Pushtimi i bregdetit: 87% e banorëve në Sarandë kërkojnë më shumë plazhe publike
Dhjetëra qytetarë të Sarandës, Ksamilit dhe zonave të tjera ankohen se plazhet publike janë të pamjaftueshme dhe se ato private janë të papërballueshme, duke u privuar shpeshherë nga pushimet ndonëse jetojnë vetëm pak metra larg detit.
—————————-
Përgjatë shëtitores kryesore në Sarandë, çadra shumëngjyrëshe janë ngulur në rërë dhe dhjetëra pushues marrin rreze dielli të shtrirë mbi peshqirë. Kjo është hapësira e dedikuar e pushimeve për qytetarët e Sarandës këtë verë, ndërsa qyteti kryesor turistik i Shqipërisë është i tejmbushur nga mysafirët vendas dhe të huaj.
Në fillim të sezonit, Bashkia e Sarandës sistemoi hapësirën e plazheve publike përgjatë vijës bregdetare të qytetit dhe u premtoi banorëve të saj se do të mund t’i përdornin ato pa pagesë.
Megjithatë, dhjetëra qytetarë të Sarandës dhe Ksamilit u shprehën të pakënaqur përmes një pyetësori në Saranda Web, ndërsa vlerësuan se plazhet publike janë të pamjaftueshme dhe se kushtet e tyre linin për të dëshiruar.
Përmes një pyetësori të publikuar në fillim të korrikut, Saranda Web mori përgjigje të detajuara nga 184 qytetarë përmes platformës së Raportimit të Qytetarëve të Angazhuar. Dhjetëra përgjigje të tjera mbërritën në redaksi përmes faqes në Facebook.
Rreth 70% të të anketuarve ishin banorë të qytetit të Sarandës dhe të Ksamilit, ndërsa pjesa tjetër ishin vizitorë nga Tirana, qytete të tjera të Shqipërisë si dhe emigrantë nga vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara.
Mes të anketuarve, rreth 60% u përgjigjën se frekuentonin plazhet publike, ndërsa 40% ishin përgjithësisht frekuentues të plazheve private.
Rreth 87% e të anketuarve që frekuentonin plazhet publike i thanë Saranda Web se hapësira e tyre ishte e pamjaftueshme dhe kushtet ishin të papërshtatshme, veçanërisht për pensionistët dhe të moshuarit.
Përveç mungesës së hapësirave, ata ankohen gjithashtu për mungesën e shërbimeve në plazhet publike, ndotjen e detit dhe problemet me pastrimin.
Ndërsa zgjerimi i hapësirës pa pagesë krahasuar me vitet e shkuara konsiderohet një sinjal pozitiv, jo të gjithë qytetarët kanë mundësi që t’i frekuentojnë ato. Banorët në lagjen nr.4, në zonën e kanalit të Çukës dhe në plazhin piktoresk të Ksamilit denoncuan mungesën totale të plazheve publike pranë zonës së tyre të banimit.
“Në Kodër, [lagjia nr. 4] të gjitha plazhet janë 100% private. Është jashtë logjike që një i moshuar apo një nënë me fëmijë të vegjël, që e kanë detin 100 metra larg, të vuajnë për të gjetur plazh,” shkruan njëri prej qytetarëve.
Një numër qytetarësh u ankuan për privatizimin e plotë të plazhit të Ksamilit dhe mungesën e hapësirës publike për qytetarët, që nuk kanë mundësi që të përballojnë plazhet private.
“Në Ksamil nuk ka asnjë [plazh publik]. Edhe ata që e kanë me ligj ta lënë si hapësirë, kur shkon të rrish, të vjen ndonjë me ton arrogant dhe ta ndalon, se ai paska paguar taksa dhe ne të gjithë të tjerët jo. Skandal,” shkruan një tjetër qytetar nga Ksamili.
Plazhet e kushtueshme private
Me kosto mesatare prej 1 mijë lekësh për një çadër dhe dy shezlongë, plazhet private në Sarandë janë ‘mollë e ndaluar” për shumicën e banorëve të kësaj bashkie. Të dhënat e mbledhura përmes pyetësorit nga Saranda Web tregojnë se frekuentuesit e tyre janë përgjithësisht punonjës privatë, funksionarë publikë si dhe emigrantë të kthyer gjatë sezonit të verës.
Ndërsa ankohet për ‘privatizimin’ masiv të plazheve në bregdetin e Sarandës, një qytetar thotë se ndonëse e paguan shtenjtë një ditë në plazh, nuk e kanë pajisur me kupon tatimor.
Emigrantët që kanë blerë shtëpi të tyren në Sarandë ankohen gjithashtu se nuk kanë akses në det.
“Unë jam një emigrant në Gjermani dhe kam shtëpinë time në Sarandë. Çdo vit vij për pushime në Shqipëri 3 javë dhe jam i detyruar që të paguar për një ditë në det nga 5 deri në 10 mijë lekë për një çadër me dy shezlongë,” shkruan njëri prej tyre.
Mes të anketuarve, ka nga ata që kërkojnë ndërhyrjen e policisë bashkiake për të mbajtur nën kontroll çmimet, ndërsa të tjerë sugjerojnë që hoteleve t’u lihen aq hapësira në plazhe sa ç’kanë klientë.
Si rregull, pronarët e plazheve private janë të detyruar që të lejojnë deri në 20% të hapësirës që të shfrytëzohet pa pagesë nga qytetarët. Në realitet, kjo ndodh shumë rrallë.
Rreth 88% e të anketuarve thanë se nuk kishin qëndruar asnjëherë në hapësirën e një plazhi privat pa pagesë, ndërsa vetëm 12% deklaruan se kjo kishte ndodhur.
“Nuk lënë një copë vend për personat që duan të vendosin çadrën e tyre. Kam shkuar me familjen time dy herë me çadrën tonë dhe na kanë çuar direkt, duke krijuar sherr,” shkroi një qytetare për plazhet private.
Të tjerë qytetarë ankohen për zaptimin e plazheve nga privatët, të cilat i konsiderojnë ato si pronë të tyren.
“Fatkeqësisht, plazhet më të bukura janë lënë në duart e hajdutëve dhe nëse nuk paguan, nuk mundet as t’i shikosh dhe jo më t’i shijosh,” tha një qytetar për Saranda Web.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 14
27/08/219:02
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 21
27/08/219:02
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 24
27/08/219:02
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 15
27/08/219:02
Suvenire nga Saranda
27/08/219:02