Projektligji i ri për emigracionin në Greqi ndryshon jetën e mijëra familjeve emigrante
Projektligji i ri për emigracionin në Greqi ndryshon jetën e mijëra familjeve emigrante. Greqia përgatit reformë të thellë për migracionin e ligjshëm: më pak burokraci, më shumë siguri për emigrantët dhe bizneset
Një paketë e re ndryshimesh ligjore pritet të transformojë mënyrën se si Greqia menaxhon migracionin e ligjshëm. Ministria greke e Migracionit dhe Azilit ka hartuar një projektligj të ri, i cili synon të zgjidhë vonesat kronike në dhënien dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit, të reduktojë barrën burokratike dhe njëkohësisht të përgjigjet ndaj mungesës së fuqisë punëtore në sektorë kyç të ekonomisë, raportojnë mediat greke.

Projektligji pritet të depozitohet së shpejti në komisionin përkatës të Parlamentit dhe vjen në një moment kur migracioni po rikthehet fuqishëm në qendër të debatit publik, si në Greqi ashtu edhe në nivel evropian.
Qeveria greke thekson se reforma synon një ndarje të prerë mes migracionit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm. Sipas ministrit të Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, projektligji i ri synon t’i japë fund zvarritjeve shumëvjeçare dhe bllokimeve administrative që kanë krijuar pasiguri si për emigrantët, ashtu edhe për bizneset.
Mijëra leje qëndrimi në pritje, zgjidhje brenda dy viteve
Aktualisht, në Greqi jetojnë rreth 793 mijë emigrantë me status të ligjshëm, ndërsa rreth 293 mijë aplikime për leje qëndrimi mbeten ende të pashqyrtuara. Këto vonesa kanë prodhuar pasoja serioze, pasi në shumë raste lejet lëshohen pasi afati i tyre ka skaduar, duke krijuar probleme në punësim, sigurime dhe integrim shoqëror.
Me hyrjen në fuqi të rregullimeve të reja, autoritetet greke presin që rreth 90 mijë leje të zhbllokohen menjëherë, ndërsa brenda një periudhe dyvjeçare të normalizohet edhe pjesa tjetër e dosjeve të prapambetura.
Çfarë parashikon konkretisht projektligji
Një nga risitë kryesore është rinovimi automatik i lejeve të qëndrimit për kategori të caktuara, veçanërisht në rastet kur emigranti vazhdon të punojë te i njëjti punëdhënës. Kjo do të shmangë dorëzimin e përsëritur të dokumentacionit dhe do të ulë ndjeshëm ngarkesën administrative.
Po ashtu, çdo leje e re qëndrimi do të ketë kohëzgjatje minimale dyvjeçare, në mënyrë që vonesat institucionale të mos penalizojnë vetë emigrantin dhe të mos çojnë në humbje formale të statusit të ligjshëm.
Projektligji hap një tjetër derë për emigrantët që kanë jetuar ligjërisht në Greqi për më shumë se pesë vite, por që në të kaluarën janë refuzuar për arsye thjesht procedurale. Këta persona do të kenë të drejtë të riaplikojnë dhe, pas korrigjimit të mangësive formale, të pajisen me leje qëndrimi, duke siguruar integrimin e tyre të plotë në shoqërinë greke.
Në aspektin administrativ, parashikohet forcimi i strukturave të decentralizuara që shqyrtojnë aplikimet, si dhe transferimi i dosjeve mes rajoneve për të shmangur mbingarkesën dhe për të përshpejtuar vendimmarrjen.
Një rregullim i veçantë i dedikohet emigrantëve mbi 65 vjeç, kryesisht të brezit të parë, të cilët kanë jetuar dhe punuar ligjërisht në Greqi për të paktën 20 vite. Ata do të mund të qëndrojnë në vend pa detyrim për të punuar, me kusht që të kenë sigurim privat shëndetësor dhe pension, pa ngarkuar sistemin publik të sigurimeve shoqërore.
Procedura më të shpejta për thirrjen e punëtorëve nga vendet e treta
Projektligji parashikon edhe ndryshime thelbësore në mekanizmin e thirrjes së punëtorëve nga vendet e treta, me qëllim mbulimin më të shpejtë të vendeve të lira të punës. Procedurat do të thjeshtohen dhe kompanitë e punësimit të përkohshëm do të kenë mundësi të realizojnë thirrje në emër të bizneseve që kanë nevoja urgjente për staf.
Vëmendje e veçantë i kushtohet projekteve të mëdha, ku parashikohet mundësia e thirrjes së menjëhershme të deri në 500 punëtorëve, ndërsa procedurat konsullore pritet të përshpejtohen ndjeshëm.
Një tjetër risi e rëndësishme është mundësia e ndryshimit të punëdhënësit për punëtorët që hyjnë në Greqi përmes thirrjes zyrtare, pa humbur statusin e qëndrimit të ligjshëm. Kjo masë synon të rrisë lëvizshmërinë në tregun e punës dhe të kufizojë rastet e varësisë apo shfrytëzimit.
Paralelisht, Greqia forcon marrëveshjet dypalëshe me vende si Filipinet, Armenia dhe Egjipti, veçanërisht në sektorë si bujqësia, duke i kushtëzuar ato me bashkëpunimin në luftën kundër migracionit të paligjshëm.
“Rruga e ligjshme po riformësohet”
Sipas ministrit Plevris, reforma synon të ndërtojë një sistem më funksional të migracionit të ligjshëm, që mbështet ekonominë, garanton siguri juridike për emigrantët dhe mban një qëndrim të fortë ndaj migracionit të paligjshëm.
“Ne po çlirojmë dhe përshpejtojmë procedurat për lejet e qëndrimit dhe punës, duke i bërë ato më të thjeshta dhe më efikase. Greqia mbetet e rreptë ndaj migracionit të paligjshëm, por po riformëson rrugën e ligjshme për ata që duan të punojnë dhe të kontribuojnë në sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi”, thekson ai.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit