350 banorë të Delvinës peticion kundër Terminalit, të lejohet hyrja në qytet
350 banorë të Delvinës peticion kundër Terminalit, të lejohet hyrja në qytet. Bashkia Sarandë hesht
Terminali i ri i autobusëve në Sarandë, që prej nisjes së funksionimit, ka sjellë një sërë problematikash për qytetarët që përdorin transportin ndërqytetës. Një prej rasteve ku pakënaqësia është shndërruar tashmë në reagim të organizuar është linja Sarandë–Delvinë, për të cilën rreth 350 qytetarë kanë firmosur një peticion duke kërkuar rishikimin e zhvendosjes së stacionit në terminal.

Për banorët e Delvinës që udhëtojnë drejt Sarandës, zhvendosja nuk është thjesht ndryshimi i vendit ku ndalon autobusi. Terminali ndodhet larg qendrës dhe për shumë prej tyre udhëtimi nuk përfundon më me mbërritjen në Sarandë. Pasagjerët duhet të sigurojnë një tjetër mjet transporti për të vazhduar drejt qendrës dhe zonave të tjera të qytetit, duke u përballur me më shumë kohë, pritje dhe kosto shtesë.
Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm për të moshuarit, personat me vështirësi në lëvizje dhe qytetarët që e përdorin rregullisht këtë linjë për punë, shërbime apo nevoja të tjera.
Situata rëndohet edhe nga problematikat e transportit urban drejt terminalit, ku qytetarët kanë ngritur shqetësime për pritjet dhe mungesën e informacionit të qartë mbi oraret.
Operatorët dhe qytetarët kërkojnë rikthimin e stacionit
Përballë situatës së krijuar, operatorët e linjës Sarandë–Delvinë iu drejtuan zyrtarisht Bashkisë Sarandë që më 8 korrik 2026.
Kërkesa, e regjistruar me nr. protokolli 5685, kërkon rishikimin e vendimit për zhvendosjen e stacionit, duke argumentuar se vendndodhja e re ka krijuar probleme aksesueshmërie, distancë më të madhe nga qendra dhe kosto shtesë për qytetarët, por edhe pasoja ekonomike për operatorët e licencuar.
Kërkesa e tyre kryesore është që stacioni i linjës Sarandë–Delvinë të rikthehet në një pikë më të aksesueshme për qytetarët ose, nëse kjo nuk realizohet, Bashkia të përcaktojë një alternativë funksionale që të lehtësojë lëvizjen e pasagjerëve.
Operatorët kërkojnë gjithashtu që Bashkia të tregojë mbi çfarë baze ligjore dhe administrative është marrë vendimi për zhvendosjen, si dhe t’u vendosë në dispozicion aktin përkatës dhe dokumentacionin që ka shërbyer për këtë vendimmarrje.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kërkesa për të mësuar nëse përpara zhvendosjes është kryer ndonjë studim apo vlerësim i ndikimit te qytetarët, përfshirë aksesueshmërinë e terminalit për të moshuarit dhe kategoritë vulnerabël.
Nëse një analizë e tillë ekziston, operatorët kërkojnë që ajo të bëhet e disponueshme.
Rreth 350 qytetarë firmosin kundër situatës së krijuar
Pakënaqësia nuk ka mbetur vetëm te operatorët.
Pas kërkesës së 8 korrikut, rreth 350 qytetarë firmosën një peticion, i cili iu dorëzua Bashkisë Sarandë.
Numri i firmave tregon se çështja nuk mund të reduktohet në një interes ekonomik të kompanive që operojnë linjën. Problemi prek drejtpërdrejt një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve që lëvizin mes Delvinës dhe Sarandës.
Për këtë arsye kërkohet edhe organizimi i një dëgjese mes Bashkisë Sarandë, operatorëve dhe qytetarëve, ku palët të dëgjohen dhe të diskutohet një zgjidhje konkrete.
Në thelb, kërkesa është që vendimi të rishikohet duke marrë parasysh jo vetëm organizimin e terminalit, por edhe interesin praktik të njerëzve që përdorin transportin.
Pas kërkesës dhe 350 firmave, Bashkia Sarandë nuk përgjigjet
Por ndërsa qytetarët kanë firmosur, operatorët kanë protokolluar kërkesën dhe kanë kërkuar dialog institucional, nga Bashkia Sarandë, sipas tyre, nuk ka ardhur asnjë përgjigje zyrtare e shkruar dhe e arsyetuar.
Kërkesa mban datën 8 korrik 2026. Pas saj është depozituar peticioni me rreth 350 firma. Megjithatë, përfaqësuesit e linjës deklarojnë se asnjëri prej dokumenteve nuk ka marrë përgjigje.
Pikërisht kjo heshtje ka sjellë tashmë një kërkesë-ankesë të re për mospërgjigje dhe mosveprim administrativ, drejtuar kryetarit të Bashkisë Sarandë nga Roland Zani, në cilësinë e përfaqësuesit të operatorëve të linjës Sarandë–Delvinë.
Këtë herë kërkesa nuk është vetëm për stacionin.
Kërkohet edhe përgjigje përse Bashkia nuk është përgjigjur.
Bashkia Sarandë mund të ketë argumentet e saj për përqendrimin e linjave ndërqytetëse në terminal. Mund të vlerësojë gjithashtu se vendimi për linjën Sarandë–Delvinë nuk duhet ndryshuar.
Por ajo që bëhet e vështirë për t’u justifikuar është mungesa e një përgjigjeje ndaj qytetarëve që kanë ndjekur rrugën institucionale për të kundërshtuar një vendim
Nëse stacioni duhet të qëndrojë në terminal, Bashkia duhet të shpjegojë pse.
Nëse ekziston një vendim, duhet të tregojë aktin.
Nëse është kryer një studim mbi aksesueshmërinë dhe ndikimin te qytetarët, duhet ta bëjë të ditur.
Dhe nëse rreth 350 qytetarë kërkojnë rishikimin e situatës, institucioni minimalisht duhet t’i dëgjojë dhe t’u përgjigjet.
Sepse 350 firma nuk janë thjesht një numër në një peticion. Ato përfaqësojnë qytetarë që po thonë se mënyra aktuale e organizimit të transportit ua ka vështirësuar jetën e përditshme.
Në ankesën e fundit të operatorëve kjo situatë përmblidhet në një fjali të qartë:
“Heshtja e administratës nuk mund të zëvendësojë një vendimmarrje të arsyetuar.”
Tashmë është radha e Bashkisë Sarandë të tregojë nëse do të dëgjojë shqetësimin e ngritur nga qindra qytetarë, apo do të vazhdojë ta trajtojë atë me heshtje. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 16
21/08/269:15
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 6
21/08/269:15
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 26
21/08/269:15
Pelikani i Butrintit – Imitim mozaiku i Butrintit, punim nga Agur Kapo
21/08/269:15
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 15
21/08/269:15