Kolaps në sistemin e Tatimeve? Bizneseve u dalin këstet e Tatim Fitimit deri 10 herë më të larta

10/03/2618:08

Shperndaje:

Kolaps në sistemin e Tatimeve? Bizneseve u dalin këstet e Tatim Fitimit deri 10 herë më të larta

 

Një problem serioz teknik në sistemin informatik të Administratës Tatimore duket se po krijon shqetësim të madh tek bizneset në vend. Sipas burimeve, sistemi elektronik @CATS ka pësuar një çakordim në përllogaritjen e kësteve të Tatim Fitimit, duke gjeneruar detyrime deri në 10 herë më të larta se sa shuma reale që duhet të paguajnë kompanitë.

 

Kolaps në sistemin e Tatimeve? Bizneseve u dalin këstet e Tatim Fitimit deri 10 herë më të larta

 

Inspektorët tatimorë kanë konstatuar anomalinë gjatë ditëve të fundit, pasi shumë subjekte kanë raportuar fatura të pazakonta për pagesat e tatimit. Burime pranë administratës tatimore bëjnë me dije se deri tani janë identifikuar të paktën 1500 raste të faturave të fryra, ndërsa numri i bizneseve të prekura mund të rritet nëse problemi teknik vazhdon.

 

Sipas të njëjtave burime, problemi lidhet me formulën që sistemi përdor për të përllogaritur këstet mujore të Tatim Fitimit. Çakordimi i saj ka bërë që sistemi të gjenerojë automatikisht detyrime shumë më të larta nga ato që rezultojnë në realitet.

 

Situata duket se është përkeqësuar edhe për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së sistemit informatik. Sistemi i Tatimeve raportohet se ka mbetur pa kontratë mirëmbajtjeje për rreth gjashtë muaj. Në korrik të vitit 2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli një tender për mirëmbajtjen e modulit të menaxhimit të kontrollit të faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me një fond limit prej rreth 770 milionë lekësh. Procedura u shoqërua me ankesa nga operatorë ekonomikë dhe vetëm në fund të shkurtit 2026 Komisioni i Prokurimit Publik lejoi vijimin e procesit për shpalljen e fituesit, i cili ende nuk është finalizuar.

 

Ndërkohë, kompania që më parë kryente mirëmbajtjen e sistemit e ka përfunduar kontratën që në momentin kur u shpall tenderi i ri, duke e lënë sistemin pa mbështetje teknike për një periudhë të gjatë.

 

Pasojat më të mëdha po ndihen nga bizneset. Sistemi tatimor është i konfiguruar në mënyrë që në rast të mosshlyerjes në kohë të detyrimeve të gjenerojë automatikisht kamatëvonesa mbi shumën e papaguar. Në praktikë, kjo do të thotë se kompanitë që marrin një faturë të fryrë nga sistemi rrezikojnë të penalizohen me gjoba dhe interesa nëse nuk e paguajnë atë në afatin e përcaktuar.

 

Situata bëhet edhe më problematike në rastet kur bizneset vendosin ta kundërshtojnë faturën. Sipas procedurave tatimore në fuqi, subjektet duhet të paguajnë paraprakisht shumën e plotë të detyrimit përpara se të paraqesin ankesë për rishikim. Kjo do të thotë se kompanitë mund të detyrohen të paguajnë një shumë shumë herë më të lartë nga detyrimi real, përpara se të kërkojnë korrigjimin e gabimit.

 

Ekspertë të fushës paralajmërojnë se nëse problemi nuk zgjidhet shpejt, faturat e fryra mund të krijojnë vështirësi serioze financiare për shumë kompani, veçanërisht për bizneset që nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar parapagimin e një detyrimi të tillë.

 

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Administrata Tatimore për problemin e raportuar, ndërsa bizneset presin një sqarim dhe një zgjidhje të shpejtë për të shmangur penalizimet që mund të shkaktojë një gabim teknik i sistemit.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Kolaps në sistemin e Tatimeve? Bizneseve u dalin këstet e Tatim Fitimit deri 10 herë më të larta
Çmimi i naftës 198 lekë/litër! Ministrja takon kompanitë, sekuestro e gjoba kush abuzon
Illyrian Boutique Hotel në Sarandë kërkon Recepsionist/e dhe Sanitare
Oltion Çaçi premtoi zëvendësimin e pishave të thara deri në Shkurt – VIDEO
Progonati SHPK kërkon Shefe Finance, Arkëtare dhe Faturiste
Saranda Sailing School kërkon 2 të rinj/reja për instruktorë lundrimi dhe noti

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.