Rama kërcënon protestuesit: Nuk do të flini dot në hotele dhe nuk do të udhëtoni dot me trena

Rama kërcënon protestuesit: Nuk do të flini dot në hotele, as do të udhëtoni me trena

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar ndjeshëm gjuhën ndaj protestuesve, duke paralajmëruar masa të paprecedenta që mund të përfshijnë ndalimin e akomodimit në hotele, udhëtimit me trena, avionë dhe mjete të tjera transporti, si dhe kufizimin e hyrjes në vendet e Bashkimit Europian. Deklaratat u bënë gjatë një takimi me përfaqësues të sistemit bankar në Shqipëri, ku Rama paralajmëroi krijimin e një regjistri të posaçëm për personat që qeveria i konsideron të dhunshëm gjatë protestave. Sipas tij, këta persona do të përballen me kufizime të shumta në jetën e përditshme dhe në lëvizjen jashtë vendit.

“Ne do të vendosim në regjistër njerëzit e dhunshëm, do t’u mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, hotele, trena, të gjitha mjetet e transportit”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se qeveria ka nisur bashkëpunimin me vendet e Bashkimit Europian për kufizimin e hyrjes së personave të përfshirë në akte dhune.

Por paralajmërimet nuk u ndalën vetëm te protestuesit. Rama deklaroi se edhe familjet e të miturve që shkaktojnë dëme gjatë protestave mund të përballen me pasoja, deri në mohimin e shërbimeve shtetërore. Ai paralajmëroi gjithashtu përdorimin e teknologjisë për identifikimin e personave që mbulojnë fytyrën gjatë tubimeve.

Deklaratat e kryeministrit ngrenë pikëpyetje serioze mbi bazën ligjore dhe kushtetuese të masave të paralajmëruara. Kufizimi i lirisë së lëvizjes, mohimi i shërbimeve dhe vendosja e qytetarëve në regjistra të veçantë kërkojnë garanci ligjore, procedura të qarta dhe respektimin e të drejtave themelore. Deri tani nuk është sqaruar se si do të përcaktohet përfshirja e një personi në këtë regjistër dhe kush do të vendosë për kufizimet.

Paralajmërimet vijnë në një kohë kur Shqipëria po përjeton protesta të nxënësve, studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë. Megjithëse Rama i ka lidhur masat me personat e përfshirë në akte dhune, mbetet e paqartë se çfarë mekanizmash do të garantojnë që ato të mos përdoren edhe ndaj qytetarëve që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën kushtetuese të protestës.

Dënimi i dhunës është detyrë e institucioneve, por kufizimi i të drejtave të qytetarëve nuk mund të bëhet përmes paralajmërimeve politike. Çdo masë ndëshkuese duhet të mbështetet në ligj dhe të jetë subjekt i kontrollit gjyqësor. Përndryshe, lufta e shpallur kundër dhunës rrezikon të kthehet në një instrument frikësimi ndaj protestës qytetare.

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Rama kërcënon protestuesit: Nuk do të flini dot në hotele dhe nuk do të udhëtoni dot me trena
Lexoni më shumë
Rama paralajmëron ligj të ri: Nuk do të lejojmë në protesta persona me fytyrë të mbuluar
Lexoni më shumë
Oltion Çaçi premtoi rikonstruksionin e Kinoteatrit në 2026, tetori po mbyllet pa punime dhe pa tender
Lexoni më shumë
Ashpërsimi i retorikës së Ramës shihet si nxitëse e dhunës policore
Lexoni më shumë
Bashkia Finiq 1,3 milionë euro për rikonstruksionin e rrugëve në fshatrat e 5 njësitë administrative
Lexoni më shumë
Rama nxjerr karriget, protestuesit i japin menjëherë përgjigjen: “Jep dorëheqjen”
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.