Lejekalimi për në vendlindje – Reportazh nga Agron Mema

16/01/169:08

Shperndaje:


piqeras, agron mema

Reportazh nga Agron Mema

Të 13 fshatrat e bregdetit të poshtëm të rivierës shqiptare, përfshirë në ish- komunën e Lukovës tani pas hartës së re administrativo-territoriale, përfshihen në njësinë vendore të Bashkisë së Himarës, ku në njëfarë mënyre u hoq edhe muri ndarës në pikpamjen gjeografike: bregdet i sipërm dhe bregdet I poshtëm. Këto fshatra rënkojnë nën peshën e braktisjes, vetmisë dhe heshtjes në shpresën e pritjes. Dhe duket se kjo heshtje, pritje dhe shpresë janë banore të hershme të tyre. Ato kanë pllakosur çdo portë, çdo prag, çdo sokak, çdo fshat nën një perde të padukshme si mjegull ku përzihen fate njerzore dhe takim –ndarje të përlotshme vetëm në raste festash dhe fatkeqsish. Kujtime që kanë mbetur në memorien e së kaluarës.

Këto sokake, pragje dhe fshatra bartin edhe çastet e lumtura me britmat gazmore prindërore, ku në raste festash dhe pushimesh, këta prindër kanë dalur në oborre e lagje për të pritur djemtë, fëmijët, nipër e mbesa që vijnë prej kurbetit; por edhe trishtimi i dikujt se atij nuk i erdhi fëmija. Duket nga kjo panorama e dhimshme shpirtërore se kjo heshtje dhe pritje i mba në këmbë këta prindër, kjo shpresë e jo gurët, mba ngrehur muret e shtëpive të braktisura, por edhe ato të sapo ndërtuara. Dhe këto përjetime rinë si të përjetësuara në këto fshatra.
Është panorama e trishtueshme kur sheh këtë braktisje dhe aq më keq këtë rënim që të parët e ndërtuan me djersë e mundim, sakrificë e dashuri. Dhe tani? Trashëgimtarët e tyre kanë fluturuar anekënd botës, degët e pemës janë shtrirë në çdo kontinent.

Këto fshatra sot i ngjajnë folezave të dallëndysheve shtegëtare të palodhshme, që vijnë përkohësisht në folezën e tyre e përsëri marrin fluturimin të vazhdojnë të kërkojnë qetësinë dhe mirëqenien e tyre. Kanë ardhur të festojnë dhe të përtërijnë e të rikthejnë jetën e gëzueshme të dikurshme në shtëpitë dhe fshatrat e tyre të mbetura zbrazët.
Jemi në Manastirin e Kremesovës në Piqeras dhe është Pashka e Gushtit. Fshati duket si një anije gjigande që çan ujrat e Jonit. Kanë ardhur shumë djem dhe vajza. Tek shohin këtë panoramë kupton se ka mbetur e pashlyer nga vetdija e tyre dashuria për këtë tokë, për këtë mrekulli. Por përsëri ëndrra lufton mes dëshirës tek shikon ishullin përballë, matanë kufirit, pasqyrimin e tij në ujrat e kaltra të Jonit ku lëshohet edhe hija e Piqerasit, fiton dëshira për të shkuar dhe jetuar aty. Kodrat përreth fshtrave i ngjajnë një bukurie të braktisur. Dikur një mrekulli, sot kullota për bagëti. Tek bisedon me ta kupton se nuk u mungon dëshira për të ardhur e të jetojnë, por buzagaz, ku shkrihet ironia, mosbesimi, revolta, ata ta kthejnë: “Ku të vij? Kam ekonomi, kam edhe para. Dua të ndërtoj shtëpi. E kam edhe tokën edhe paratë, por nuk më lënë. Kërkojmë rregullat dhe zbatimin e ligjit, sepse jemi mësuar këto vite t’i respektojmë dhe në fund të fundit ky është shteti që duhet të kemi: respekti ndaj tij. Por na thonë se ligji ky është: ju nuk duhet të ndërtoni në tokën tuaj dhe me paratë tuaja. Ndryshe ju pret burgu. Nuk e kuptojmë dhe ndaj shpresëhumbur largohemi me një vrarëshpirtje dhe vetëm e vetëm se kemi prindërit, kemi lindur e na përkundin kujtimet, vetëm për këtë vijmë , se ndryshe nuk do ta kthenim kokën kurrë. Jo se nuk duam vendin tonë, Jo! Shohim të gjithë qeveritarë e deputetë që i vërsulen Jonit për pushime, ndërsa neve duhet të kemi leje-kalimi për në vendlindje. O Zot nuk e kuptojmë”.
Këto janë fjalët e emigrantve të bregut që nga Kakomeja e deri tek Borshi, që nga Nivicë-Bubar e deri në Çorraj ku për pak kilometra rrugë pengohen investimet në këto fshatra malore. Bregdetasi sot i ngjan një shpendi shtegëtar që shpesh kur kthehet, gjejnë edhe folenë të prishur apo të zaptuar deri në përvetësim. Zona më e bukur, me pamje të trishtë e të dhimshme, zona më e pasur me njerëzit më të varfër. Këto janë fshatrat e bregut që presin e presin në një pritje të gjatë për çeljen e dyreve të investimeve nga vet bregasit.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.