bonusi mujor ndahet në disa kategori:

 

  1. 1,800 lekë për pensionistët urbanë me vite të plota pune, që marrin deri në 40,000 lekë në muaj.
  2. 800 lekë për pensionistët urbanë me pension të pjesshëm, deri në 22,000 lekë në muaj.
  3. 1,000 lekë për pensionistët ruralë, me pension deri në 18,000 lekë në muaj.
  4. 600 lekë për kategori të tjera që marrin deri në 30,000 lekë.
  5. 700 lekë për përfitues që marrin deri në 18,000 lekë.

 

Këto tavane krijojnë situata penalizuese për disa qytetarë. Për shembull, një pensionist rural që merr 17,500 lekë në muaj nuk përfiton bonusin e plotë prej 1,000 lekësh, por vetëm 500 lekë, pasi me shtesën do të kalonte kufirin maksimal prej 18,000 lekësh të vendosur nga qeveria. Pra, skema nuk lejon tejkalimin e tavanit, edhe nëse diferenca është minimale.

 

Pse mbeten 90 mijë jashtë?

 

  • Mbi 36 mijë pensionistë që marrin më shumë se 40,000 lekë në muaj nuk janë përfshirë në skemë.
  • Rreth 54 mijë të tjerë janë penalizuar për shkak të formulës së llogaritjes dhe kufijve të vendosur.

Në total, kjo përbën afro 90 mijë qytetarë që nuk morën bonus në janar.

 

Nëse skema mbetet në të njëjtën formë, numri i pensionistëve që do të mbeten jashtë pritet të rritet deri në vitin 2027, kur parashikohet dyfishimi i vlerave mujore të bonusit.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se skema do të rishikohet në kuadër të reformës së sigurimeve shoqërore dhe analizës së politikave sociale. Megjithatë, është theksuar se kufiri maksimal prej 40,000 lekësh do të mbetet në fuqi.

 

Sipas Ministrisë, rishikimi i fashave dhe masës së kompensimit do të varet nga:

  • ecuria e inflacionit
  • qëndrueshmëria financiare e skemës
  • rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë

 

Ndërkohë, qeveria ka përfshirë në planin e saj edhe shpërblimin e fundvitit për pensionistët, i cili pritet të miratohet brenda vjeshtës së këtij viti.

 

Skema aktuale ka hapur debat për mënyrën e aplikimit të tavaneve dhe efektin real që ka tek pensionistët me të ardhura pranë kufijve të vendosur, duke lënë jashtë ose duke reduktuar përfitimin për mijëra qytetarë.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

90 mijë pensionistë mbeten pa bonus në janar, Ministria e Ekonomisë: do rishikojmë skemën
Skandal në Ksamil / Deti mbushet me baltë, bota nënujore dhe muzeu në rrezik – VIDEO
I shpëtoi flakëve, përmbytja mbulon me gurë një shtëpi në Kopaçez – VIDEO
Ministrja e Brendshme: Monopatinat do të lejohen sërish, por me rregullore dhe masa sigurie
Dhunoi dhe kanosi efektivin e Policisë Bashkiake Sarandë, 19-vjeçari shpallet në kërkim
Eksportet e mandarinave të Konispolit, analizat do të kryhen në pikat kufitare

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.