Promovohet libri i Vangjel Agora: “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë” – VIDEO

12/03/2621:44

Shperndaje:

Promovohet libri i Vangjel Agora: “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë”

 

Mbrëmjen e sotme, në ambientet e hotelit “Lindi”, u zhvillua promovimi i librit më të ri të autorit Vangjel Agora, me titull “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë”, një botim i veçantë kushtuar historisë dhe kujtesës së artit skenik në gjimnazin “Hasan Tahsini”.

 

 

Libri sjell në vëmendje një kapitull të rëndësishëm të jetës kulturore të këtij institucioni arsimor, i cili për vite me radhë ka qenë një vatër ku janë hedhur hapat e parë drejt artit nga shumë të rinj, që më pas do të kontribuonin në teatrin dhe kinemanë shqiptare. Përmes kujtimeve, dokumenteve dhe rrëfimeve, autori përpiqet të rikthejë në kujtesë atmosferën krijuese që ka karakterizuar skenën e këtij gjimnazi, duke nderuar njëkohësisht breza të tërë artistësh dhe dashamirësish të artit.

 

Aktiviteti u hap dhe u drejtua nga Xhorxhi Vasili, i cili me punën dhe kontributin e tij ka krijuar edhe muzeun e gjimnazit të shkollës ” Hasan Tahsini” në Sarandë. Gjatë aktivitetit u shfaq edhe një insert filmik i përgatitur posaçërisht për këtë rast, i cili i kushtohej artistëve që hodhën hapat e parë në skenën e gjimnazit “Hasan Tahsini”, midis tyre edhe Luiza Xhuvani dhe Laert Vasili. Pamjet e përzgjedhura sollën emocione dhe kujtime për një periudhë të rëndësishme të jetës artistike të qytetit.

 

Në këtë mbrëmje përshëndetën dhe ndanë kujtimet e tyre disa prej miqve dhe bashkëpunëtorëve të autorit. Morën fjalën Shkëlqim Hajno, shoqja e shkollës Vera Sterjo, si dhe Ermir Hoxha dhe Mira Birjami, të cilët vlerësuan punën dhe përkushtimin e autorit për të dokumentuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë kulturore.

 

Aktiviteti u përshëndet gjithashtu prefekti i Qarkut Vlorë, Evis Allushi.

 

Në përmbyllje të kësaj mbrëmjeje kulturore, fjalën e mori autori Vangjel Agora, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit dhe ndau reflektime mbi motivimin që e shtyu të realizojë këtë botim. Ai theksoi se libri është një përpjekje për të ruajtur kujtesën e një tradite artistike që ka ndikuar në formimin e shumë figurave të njohura të skenës shqiptare.

 

Promovimi u mbyll në një atmosferë miqësore dhe plot emocion, duke rikthyer në kujtesë kohët kur skena e gjimnazit “Hasan Tahsini” u bë një strehë e vërtetë për shkëndijën e artit skenik. Saranda Web

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Pas publikimit në Saranda Web, zgjidhet brenda pak orësh problemi i ujit në Berdenesh
Sherr për depozitën e ujit në taracën e pallatit, arrestohet dhe i kapet pistoleta me mulli
Promovohet libri i Vangjel Agora: “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë” – VIDEO
Parlamenti bëhet bunker anti-SPAK për Belindën. Berisha: Do protestojmë përsëri pas 10 ditësh
Hotel JoAn kërkon Recepsioniste, Sanitare, Punonjëse kreperie dhe Punonjëse për zyrë këmbimi valutor
Banorët e Berdeneshit kanë 1 muaj pa ujë, por kanë frikë të flasin publikisht

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.