Sarandë: Vajza e mitur sulmohet nga qentë endacakë në shëtitore, qytetarët kërkojnë masa urgjente

06/04/2610:04

Shperndaje:

Sarandë: Vajza e mitur sulmohet nga qentë endacakë në shëtitore, qytetarët kërkojnë masa urgjente 

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në shëtitoren e Sarandës, ku një vajzë e mitur është sulmuar nga një tufë qensh endacakë, duke shkaktuar panik dhe traumë të fortë tek fëmija dhe familjarët e saj.

 

Sarandë Vajza e mitur sulmohet nga qentë endacakë në shëtitore

 

Ngjarja është bërë publike në grupin e komunitetit Saranda Web për Qytetarët, ku menjëherë kanë shpërthyer reagime të shumta nga banorët, të cilët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet.

 

Sipas dëshmive të qytetarëve, incidenti ka ndodhur në zonën e shëtitores pranë shkallëve afër rërës, një zonë e frekuentuar nga familjarë dhe pushues. Një prind i shqetësuar rrëfen: “Pesë qen iu sulën vajzës time dhe e traumatizuan. Nuk po e qetësoj dot. Pashë tmerr me sytë e mi. Çdo nënë do ta ndiente këtë dhimbje në palcë. Ju lutem institucioneve të marrin masa para ndonjë fatkeqësie.”

 

Një tjetër qytetar dëshmon se rreth orës 20:00 dy qen iu sulën një vajze të vogël, rreth 4 vjeç, duke krijuar një situatë alarmante. “Disa burra ndërhynë duke i larguar qentë, ndërsa fëmija filloi të qante me të madhe. Ishte një skenë e rëndë që vështirë të harrohet,” shprehet ai.

 

Reagimet e qytetarëve tregojnë se ky nuk është një rast i izoluar. Sipas tyre, raste të ngjashme janë shënuar edhe ditët e fundit në zona të tjera të qytetit, përfshirë rrugën e portit dhe zonën pranë një lokali buzë detit, ku qentë kanë krijuar panik mes familjarëve dhe fëmijëve. “Kemi frikë të dalim për shëtitje me fëmijët. Situata është serioze dhe kërkon masa urgjente,” shprehet një tjetër qytetar.

 

Shumë prej komentuesve theksojnë se, ndonëse janë dashamirës të kafshëve, siguria e njerëzve duhet të jetë prioritet. Ata kërkojnë që bashkia të ndërhyjë për menaxhimin dhe strehimin e qenve endacakë në qendra të posaçme, veçanërisht në prag të sezonit turistik, kur qyteti pret mijëra vizitorë.

 

Nëna e vajzës së sulmuar ka reaguar gjithashtu, duke falenderuar publikisht qytetarët që ndërhynë për të shpëtuar fëmijën: “Nga tmerri që përjetova nuk munda as të falenderoj në moment. Jam shumë mirënjohëse për këdo që u hodh dhe shpëtoi vajzën time, e cila ende nuk është qetësuar.”

 

Ndërkohë, qytetarët kërkojnë që autoritetet lokale të marrin masa konkrete dhe të menjëhershme për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla, duke theksuar se prania e qenve agresivë në zona të populluara përbën rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e banorëve dhe vizitorëve.

 

Saranda, një nga destinacionet kryesore turistike në jug të vendit, përballet prej kohësh me problematikën e qenve endacakë, por ngjarje të tilla rikthejnë në vëmendje urgjencën e zgjidhjes së këtij fenomeni përpara se të ndodhë ndonjë tragjedi. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Sarandë: Vajza e mitur sulmohet nga qentë endacakë në shëtitore, qytetarët kërkojnë masa urgjente
Markata DON PESHK kërkon Ndihmës Kuzhinier/e dhe Ndihmës Kamarier/e
MY FAMILY Restaurant kërkon Pjatalarës/e dhe Ndihmës Kuzhinier/e
Butrinti kthehet nga Peqini me fitore dhe merr kreun e renditjes – VIDEO
Butrinti përballje vendimtare ndaj Shkumbinit në Peqin, shans për t’u ngjitur në krye të Kategorisë
77-vjeçari ndalohet nga Policia, u denoncua nga një e mitur për përndjekje dhe ngacmim sek,sual

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.