
Prezantohej si “Prokuror i SPAK-ut”, mashtronte qytetarët duke i futur në punë – VIDEO
U prezantua si prokuror për të mashtruar qytetarët — arrestohet 49-vjeçari në Sarandë, në operacionin policor “Deceiver”
Një 49-vjeçar që prej kohësh i ishte shmangur drejtësisë, duke u prezantuar si prokuror për të përfituar shërbime, favore dhe para, ka përfunduar në prangat e Policisë së Sarandës pas një operacioni të koduar “Deceiver” (“Mashtruesi”).
Ky shtetas kishte mashtruar disa persona, duke ngritur një strukturë fiktive me disa individë, të cilëve u kishte thënë se i kishte punësuar si agjentë të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ai i angazhonte këta persona me “detyra apo shërbime” të ndryshme dhe madje i përdorte edhe si shoferë personalë.
Këta persona, të mashtruar nga pretendimet e tij, paguanin vetë strehimin, ushqimin dhe karburantin e automjetit, me bindjen se do të kompensoheshin më vonë nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu, ky shtetas mashtronte edhe subjekte private, duke u paraqitur si përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme dhe duke pretenduar se do të blinte automjete në emër të këtij institucioni.
Në disa raste, ai prezantohej edhe si prokuror i SPAK, me qëllim për të fituar akses në institucione të ndryshme dhe për të krijuar besueshmëri tek personat që mashtronte.
Nga hetimet ka rezultuar se A. M. ka punësuar disa shtetas, duke u premtuar se do të shpërbleheshin nga institucioni i Prokurorisë, por në fakt u ka shkaktuar atyre dëme të konsiderueshme ekonomike. Ai gjithashtu ka kërkuar favore në institucione dhe subjekte të ndryshme, duke u paraqitur si përfaqësues i lartë i drejtësisë.
Kontroll në banesën ku jetonte — zbulohet armë automatike dhe dokumente të falsifikuara
Policia ka arrestuar edhe 19-vjeçarin E. Ç., banues në Sarandë, i cili kishte strehuar mashtruesin. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatike tip “Shars”, municion luftarak, radio të ngjashme me ato të Policisë, dokumente të ndryshme zyrtare dhe një kompjuter që dyshohet se përdorej për veprimtari mashtruese.
Të arrestuarit do të përballen me drejtësinë për akuzat “Mashtrimi”, “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Policia e Sarandës theksoi se operacioni “Deceiver” u realizua në kohë rekord, falë veprimeve të koordinuara hetimore dhe informacioneve të sakta që çuan në kapjen e autorit dhe sekuestrimin e provave materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për vijimin e hetimeve.
“Prokurori i rremë” i arrestuar sot në Sarandë ka bërë 2 herë burg me emrin e vëllait
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
