Takim për ringjalljen e teatrit dhe mbrojtjen e vlerave të muzeut të gjimnazit në Sarandë

02/04/2618:52

Shperndaje:

Takim për ringjalljen e teatrit dhe mbrojtjen e vlerave të muzeut të gjimnazit në Sarandë 

Një takim i rëndësishëm për të ardhmen e jetës kulturore në Sarandë është zhvilluar ditën e djeshme mes aktorit dhe regjisorit të njohur Vangjel Agora dhe profesorit Xhorxhi Vasili me Kryetarin e Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi.

 

Takim për ringjalljen e teatrit dhe mbrojtjen e vlerave të muzeut të gjimnazit në Sarandë

 

Takimi u organizua nga Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, dhe u zhvillua në prani të nënkryetarit të Bashkisë, Florjan Sali, si dhe nënprefektit Kristaq Kiço.

 

Gjatë këtij takimi pune, i cili u karakterizua nga një atmosferë bashkëpunuese dhe konstruktive, u diskutuan çështje kyçe që lidhen me zhvillimin e artit, kulturës dhe arsimit në qytet. Vangjel Agora ngriti shqetësimin për gjendjen e amortizuar të godinës së teatrit të Sarandës, duke theksuar se ajo nuk përmbush më kushtet minimale për zhvillimin e aktiviteteve artistike. Ai kërkoi ndërhyrje urgjente për rikonstruksionin e plotë të godinës, duke nisur me lirimin e ambienteve që aktualisht përdoren për funksione të tjera, përfshirë hapësira të zëna nga klubi “Butrinti” dhe zyra administrative.

 

Në vijim, Agora vuri në dukje mungesën e një strukture profesionale artistike, si pasojë e ndryshimeve të sistemit dhe kalimit në ekonominë e tregut, duke propozuar krijimin e një organike funksionale me specialistë të fushës. Sipas tij, kjo do të mundësonte organizimin e aktiviteteve artistike në funksion të turizmit, duke e rikthyer teatrin në një qendër të rëndësishme kulturore për qytetin. Një tjetër propozim i rëndësishëm ishte ngritja e një muzeu kulture brenda ambienteve të teatrit, ku të pasqyrohej historia artistike e Sarandës ndër vite.

 

Nga ana tjetër, prof. Xhorxhi Vasili ngriti shqetësimin për gjendjen e Muzeut të gjimnazit “Hasan Tahsini”, duke theksuar se, pavarësisht restaurimit të godinës së shkollës, ambientet e muzeut vijojnë të jenë të prekura nga lagështia, duke rrezikuar seriozisht dëmtimin e objekteve me vlerë historike dhe kulturore.

 

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit vendorë shprehën dakordësinë me problematikat e ngritura dhe sugjerimet e paraqitura. Vangjel Agora dhe prof. Vasili i dhuruan Kryetarit të Bashkisë tre botimet e tyre: “Aroma e një kohe që po ikën”, “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë” dhe “Ne hasantahsinasit”, si një kontribut në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit.

 

Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ringjalljes së jetës artistike në Sarandë, duke nxitur bashkëpunimin institucional dhe angazhimin për mbrojtjen e vlerave kulturore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm turistik dhe qytetar. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Përparim Ahmeti: Ndihma ekonomike në Sarandë sa bakshishi i zyrtarëve në dreka e darka
Takim për ringjalljen e teatrit dhe mbrojtjen e vlerave të muzeut të gjimnazit në Sarandë
Hotel Panorama në Sarandë kërkon Kamarier/e, Sanitare dhe Mirëmbajtës
African Beach & Restaurant në Sarandë kërkon të punësojë staf për sezonin
Pasticeri Dolce në Sarandë kërkon staf sezonal. Ofrohet akomodim
Pension për prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta, zbatimi nis në qershor

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.