Tatimet sqarojnë bizneset/ Sipërmarrësit që s’kanë kontratë qiraje do t’u mbahet tatim në burim
Tatimet sqarojnë bizneset/ Sipërmarrësit që s’kanë kontratë qiraje për zyrën do t’u mbahet tatim në burim
Administrata Tatimore ka publikuar një sqarim të gjatë në formën e pyetje-përgjigjeve për bizneset lidhur me çështjen e depozitimit të dokumentave të pronësisë apo kontratave të qirasë për vendin ku ushtrojnë aktivitetin. Sipas tatimeve depozitimi i këtyre dokumentave është detyrim ligjor tashmë dhe bizneseve, të cilat nuk ngarkojnë as dokumentin e pronësisë as kontratën e qirasë të ambientit ku zhvillojnë aktivitetin, do t’u llogaritet tatim në burim sipas metodave alternative.
Sqarimi
1. Kërkoj të marr me qira një ambient nga një individ që nuk ka dokumentin e pronësisë së këtij ambienti. Cili është dokumenti që duhet të ngarkoj në dosjen time apo të dërgoj në Administratën Tatimore, pasi kontrata tek noteri nuk kryhet në këtë rast?
Dispozitat ligjore rregulluese me karakter të përgjithshëm nuk e ndalojnë lidhjen para noterit të një marrëveshje/kontrate për shfrytëzimin e ambienteve të dikujt tjetër kundrejt pagesës për qëllime tregtare nëse poseduesi i ligjshëm i ambienteve nuk disponon dokument pronësie. Nenet 801 e vijues të Kodit Civil, nuk parashikojnë që dokumenti i pronësisë (regjistrimi në kadastër) të jetë kusht për lidhjen e kontratës. E domosdoshme është vetëm që qiradhënësi të jetë posedues i ligjshëm i pasurisë së paluajtshme që po jepet me qira.
2. Jam një person fizik që ushtroj aktivitetin privat në ambientin që është në pronësinë time me akt të rregullt të regjistruar në ASHK. A është e mjaftueshme që të ngarkoj dhe dërgoj në Administratën Tatimore vetëm dokumentacionin e pronësisë së objektit?
Po, në këtë rast mjafton të ngarkoni dhe dërgoni pranë Administratës Tatimore dokumentacionin e pronësisë së objektit.
3. Jam një person fizik që ushtroj aktivitetin privat në ambientin që është në pronësi të prindërve të mi që bashkëjetoj dhe jam në të njëjtën certifikatë familjare. A është e mjaftueshme që të ngarkoj dhe dërgoj në Administratën Tatimore vetëm dokumentacionin e pronësisë së objektit? Nëse duhet të veproj ndryshe, më sqaroni, si duhet të veproj?
Po, në këtë rast mjafton të ngarkoni dhe dërgoni pranë Administrates Tatimore dokumentacionin e pronësisë së objektit.
4. Po në rastin kur pronësia e ambientit është në emër të prindërve të mi, por unë nuk bashkëjetoj me ta dhe nuk jam në një certifikatë familjare, si duhet të veproj dhe çfarë dokumentacioni do të ngarkoj dhe dërgoj në AT?
Rasti i sipërcituar në kuptim të ligjit do të vlerësohet si qiradhënie. Nëse midis jush dhe personit të lidhur nuk ka një marrëveshje shkresore atëherë pranë AT do të depozitohen certifikata hipotekore e ambientit dhe një dokument provues për lidhjen tuaj me pronarin e ligjshëm (certifikatë e trungut familjar, vetëdeklarim etj). Gjithsesi në këtë rast, subjekti tatimpagues duhet të llogarisë dhe paguajë vlerën referuese të tatimit në burim.
5. A do të njihen si dokument justifikues pronësie, kontratat e sipërmarrjes të pa regjistruara në ASHK, pasi objekti/et nuk janë hipotekuar akoma në ASHK?
Kontratat e sipërmarrjes të pa regjistruara në ASHK duhet të shoqërohen edhe me dokumentacion plotësues që të njihen si dokument justifikues për pronësinë si p.sh: kontratat për energji elektrike, ujë të pijshëm etj.
6. Jam një tatimpagues që punoj online, nuk kam një vend ushtrimi aktiviteti fiks dhe shërbimin e kontraktuar e ofroj nga vendndodhje të ndryshme (p.sh: nga bar kafe). Në momentin e regjistrimit kam vendosur adresën e shtëpisë apo adresën e zyrës së kontabilistit. Çfarë dokumenti duhet të ngarkoj në sistem në këtë rast?
Referuar legjislacionit tatimor në fuqi “vendi i biznesit” është vendi i administrimit efektiv të biznesit. Tatimpaguesi duhet të ngarkojë në sistem dokumnetacionin lidhur me marrëdhënien ligjore me këtë vend biznesi të deklaruar edhe si adresë kryesore të ushtrimit të aktivitetit.
7. E-tax nuk na mundëson deklarimin e saktë të kontratës së qirasë kur janë më shumë se 1 qiradhënës në një kontratë, apo kur janë më shumë se një pronar në certifikatën e pronësisë. Si mund të veprojmë në rastet e mësipërme dhe a është e mundur përmirësimi i sistemit për të lejuar ngarkimin e dukumentit?
Të dhëna të cilat duhet të përcaktohen qartë në deklarim janë: adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja në metër katror, dhe vlera mujore e qirasë së objektit. Për të dhënat e tjera deklarimi mund te bëhet edhe vetëm për një qiradhënës nëse janë disa apo të deklarohet në formular edhe vetëm njëri nga pronarët, pavarësisht nëse janë disa.
8. Në rast se dy tatimpagues punojnë në të njëjtin ambient pune dhe kontrata e qirasë është lidhur në emrin e një subjekti dhe pagesa e ambientit bëhet po nga ai subjekt, por subjekti tjetër figuron pa asnjë lloj dokumentacion qiraje. Si veprohet në këto raste dhe çfarë dokumentacioni do të ngarkojë secili tatimpagues?
Dispozitat ligjore rregulluese lejojnë edhe mundësinë e nënkontraktimit apo nënshkrimit të një marrëveshje me poseduesin real të ambientit. Sjellim në vëmendje se, në rastin kur tatimpaguesi ka deklaruar se ushtron aktivitet në një ambient respektiv por nuk paguan qira, nga ana e DRT respektive do të përllogaritet vlera e tatimit në burim për këtë ambient bazuar në dispozitat e sipërcituara, duke përdorur metodat alternative të vlerësimit, të parashikuara në nenet 71 dhe 72, të Ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008, “Për Procedurat Tatimore në RSH” i ndryshuar.
9. Jam një individ që i kam dhënë me qira një ambient për ushtrim aktiviteti një tatimpaguesi. Tatimpaguesi më ka mbajtur tatim në burim, por nuk e ka paguar. Në momentin e deklarimit të DIVA si do ta deklaroj tatimin për këtë të ardhur, të paguar apo jo? Si duhet ta zgjidh këtë problem?
Në rastin e qiradhënies ku përfituesi i qirasë është individ dhe qiramarrësi subjekt tatimpagues, detyrimin për të përllogaritur dhe paguar tatimin në rolin e agjentit tatimor e ka tatimpaguesi. Është detyrim i administratës tatimore verifikimi, penalizimi dhe marrja e masave shtrënguese nëse agjenti i tatimit në burim mban, por nuk paguan tatimin e mbajtur. Nuk është detyrim i individit verifikimi nëse tatimi është paguar ose jo.
10. Jam një individ që kam dhënë dy ambiente me qira, njërin ja kam dhënë një personi fizik/tp të regjistruar për ushtrim aktiviteti privat dhe njërin një individi për banim. Për të ardhurat që marr, si do të kryej deklarimet vjetore dhe si do ta paguaj tatimin në bazë të ligjit?
Deklarata e të ardhurave personale (DIVA) të jep mundësinë për të ndarë tatimin e paguar dhe tatimin e papaguar për totalin e të ardhurave të realizuara. Individi mbart detyrimin për të deklaruar të ardhurat totale, tatimin e paguar dhe tatimin e papaguar duke paguar vetëm këtë të fundit.
11. Jam një person fizik i regjistruar që kam marrë një ambient nga një individ me të drejtën e shfrytëzimit të ambienteve në pronësi të tij me anë të një kontrate huapërdorje apo marrëveshje tjetër, në përdorim, pa pagesë (falas). Cili është dokumenti që duhet të ngarkoj dhe dërgoj në AT dhe a jam i detyruar të paguaj detyrime tatimore për këtë rast?
Dokumenti që duhet të ngarkoni është dokumenti mbi bazën e të cilit shfrytëzoni ambientin. Për qëllime tatimore këto lloj marrëveshjesh nga ana e Administratës Tatimore janë konsideruar kontrata qiraje me vlerë zero ose pa vlerë dhe Administrata Tatimore mbart detyrimin për t’i rivlerësuar. Në rastin kur tatimpaguesi ka deklaruar se ushtron aktivitet në një ambient respektiv, por nuk paguan qira, nga ana e DRT respektive do të përllogaritet vlera e tatimit në burim për këtë ambient bazuar në dispozitat e sipërcituara, duke përdorur metodat alternative të vlerësimit, të parashikuara në nenet 71 dhe 72, të Ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008, “Për Procedurat Tatimore në RSH” i ndryshuar.
12. Jam një person fizik i regjistruar dhe ushtroj aktivitet tregtar në qytetin e Tiranës. Si individ kam në pronësi dhe disa banesa (regjistruar në ASHK në emrin tim). Këto banesa i jap me qira dhe dëshiroj që të ardhurat nga qiraja t’i deklaroj si të ardhura biznesi në emër të personit fizik të regjistruar. Çfarë procedure duhet të ndjek për t’i përfshirë të ardhurat në biznesin si person fizik? Cili është dokumentacioni që duhet të dërgoj në AT?
Referuar rastit konkret, AT ka kërkuar të dhëna lidhur me adresën ku PF kryen aktivitetin (selinë kryesore apo sekondare). Lidhur me pyetjen tuaj sqarojmë se, në Udhëzimin nr 26, datë 08.09.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, në gërmën d) të pikës 13, parashikohet se janë të ardhura nga biznesi.
d) Të ardhurat nga dhënia me qira e një biznesi, pavarësisht se qiradhënia i përfshin të gjitha apo një pjesë të aktiveve të trupëzuara apo të patrupëzuara. Shembull. Një tatimpagues, person fizik tregtar, apartamentin e tij në katin e parë e ka shndërruar në dyqan, e ka regjistruar në Agjencinë e Kadastrës si të tillë dhe e ka futur si kontribut, pjesë të aktiviteteve të biznesit që ushtron. Nëse ky tregtar, një pjesë të dyqanit e jep me qira për një tregtar apo të vetëpunësuar tjetër, të ardhurat nga qiraja do të konsiderohen pjesë e të ardhurave të biznesit të tij. Por nëse ai jep me qira një apartament tjetër që ka në pronësi si individ, të ardhurat që siguron nga kjo qiradhënie konsiderohen të ardhura individuale nga qiradhënia, tatohen sit ë tilla dhe nuk kanë lidhje me biznesin e tregtarit.
13. Si veprohet në rastin kur për të njëjtin ambient një individ ka më shumë se 1 kontratë qiraje pasi në këtë ambient punojnë disa subjekte/tatimpagues? Çfarë dokumentesh justifikues duhet të mbajë apo administrojë individi si tatimpagues në rastin që ai duhet të bëjë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale?
Individi posedues i ambientit duhet të disponojë kontrata të rregullta me çdo tatimpagues qiramarrës dhe të deklarojë vlerën totale të të ardhurave vjetore të realizuara. Detyrimin për të mbajtur dhe paguar tatim në këtë rast e kanë subjektet tatimpagues qiramarrës.
14. A është e mundur që çmimi i qirasë të vendoset dhe deklarohet edhe në monedhën në të cilën lidhet marrëveshja e qirasë dhe jo vetëm në monedhën vendase?
Nuk ka pengesë ligjore nëse çmimi i qirasë vendoset dhe deklarohet në valutë të huaj.
15. Në rastet kur tatimpaguesi ka ambientin me qira dhe kontratën për energjinë dhe ujin e ka pronari i ambientit, a ka problem në ngarkimin e të dhënave në sistem kur do t’i regjistrojmë apo ngarkojmë ato tek të dhënat e adresës?
Në sistem duhet të deklarohen kontratat respektive të qirasë sikundër janë lidhur. Për efekte deklarative nuk ka problem nëse kontratat e ujit apo dritave nuk janë në emër të qiramarrësit.
16. Për objektin/et që kam marrë me qira, kam aplikuar disa kontrata me nënqira për disa persona (individë, persona fizikë, entitete). Si do të bëhet deklarimi i të dhënave të kontratës dhe në ç’mënyrë do të mundësohet deklarimi dhe pagesa e Tatimit në Burim?
Marrja e ambienteve të ndryshme me qira dhe më pas dhënia e tyre apo një pjesë të tyre me nënqira është aktivitet tregtar dhe ju duhet të regjistroheni për këtë qëllim pranë QKB. AT ka kërkuar informacion për marrëdhënien e tatimpaguesit me vendin e ushtrimit të aktivitetit të tij, dhe në përmbushje të këtij detyrimi ju do të deklaroni të dhënat e kontratës që lidhet me ambientin që ju e shfytëzoni si seli/adresë të aktivitetit tuaj dhe jo të dhënat e kontratave që shfrytëzohen me qëllim ridhënien me qira. Për subjektet që ushtrojnë aktivitetin e qiradhënies të ardhurat nga qiraja janë të ardhura biznesore.
17. Referuar ndryshimeve që bëhen nga TP në e-Filing, përsa i përket mënyrës së plotësimit të të dhënave të adresave, tatimpaguesi mund të përditësojë vetëm 1 herë të dhënat për intervalin kohor të shënuar. A është e mundur që të na jepen disa mundësi përditësimi për të deklaruar të dhënat e sakta nga e-Filing?
Administrata Tatimore do të vlerësojë çdo kërkesë dhe mundësi për të bërë të mundur hedhjen e saktë të të dhënave të adresave, përfshi edhe zgjidhjet e nevojshme teknike në funksion të lehtësimit të deklarimit per çdo tatimpagues.
18. Të vetëpunësuarit e vetëm si profesione të lira, si elektriçist, hidraulik, etj të kësaj natyre, që nuk kanë vend fiks të ushtrimit të aktivitetit, por kanë dhënë shtëpinë si adresë gjatë regjistrimit në QKB, cili është dokumenti i adresës që duhet ngarkuar apo deklaruar në AT në këtë rast?
Referuar legjislacionit tatimor në fuqi “vendi i biznesit” është vendi i administrimit efektiv të biznesit. Tatimpaguesi duhet të ngarkojë në sistem dokumnetacionin lidhur me marrëdhënien ligjore me këtë vend biznesi të deklaruar edhe si adresë kryesore të ushtrimit të aktivitetit.
19. Jam një person fizik që ushtroj aktivitetin e transportit të pasagjerëve me fugon apo veturë, dhe si adresë në regjistrimin që kam bërë në QKB kam dhënë adresën e shtëpisë. Cili është dokumenti që do të ngarkoj dhe dërgoj në Tatime?
Referuar legjislacionit tatimor në fuqi “vendi i biznesit” është vendi i administrimit efektiv të biznesit. Tatimpaguesi duhet të ngarkojë në sistem dokumnetacionin lidhur me marrëdhënien ligjore me këtë vend biznesi të deklaruar edhe si adresë kryesore të ushtrimit të aktivitetit.
20. Ushtroj profesionin e doktorit privat dhe jam i regjistruar në QKB për këtë profesion. Aktivitetin tim e ofroj në disa spitale apo subjekte private. Nuk e ofroj profesionin në shtëpi, por në kushtet që gjatë regjistrimit në QKB kërkohet një adresë e detyrueshme, kam dekalaruar adresën e banimit/shtëpinë. Cili është dokumenti që duhet nga AT, dhe që duhet të ngarkoj për adresën, dhe si duhet të operoj me shërbimin që jap në vendin e subjekteve të tjera, nëse duhet ndonjë dokumentacion specifik?
Referuar legjislacionit tatimor në fuqi “vendi i biznesit” është vendi i administrimit efektiv të biznesit. Tatimpaguesi duhet të ngarkojë në sistem dokumnetacionin lidhur me marrëdhënien ligjore me këtë vend biznesi të deklaruar edhe si adresë kryesore të ushtrimit të aktivitetit.
21. Kontratat e OSHE/UKT në shumë raste nuk kanë kaluar ende në emër të pronarit që ka ambientin i cili ka regjistruar dhe kryen aktivitet privat (p.sh, rastet e pronave të banueshme, por në proces të marrjes së lejes së shfrytëzimit dhe kontratat janë ende në emër të ndërtuesit). A përbën problem ngarkimi në sistem i kontratave që ka ndërtuesi me OSHE/UKT në këtë rast?
Nuk përbën problem ngarkimi i dokumentave që provojnë gjendjen reale të faktit përsa kërkohet.
22. A përbën problem ndryshimi i adresave në emërtimin e rrugëve ose lagjeve të përcaktuara me vendim të Këshillit Bashkiak, të cilat nuk janë të njëjta me adresën në deklarimin fillestar apo dhe me adresën në certifikatën e pronësisë?
Në të gjitha rastet kur ka ndryshime të të dhënave identifikuese të ambientit ku ushtrohet aktiviteti, tatimpaguesi mbart detyrimin e përditësimit të informacionit dhe të të dhënave të deklaruara në Administratën Tatimore.
23. Si duhet vepruar kur një subjekt i regjistruar si person fizik në QKB nuk kryen pagesë për qiranë, pasi nga një shoqatë bamirësie na është dhënë në përdorim një ambient për ushtrim aktiviteti? Në kontratë nuk ka shumë lekësh për të paguar dhe jemi para rastit kur nuk paguhet tatim mbi qiranë. A është e mundur që këtë dokument ligjor ta ngarkoj në sistem të vlefshëm për AT?
Po, në sistemin tatimor duhet të ngarkohet dokumenti faktik mbi të cilin posedohet ambienti ku tatimpaguesi ushtron aktivitetin.
24. Cilat janë dokumentet ligjore që vërtetojnë marrëdhëniet me vendin e biznesit gjatë ushtrimit të një aktiviteti privat? A është e detyrueshme që në çdo rast të lidhet kontrata e qirasë përballë noterit dhe çfarë duhet të kihet parasysh nga TP për të minimizuar gabimet që mund të bëhen jashtë kuadrit ligjor?
Marrëdhënia e tatimpaguesit me vendin e ushtrimit të aktivitetit duhet të jetë një marrëdhënie e rregullt ligjore pasi si rregull vetëm një kontratë e lidhur para noterit ka forcën e ligjit për palët dhe përbën dokument të vlefshëm për marrjen në konsideratë të detyrimeve respektive. Është në tagrin dhe kompetencën e Administratës Tatimore vlerësimi i çdo dokumenti tjetër të përdorur nga palët për deklarimin e marrëdhënies së tyre me vendin e ushtrimit të aktivitetit.
25. A mund të lidhim kontrata biznesi (individ-biznes) kur mungojnë dokumentet e pronësisë së ambientit me qëllim që TP të punojë dhe të paguaj detyrimet tatimore që lindin nga ligji? Po kur pronat janë të bllokuara në hipotekë (është në proces gjyqësor ndërtuesi i objektit) mund të lidhen kontrata midis palëve?
Dispozitat ligjore rregulluese me karakter të përgjithshëm nuk e ndalojnë lidhjen para noterit të një marrëveshje/kontrate për shfrytëzimin e ambienteve të dikujt tjetër kundrejt pagesës për qëllime tregtare, nëse poseduesi i ligjshëm i ambienteve nuk disponon dokument pronësie. Nenet 801 e vijues të Kodit Civil, nuk parashikojnë që dokumenti i pronësisë (regjistrimi në kadastër) të jetë kusht për lidhjen e kontratës. E domosdoshme është vetëm që qiradhënësi të jetë posedues i ligjshëm i pasurisë së paluajtshme që po jepet me qira. Kontratat midis palëve mund të lidhen në çdo kohë edhe në rast të bllokimit të pasurive të paluajtshme në hipotekë, me përjashtim të
rasteve kur bllokimi i shtrin efektet edhe mbi posedimin e rregullt të pasurisë.
26. Shoqëria X, sh.p.k., ushtron aktivitet në pronën e cila është e regjistruar në emrin e administratorit të saj. Cili është dokumenti që duhet të ketë midis palëve dhe a kam detyrim ligjor pagesën e tatimit të qirasë?
Në rastin kur individi pronar i pasurisë së paluajtshme (trualli, ndërtesa apo ambient tjetër), është edhe pronar i shoqërisë tregtare me status juridik sipas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit si dhe në organet tatimore, marrëdhënia ndërmjet palëve lidhur me ambientin respektiv do të konsiderohet si qiradhënie dhe individi pronar i pasurisë mbart detyrimin ligjor të lidhë kontratë noteriale qiraje me shoqërinë tregtare pasi individi pronar i shoqërisë dhe shoqëria kanë personalitet juridik të ndryshëm.
27. Në rastet kur tatimpaguesi person fizik, emri i të cilit nuk është në certifikatën familjare të prindërve dhe vendi i ushtrimit të aktivitetit është me dokumente ligjore në emrin e prindërve, si duhet vepruar pasi personi fizik e vlerëson të padrejtë të tatohet, kur nuk kemi të bëjmë me pagesë si në rastin kur ambientin e kemi marrë me qira nga një palë e tretë?
Referuar qëndrimit zyrtar të mbajtur nga Administrata Tatimore, nuk do të konsiderohet qiradhënie vetëm në rast të ushtrimit të aktivitetit nga personi fizik në ambientin e një personi të lidhur të familjes, me kushtin që ai të jetë pjesëtar në të njëjtën certifikatë familjare.
28. Në shumë raste në marrëdhëniet individ-tatimpagues nuk realizohen të ardhura nga qiradhënësi i objektit për arsye nga më të ndryshmet. A duhet të paguaj tatim në këtë rast dhe pse, kur nuk janë realizuar të ardhura nga qiradhënësi në favor të tij?
Në rastin kur tatimpaguesi ka deklaruar se ushtron aktivitet në një ambient respektiv të dikujt tjetër, por nuk paguan qira, nga ana e DRT respektive do të përllogaritet vlera e tatimit në burim për këtë ambient duke përdorur metodat alternative të vlerësimit, të parashikuara në nenet 71 dhe 72 të Ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008, “Për Procedurat Tatimore në RSH” i ndryshuar pasi kjo marrëdhënie vlerësohet marrëdhënie qiraje me vlerë 0.
29. Disponoj një apartament dhe dua t’ia lëshoj një individi me qira. A duhet të bëj kërkesë për regjistrimin e përgjegjësisë së tatimit në burim apo duhet të plotësoj Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave?
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat me efekte që prej 1 janarit 2024, individët që realizojnë të ardhura nga qiraja me një individ tjetër i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe paguajnë tatimin respektiv me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
Suvenire nga Saranda
13/11/2413:36
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 11
13/11/2413:36
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 14
13/11/2413:36
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 33
13/11/2413:36
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 18
13/11/2413:36