Me vendim të shpallur në rrjetet sociale, monopatinat ende të bllokuara dhe pa rregullore
Monopatinat elektrike të bllokuara prej mbi 3 muajsh – Vendim absurd me postim në Facebook, Saranda rrezikon kaos në sezon
Prej më shumë se tre muajsh, monopatinat elektrike vijojnë të jenë të ndaluara në të gjithë Shqipërinë, pas një vendimi të marrë më 13 tetor 2025, i cili u njoftua fillimisht përmes një publikimi në Facebook, pa konsultim publik, pa transparencë institucionale dhe pa një plan të qartë ligjor. Një vendim me ndikim kombëtar, që prek mijëra përdorues dhe dhjetëra biznese, u komunikua përmes rrjeteve sociale, ndërsa aksioni për ndalimin e tyre nisi pa paralajmërim, duke bllokuar menjëherë qytetarët dhe sipërmarrjet që kishin investuar në këtë sektor.

Autoritetet deklaruan se ndalimi do të ishte i përkohshëm dhe brenda 30 ditësh do të përgatitej një rregullore për përdorimin e monopatinave elektrike, ku do të përcaktoheshin rregullat e sigurisë, moshat minimale, zonat e lejuara dhe mënyra e përdorimit të këtyre mjeteve. Por sot, më shumë se tre muaj më vonë, rregullorja e premtuar ende nuk është publikuar, nuk ka afate zyrtare, nuk ka konsultim me publikun dhe ndalimi vazhdon pa një zgjidhje të qartë ligjore dhe pa përgjegjësi institucionale.
Për Sarandën, ky vendim vjen në një moment kritik, në prag të sezonit turistik, i cili tashmë nis gjithnjë e më herët, shpesh që në muajin prill. Në vitet e fundit, monopatinat elektrike ishin shndërruar në një alternativë praktike për qytetarët, një mjet efikas për të shmangur trafikun urban, një burim të rëndësishëm të ardhurash për bizneset lokale, si dhe një formë moderne, të pastër dhe ekologjike transporti, në përputhje me standardet e qyteteve evropiane.
Sot, ndalimi i tyre pritet të rrisë varësinë nga automjetet private, të shtojë presionin mbi parkimet, të përkeqësojë trafikun në zonat qendrore dhe bregdetare, si dhe të dëmtojë imazhin e Sarandës si një destinacion modern dhe miqësor për turistët. Në një qytet që çdo verë përballet me mbingarkesë trafiku rrugor, mungesë parkimi dhe kaos në qarkullim, heqja e një alternative të shpejtë dhe fleksibile rrezikon ta përkeqësojë edhe më tej situatën.
Ndërkohë, shumë biznese, veçanërisht ato që ofronin shërbime me qira dhe shitje të monopatinave elektrike, kanë mbetur me investime të ngrira, duke përballur humbje financiare. Një masë e shpallur si e përkohshme po shndërrohet gradualisht në një ndalim pa afat, pa plan dhe pa përgjegjësi.
Autoritetet e justifikuan ndalimin me arsye sigurie, por mungesa e rregullores së premtuar dhe zvarritja e procesit ngrenë pikëpyetje serioze mbi motivet reale të këtij vendimi. A kemi të bëjmë me paaftësi institucionale dhe mungesë koordinimi, apo me një politikë që de facto favorizon rritjen e përdorimit të automjeteve, duke shtuar konsumin e karburanteve dhe përfitimet e kompanive të hidrokarbureve? Në një kohë kur shumë vende evropiane inkurajojnë transportin elektrik dhe reduktimin e ndotjes, Shqipëria po ndjek një rrugë të kundërt, duke bllokuar një nga alternativat më të pastra, më ekonomike dhe më të qëndrueshme të lëvizjes urbane.
Saranda rrezikon kështu të përballet me një tjetër sezon turistik të shoqëruar me trafik, stres për qytetarët dhe pakënaqësi për turistët, ndërsa një problem që mund të ishte zgjidhur me rregulla të qarta është kthyer në një ngërç institucional pa afat.
Teksa sezoni po afron, një pyetje mbetet pa përgjigje: Kur do të publikohet rregullorja e premtuar?
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit