Kokëdhima: Ja kush i shantazhoi socialistët që të mos takoheshin me mua
Zbardhet fjala e plotë e ish-deputetit Kokëdhima me socialitët në Sarandë
Koço Kokëdhima hedh akuza ndaj Gjiknurit dhe drejtorëve të disa ndërmarjeve në Sarandë se kanë kërcënuar socialitët me pushim nga puna apo me heqjen e bukës së gojës nëse shkonin në takimin e organizuar nga Kokëdhima. Fjala e plotë e mbajtur para mbështetësve dje në Kinoteatrin e Sarandës:
Të dashur pjesëmarrës ju falënderoj që keni ardhur. E vlerësoj shumë mbështetjen tuaj. Më vjen keq që duhet ta filloj këtë fjalë me një denoncim. Dua të denoncoj presionin që drejtuesit e Partisë Socialiste kanë ushtruar mbi njerëzit gjatë këtyre dy-tri ditëve të fundit për t’i detyruar që të mos marrin pjesë në këtë bashkëbisedim që po zhvillojmë sot. Kjo nuk është një kulturë demokratike, është një kulturë totalitariste dhe berishiste. Nuk është kulturë e të majtës dhe nuk është kulturë e socialistëve. Çfarë u thonë njerëzve këta shokë; mos shkoni në takim se do të mbani përgjegjësi personale, mos shkoni në takim, por bëni punën tuaj, sepse po bëtë diçka tjetër dikush tjetër do të bëjë punën tuaj. Praktikisht këto janë forma të hapura dhe të kamufluara të kërcënimeve me pushime nga puna dhe me kërcënim me bukën e gojës. Nuk kanë bërë mirë, ka gabuar Gjiknuri dhe kolegët e tjerë që janë përfshirë në këtë lloj qëndrimi. Në këtë shantazh nuk janë përfshirë vetëm drejtuesit e PS-së, por edhe funksionarë shteti dhe drejtorë të ndërmarrjeve. Një pjesë e këtyre funksionarëve janë promovuar po nga ne dhe është shumë pa etikë çfarë dëgjojmë që bëjnë me njerëzit. Vërtet mendojnë këta njerëz se këtë e bëjnë për të mirën e PS-së? Ju jeni socialistë dhe keni ardhur në këtë takim për të mirën e socialistëve dhe të qytetarëve të Shqipërisë. Çfarë thonë këta drejtues nga qendra dhe këtu në Sarandë?
Çfarë thonë drejtorët e ndërmarrjeve që shantazhojnë socialistët e thjeshtë? Është takim që nuk ka miratimin e partisë ky që bëjmë sot këtu. Kokëdhima e bën këtë mbledhje jo në të mirë të partisë, por të LSI-së. Ju do e kuptoni vetë sot se në interes të kujt është ky takim. Mos vallë duhet një miratim për të menduar për punët e popullit shqiptar apo ato të Partisë Socialiste. Duhet leje për të menduar për shqetësimet, problemet dhe idetë tona? Kush ka monopolin e të menduarit për jetën tonë? Ata që predikojnë se Kokëdhima nuk është socialist kanë frikë nga idetë e mia dhe nuk janë miq as të PS-së as të mitë. Kokëdhima nuk krijon parti tjetër, nuk shkon në parti tjetër, nuk shkon te LSI-ja. Partia e Kokëdhimës është PS-ja. Unë kam punuar për ta bashkuar PS me LSI-në në çdo palë zgjedhje nga viti 2005 deri sot. Ato janë dy parti të dala nga një trung, ato janë dy pjesë të së majtës. Në 2005, 2007, 2009, 2011, 2013, 2015, kam negociuar me vendosmëri për ta bashkuar të majtën. E majta e bashkuar ka fituar gjithmonë, fiton gjithmonë dhe do fitojë gjithmonë. PS ka humbur gjithmonë kur e majta ka qenë e ndarë. Na mjaftojnë këto 6 palë zgjedhje për ta kuptuar këtë fakt të thjesht. Tre herë kemi humbur. Pse duhet ta injorojmë, për shkak të prioriteteve të tjera. Ku ka prioritet më të madh për të majtën se sa marrja e pushtetit dhe ushtrimi i tij në interes të popullit shqiptar, në cilësinë që presin njerëzit, në lartësi që duan qytetarët? Çfarë kemi bërë me përçarjet e të majtës në gjithë këto vite? I kemi dhuruar pushtetin Saliut dhe i kemi bërë gjithë ato thagma popullit, vendit dhe socialistëve. Ju keni aq shumë përvojë dhe nuk mund t’u mësoj unë se sa e papërgjegjshme është të vësh prioritete të tjera mbi atë të qeverisjes së vendit nga e majta e Shqipërisë dhe nga PS-ja. Edhe për 2017-n unë kam punuar gjithë këto muaj dhe këto 3 vjet dhe do të vazhdoj të punoj që të mos bëjmë alkimi politike, të mos bëjmë eksperimente të pamençura, por të mbajmë një të majtë të bashkuar, ta modernizojmë e përmirësojmë atë, të ushtrojmë qeverisjen në cilësinë që do populli dhe jo ta ndajmë vendin dhe shtetin në parcela. Dhe jo një Shqipëri të ndarë në copa të njërës dhe tjetrës palë. Familja ime është e lidhur me luftën, është përfituese nga reforma agrare. Jam i majtë në bindje dhe nga familja. Në tre vitet e mia në PS në Qarkun e Vlorës bashkërisht bëmë sukseset më të mëdha. Vetëm në Qarkun e Vlorës PS-ja është rritur edhe në raport me LSI-në, edhe në raport me PD-në. Ne pranuam në vitin e fundit 16 mijë të rinj e të reja në PS në rajonin Vlorë-Gjirokastër.
PS nuk është pronë e asnjë pronari të veçantë, kushdo qoftë ai. PS është kapital i çmuar dhe forcë politike udhëheqëse e Shqipërisë. Unë kam punuar, do të punoj për reformimin, forcimin dhe fitoren e saj. Do punoj për fitoren e PS-së në vitin 2017. Në më pak se tre vjet që kisha mandatin e deputetit punova me përkushtim dhe u qëndrova besnik zgjedhësve tanë. Nuk bëra asnjë shkelje. Mandati im u godit pabesisht dhe paligjshmërisht. Vendimi i Kushtetueses ishte tërësisht politik dhe i ndikuar nga elita politike aktuale. Ata të majtë që bashkëpunuan me Berishën kundër mandatit tim kanë frikë nga deskreditimi dhe tradhtia që bënë dhe përpiqen nën zë të thonë se Kokëdhima nuk është socialist besnik. Ne duhet t’i japim fund kulturës së tradhtisë, intrigave dhe luftës pas shpine brenda familjes sonë politike. Ne duhet të zhvillojmë solidaritetin dhe bashkëpunimin e sinqertë mes nesh. Të ndalojmë sulmet ndaj njëri-tjetrit dhe të mendojmë, të punojmë për njerëzit e thjeshtë, për socialistët, për popullin tonë. Unë do të bashkëpunoj edhe me ata që kanë punuar kundër meje, do të bashkëpunojë për të mirën e socialistëve dhe të mirën e qytetarëve shqiptarë. Nuk kam dhe nuk do kem armiqësi personale me askënd, as në PS, as në të majtën e bashkuar dhe as në politikën e Shqipërisë.
E keni parë Saliun? Nga dita që më hoqën mandatin mua nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme kundër meje. Nga hyrja ime në politikë, deri sa m’u hoq mandati, 50% të kohës Saliu me gjithë çetën e vet e kanë përdorur për sulme personale mbi mua, 50% të arsenalit të tyre të përbaltjes e kanë drejtuar mbi mua, mbi punën time dhe bashkëpunimet e mia me gjithë të majtët e bazës kudo në Qarkun e Vlorës dhe në gjithë Shqipërinë. Është e qartë se këto ishin sulme tërësisht politike. Gjatë kohës që ushtroja mandatin si deputeti juaj i dhashë vëmendje të madhe njerëzve të varfër, njerëzve në nevojë ekstreme, të përbuzurve, të braktisurve, njerëzve të harruar të këtyre anëve. Pritëm çdo qytetar, ndihmuam me mijëra njerëz me sa mundëm, i trajtuam ata me respekt të madh për nevoja nga më të ndryshmet. Deri në fund të vitit 2015 patëm një mbështetje shumë të rëndësishme nga qeveria “Rama”, nga qeveria e të majtës së bashkuar. Ushtruam sistematikisht një presion të madh kundër korrupsionit, kundër pagesave në emërime, kundër nepotizmit dhe arrogancës së sjelljeve të këqija të administratës dhe të drejtorëve. Kërkuam cilësi të lartë shërbimesh si kurrë më parë nga të gjitha institucionet shtetërore e publike në Sarandë e përreth. I strukëm në strofkë të korruptuarit, arrogantët dhe kusarët.
Nuk u bëmë palë me asnjë klan dhe arritëm një kohezion të lartë në parti. Fituam të gjitha betejat politike e elektorale në të gjithë territorin ku ne drejtuam, fituam të 5 bashkitë e zonës. Punuam për të nxitur projekte dhe investime në zonë dhe kontribuuam për t’u bërë kthesa për investimet në energji, ujë, kanalizime, bujqësi, rrugë, shkolla, spitale. Rikthyem Universitetin e Sarandës. Me qeverinë e majtë bëmë shumë punë. Dua të falënderoj qeverinë e Ramës që ktheu sytë dhe vëmendjen nga Saranda dhe nga i gjithë bregdeti i Jonit. Punuam për të zgjidhur shumë çështje të bllokuara prej vitesh për individë dhe grupe të ndryshme individësh. U shërbyem me përulësi, nderim dhe përkushtim njerëzve dhe qytetarëve.
Një kohë të madhe i kushtuam zgjidhjes së problemit të shesheve të ndërtimit në Sarandë dhe arritëm t’i jepnim zgjidhje kësaj çështjeje. Në tetor 2015 filluam edhe regjistrimet. Premtuam në zgjedhjet vendore, premtoi qeveria bashkë me mua, se çështja e shesheve të ndërtimit është e zgjidhur. Sot më vjen shumë keq që kjo çështje është kthyer në pikën zero dhe u themi njerëzve shkoni përsëri në gjykata. Kjo është e patolerueshme, e gabuar dhe jo korrekte. Ne punuam këtu për të vënë në vend padrejtësitë dhe abuzimet e shumta që ishin bërë me tokat e qytetarëve dhe të shtetit. 10 mijë hektarë tokë të grabitura me mashtrime, falsifikime, spekulime i kthyem mbrapsht në gjykata me qëllim që t’i ktheheshin pronarit të ligjshëm, shtetit dhe atyre që u ishte marrë kjo tokë. Vumë në rrugën e zgjidhjes shumë gjëra. Nuk bëmë dot gjithçka, nuk zgjidhëm dot gjithçka. Do të donim të bënim më shumë për të zgjidhur të gjitha nevojat e nejrëzve. I kuptojmë shumë mirë hallet e njerëzve dhe besojmë se ata na mirëkuptojnë edhe në ato raste kur ne nuk arritëm t’i zgjidhnim të gjitha hallet e tyre të mprehta. Thelbësore është se ne vumë në qendër të punës së PS-së dhe të stafeve tona njerëzit e thjeshtë, të lënët mënjanë e të përbuzurit ndër vite. U përpoqëm ta bënim njerëzore e ta vendosnim në shërbim të të gjithëve politikën.
Kur erdha në këtë qytet në maj të vitit 2013, në atë fushatë të nxehtë elektorale shkova në një aktivitet së bashku me drejtuesit lokalë të partisë, në kodër. Ishte një aktivitet me organizatën e gruas së Sarandës, i kopsitur nga regjia dhe entuziazmi. Ngjante si një veprimtari e kohës së Enverit. Por vetëm në fund të këtij aktiviteti u prish ajo atmosfera e stisur. U ngrit një grua që filloi të nxirrte zjarr nga flokët e nga sytë, të nxirrte mllef e zemërim nga gjoksi dhe lëndimi i saj. Mos ia var shumë, më thanë kolegët e partisë, se është telendare e madhe kjo grua. Por, sa mbaroi takimi u thashë më takoni me këtë telendaren. Ajo kishte nxituar dhe kishte ikur. Nuk e di nëse është në sallë sot kjo grua. Gruaja: (Jam pas teje). I kërkova kolegëve që ta gjenim atë grua dhe e arrita rrugës me makinë. Shkuam në zyrën e partisë. Ajo grua e donte familjen e saj, e donte vajzën e saj, përpiqej shumë që ta shkollonte vajzën e saj. Ishte e divorcuar, mendonte akoma për të atin dhe motrën që nuk kishin asnjë të ardhur në shtëpi. Kjo grua ishte “telendare”, ishte “injorante”, ishte e parespekt në shoqëri, sepse nuk kishte asgjë dhe nuk kishte asnjë të ardhur dhe asnjë derë të hapur. E dërguam në një kompani private, kompania investoi dhe e kualifikoi dhe pas disa muajsh ajo ishte një person shumë i rëndësishëm në atë kompani dhe të gjithë atje i thërrisnin shefe. “Telendarja” kështu u bë shefe. Tranzicioni shqiptar ka qenë i vështirë dhe i pamerituar për njerëzit tanë, kastat politike të shkëputura nga populli, qytetarët, të papërfaqësuar nga këto kasta sunduese. Demokracia e tranzicionit ishte e mirë vetëm për kastat drejtuese, për politikanët e korruptuar, për bizneset e lidhura me ta dhe mediat që kontrollohen nga qeveritë. Ky tranzicion karakterizohet nga korrupsioni i shfrenuar i elitës politike, nga koncesionet turpëruese dhe pa përfitime për popullin shqiptar. Politikanët i kanë bërë këto koncesione jo vetëm se janë të korruptuar e të kapur, por se janë edhe budallenj e të paaftë si negociatorë.
Ky tranzicion u karakterizua nga emërimi i njerëzve të paaftë dhe servilë në administratë e qeveri, nga varfëria, nga papunësia dhe mungesa e shpresës dhe e besimit të popullit. Njerëzit ndihen të mashtruar, të përdorur, të pashpresë. Ata janë të mërzitur e të stresuar. Nuk ka më gëzim dhe optimizëm dhe shumë prej tyre ndihen të fyer dhe vetëm do të donin të largoheshin nga ky vend. Qysh në moshë të re njerëzve tanë ju vriten ëndrrat dhe ata nuk ëndërrojnë dot më. Prona publike në këto 25 vite keqmenaxhohet, vidhet e plaçkitet ose vetëm privatizohet për dy lekë. Ekonomia nuk po e përmirëson jetën e shumicës së popullit, që nuk përballon dot nevojat elementare për të ekzistuar. Populli masivisht është i papërfaqësuar. Në çdo fushatë elektorale, njerëzve iu premtohet parajsa. Ndërrohen ekipet qeverisëse, por pushteti nuk e përfaqëson shumicën e popullsisë. Politikanët i manipulojnë qytetarët dhe elitat politike i përbuzin, i shkelin, i mashtrojnë dhe i vjedhin këta qytetarë. Populli, nga viti në vit, është zhveshur nga e drejta për të ushtruar vullnetin e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të zgjedhur përfaqësuesit. Po të kemi parasysh se sistemi zgjedhor në Shqipëri nuk garanton zgjedhje të lira e të ndershme dhe faktin që populli nuk zgjedh vetë drejtpërdrejt asnjë përfaqësues, me të drejtë do të themi se ky është një popull i lidhur, është një popull i mbërthyer. Popullin nuk e lënë të zgjedhë, nuk e lejojnë të ndëshkojë, nuk e lejojnë të “hakmerret”, nuk e lejojnë të marrë në dorë fatet e veta. Problemet e përfaqësimit janë të mprehta edhe në partitë politike, edhe në Partinë Socialiste. Sot, të gjithë përfaqësuesit zgjidhen nga kryetarët e partive. Deputetët, kryetarët e bashkive, këshilltarët dhe gjithçka tjetër. Për këtë arsye, ky system është quajtur edhe sistem partiokratik. Kur them se në Partinë Socialiste ka problem të rënda përfaqësimi, kam parasysh faktin se një numër i vogël socialistësh përfitojnë vende pune dhe të mirat e pushtetit. Por, shumica e socialistëve të thjeshtë vuajnë si gjithë pjesa tjetër e popullit. Ata ndihen të parespektuar, të përdorur, të gënjyer, të shfrytëzuar, të abuzuar dhe të zemëruar.
Partia Socialiste ka një anëtarësi besnike, nga më të shkëlqyerat. Socialistët e bazës janë njerëzit më të mirë. Ata janë atdhetarë, qytetarë të devotshëm dhe familjarë shembullorë. Ata janë krenarë dhe janë të lidhur me trashëgiminë patriotike, kulturore, politike e filozofike të së majtës shqiptare, pa dyshim, trashëgimia më e ndritur e partive politike në Shqipëri. Këtë shtresw militantësh, të pathyeshëm dhe të paepur, qw e mbështesin gati pa kushte Partinë Socialiste në çdo betejë politike e elektorale, unë i kam quajtur “socialistët e racës”. Kini parasysh se nga një palë zgjedhje në tjetër, Partia Socialiste po kanibalizohet nga aleatët, po humbet mbështetje dhe po zvogëlohet. Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve të saj. Kjo po ndodh edhe pse kemi kaq shumë njerëz të shkëlqyer në bazë, edhe pse përballë kemi një parti të diskretituar si partia e Saliut. Kjo gjë po ndodh, pasi Partia Socialiste po merr kosto të pamerituara nga njerëzit e saj në pushtet.
A është normale që qeveria jonë të harrojë premtimet e saj kundër plehrave në zgjedhjet e vitit 2013 dhe tani të miratojë importin e mbetjeve? Përse duhet t’i japim kosto të pamerituara Partisë Socialiste dhe vendit me deklarata diletante e poshtëruese të zyrtarëve tanë kundër kandidatit dhe tani presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, zotit Donald Tramp? A duhet që një qeveri socialiste, pasi sulmon Lazaratin, e bën gjithë vendin Lazarat? Si ka mundësi që në trafikun e ri të hashashit përfshihen të gjithë ata funksionarë të policisë dhe të shtetit? A i meriton PS-ja këto kosto? Ne duhet të bënim marijuanën të legalizuar për fermerët dhe për shtetin, për buxhetin, jo për zyrtarët e kriminalizuar dhe për mafiozët e drogës. Problemi që shtroj unë është ky: Si mundet që socialistët e thjeshtë dhe qytetarët të kenë më shumë kontroll për politikat e qeverisë? Si mundet që grupi parlamentar, përpos mbështetjes, të mund të ushtrojë më shumë kontroll mbi eficencën e politikave të qeverisë?
Në vitin 1997, Saliu u dëbua me armë nga pushteti dhe kjo gjë i shkaktoi popullit tonë rreth 3 000 viktima të pafajshme. Në vitin 2005, socialistët bënë të mundur që Saliu të rikthehej në pushtet me votë. Bënë që të ndodhë ajo gjë, që nuk mund të ndodhë në asnjë vend tjetër demokratik të botës. Askund në botë nuk mund të rikthehet me votë një i mallkuar që ikën nga karigja e tij me armë, me tërmet e me britma, me ulërima e me viktima të shumta si Saliu. Askund tjetër nuk ndodh kjo. A mund të përsëtritet prapë zotërinj kjo histori? A mund të ndalohet rikthimi i koalicioneve të tjera në pushtet dhe largimi eventual i Partisë Socialiste nga pushteti? Si ta mbrojmë Partinë Socialiste nga gabimet e qeverive dhe udhëheqësve të saj, të cilat i kushtojnë rëndë kësaj partie, i rrezikojnë pushtetin dhe vihet në rrezik edhe siguria e vendit, siç ndodhi pas fitores së Berishës në 2005? A mund ta ndalojmë zvogëlimin relativ dhe absolut të Partisë Socialiste? Si mund të reformohet sistemi politik në Shqipëri? Si mund të reformohen partitë politike? Si mund të ndryshohet ekonomia? Si mund të rikthejmë besimin e njerëzve? A mund ta ndalojmë largimin e njerëzve të aftë nga vendi? A mund ta bëjmë të mirë jetën e bujqve dhe blegtorëve në fshatra. Si mund të punësojmë njerëzit në qytete dhe kudo? Si mund të paguhen më mirë shqiptarët? Si mund të bëjnë ata një jetë më dinjitoze? Çfarë politikash duhet të ndjekë Partia Socialiste?
Kam një përvojë shumë të madhe tanimë. Kam punuar në kaq shumë fusha të ekonomisë dhe të industrisë. Kam studiuar në gjithë jetën time. Kam ardhur në politikë i kamur dhe nuk kam ardhur për të bërë para, as me korrupsion dhe as duke vjedhur njerëzit. Kam mbrojtur të gjithë jetën time kauzat e majta, kauzat publike, interesat e vendit, intereasat e qytetarëve. Dhe do ta vë gjithë përvojën time në funksion të zgjidhjeve që kam shtuar më sipër. Punova 3 vite që ta reformoja PS-në nga lart sepse kjo situatë nuk është e re. Këtë situatë gjeta unë përpara 3 vitesh, këtu dhe kudo ku shkova. Përpjekjet e mia dështuan sepse nuk ishte e mundur që Partia Socialiste të reformohej nga lart. Nëse Partia Socialiste do të refomohej, do të thotë që vendimmarrrjet më të rëndësishme të ndahen me socialistët e bazës dhe me qytetarët e vendit. Udhëheqja e partisë nuk është e përgatitur për këtë, nuk ka vullnet, sepse nuk dëshiron ta pranojë përtëritjen e vet, sepse kështu një pjesë e madhe e drejtuesve të saj të sotëm do të duhet ta lënë politikën. Në këtë situatë, unë kam vendosur dhe kam zgjedhur të zhvilloj këtë lëvizje politike brenda Partisë Socialiste. Kjo lëvizje synon ta reformojë PS-në me vullnetin dhe forcën e anëtarësisë së saj në bazë. Kam vendosur që këto shqetësime dhe mendime t’i ndaj me socialistët kudo në të gjithë Shqipërinë, të shkëmbejmë idetë dhe mendimet si dhe të arrjmë në një projekt të shëndoshë të fuqizimit dhe të zhvillimit të partisë, duke ritur aftësinë e kësaj partie për të ushtruar pushtetin në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve. Kjo lëvizje nuk synon ndarjen dhe përçarjen e Partisë Socialiste. Kundërshtarët e kësaj lëvizjeje e përçajnë PS-në. Ne I ftuam sot të gjithë anëtarët e strukturave të Partisë Socialiste që të ishin këtu. Kjo lëvizje politike e bashkon dhe e fuqizon Partinë Socialiste. Ne nuk i fshehim problemet, i diskutojmë hapur ato. Ne nuk përjashtojmë asnjë person. Ne debatojmë me përgjegjësi për të gjetur zgjidhje. Në qoftë se i fshehim ne, ka ndonjë që mendon se populli nuk i di? Nuk e dinë qytetarët se çfarë ndodh këtu? Dinë gjithçka, edhe kur nuk flasin dot. Kjo lëvizje politike duhet bërë patjetër nga poshtë, sepse vetëm anëtarësia e thjeshtë e Partisë Socialiste dhe qytetarët kanë nevojën jetësore për të përmirësuar qeverisjen, për të përmirësuar sistemin politik, për të përmirësuar ekonominë e vendit dhe për t’i shpëtuar kësaj situate kaq të trishtë dhe kaq me shumë mund. Ne do të konsultojmë drejtpërdrejt programin dhe mendimet, me të gjithë bazën e partisë. Kështu do t’i japim formë të plotë projektit tonë, të cilin do ja paraqesim forumeve dhe bazës së partisë. Faza e pasuese është debati rreth propozimeve dhe së fundmi janë aksionet dhe strategjitë e përbashkëta për implementimin në harmoni dhe në bashkëpunim të këtij projekti. Disa çështje që duhet të zgjidhë ky projekt për reformimin e PS-së do t’i paraqes në vazhdim. E kam thënë se kandidatët për deputetë, kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë duhet të zgjidhen nga ana e anëtarësisë së thjeshtë të Partisë Socialiste me “një anëtar një votë”. Po të bëhet kështu, nuk ka për të ndodhur më që në grupet parlamentare të ketë deputetë, që nuk mund të imagjinohen. Nuk do ndodhë më që deputetë të votojnë kundër popullit, kundër interesit të zgjedhësve të tyre, siç kanë bërë deputetët tanë në disa raste. Në zgjedhjet e vitit 2013, shkova dy ditë për të mësuar nga një deputet i “vjetër”. E ndoqa këtë deputet, sepse unë isha i ri, jo nga mosha, por se isha i ri si kandidat pwr deputet në parti. Ky deputet takoi një fshatar. “Jam në hall”, i tha fshatari, se ma kanë pushuar djalin nga puna. Deputeti pyeti se, ku punonte djali dhe fshatari i tha se e kisha roje nw naftw. Mbaj shënim i tha deputeti: “Më 24 qershor, djali do jetë në punë”. Shiko, i tha fshatari, më kanë pushuar edhe nusen. Po nusen ku e kishe, e pyeti ai. E kisha edukatore në kopësht, i tha fshatari. Shkruaj, i tha deputeti: “Më 24 qershor nusja është në punë”. Kur u ndamë nga ky fshatar, unw i thashë deputetit nw fjalw: “Ore, po më 24 qershor nuk janë numëruar votat!!!. Do të duhen disa ditë që të numërohen votat, pastaj të konstituohet parlamenti, pastaj të formohet qeveria. Si do i bësh ti këto më 24 qershor? Çfarë do i thuash atij fshatarit, e pyeta unë. Ku do më gjejë ai fshatari mua, më tha deputeti. Po do të të marrë në telefon, i thashë unë. Në 24 qershor, e hedh poshtë këtë kartë telefoni, tha. Po në zgjedhjet e tjera, i thashë, çfarë do i thuash atij fshatarit? Në zgjedhjet e tjera do shkoj deputet në Lezhë, tha ai.
Nuk mund të ndryshojnë kështu deputetët. Deputeti duhet të jetë atje ku zgjidhet një herë. Atje duhet të jetë deri në fund. Kur humbet besimin e zgjedhësve të tu, s’mund të jesh përfaqësues i popullit në parlament në një zonë tjetër. Dhe nuk mund të të marrë kryetari i partisë të të riciklojë ço këtu e ço atje, sa herë të del boja këtu të çon në një vend tjetër. Deputetët nuk mund të trajtohen si të emëruar, as si të punësuar nga ana e kryetarit të partisë.
Socialistët e bazës dhe forumet e PS-së sot nuk kanë asnjë mundësi që të diskutojnë dhe të ndikojnë politikat dhe programet e qeverisë së majtë. Këta socialistë të thjeshtë nuk janë dakord që të vazhdojnë të votojnë dhe të ndihen thjesht të shfrytëzuar dhe të përdorur. Shumë ide të kësaj lëvizjeje politike kanë lidhje me rajonizimin e partisë, me modernizimin e sistemeve të menaxhimit dhe sidomos me ndërtimin e një kulture funksionale, në standardet më të mira të partive politike sot në botën e zhvilluar. Një Parti Socialiste e reformuar do të jetë e aftë të reformojë sitemin politik në Shqipëri, t’i hapë rrugë ripërtëritjes së elitës politike, të thyejë kastën sunduese dhe të detyrojë të gjithë kastën drejtuese që të përfaqësojë interesat e të gjithë shtresave të varfra e të injoruara në Shqipëri. Kur flasim në reformimin e sistemit politik, mund të ndalojmë në shumë çështje. Nga më kryesoret është reformimi i partive politike, garantimi me ligj i standardeve që plotësojnë ato, sigurimi i të drejtës së anëtarësisë për të zgjedhur përfaqësuesit, përfshirë edhe kandidatët për deputetë, hapja e tregut politik, për konkurrencën e individëve, përfaqësues, ideve, projekteve, programeve e partive politike në një sistem zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, ku votohet në mënyrë elektoronike dhe ku vota numërohet elektronikisht. Të dashur pjesëmarrës në këtë bashkëbisedim. Këto tri vite të jetës sime, ia dedikova socialistëve të thjeshtë dhe banorëve të Sarandës dhe të gjithë qarkut të Vlorës. Bëra gjithçka munda edhe me mbështetjen e jashtëzakonshme të familjes time, që Partia Socialiste këtu të arrinte më të mirën për qytetarët e Sarandës, të Konispolit, Finiqit, Delvinës, Himarës e Vlorës. Dua të falënderoj nga zemra socialistët e thjeshtë të bazës, të majtët e harruar, që na kanë mbështetur gjithmonë, veteranët e luftës, ish-ushtarakët, fshatarët e zonës, punëtorët, peshkatarët, të papunët, ushtrinë e heshtur të emigrantëve, nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët që janë sot këtu në këtë sallë ose që nuk janë, por që u vunë vulën të gjitha punëve dhe arritjeve të Partisë Socialiste në këto tri vite. Dua të falënderoj dhe ata njerëz që i kritikova në fillim të fjalës sime, anëtarët e strukturave, të cilët u urdhëruan të mos ishin sot këtu, por që kanë punuar së bashku me ne në gjithë këto vite. Bashkëpunimi me ju do të mbetet më i rëndësishmi për mua edhe në vitet e ardhshme në politikë.
Duke mbyllur këtë fjalë, desha të kujtoj se një erë e re po fryn në mbarë botën. Është koha e revoltës, është koha e revoltës kundër kastave sunduese, kundër atyre kastave, që kanë injoruar interesat e njerëzve të thjeshtë, të shoqërisë e shtresave të ulëta të saj. Kjo përmbysje e këtyre kastave, që e përdorin pushtetin dhe konjukturën për të parë veç veten e tyre, do të ndodhë, është e pashmangshme edhe në Shqipëri. Në pyetje është sesi, a do të përmbysen me shpërthime sociale, me konflikte, me dhunë, apo me përtëritje paqësore të elitës politike duke i hapur rrugë konkurrencës perfekte në politikë dhe ekonomi. Faleminderit
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 16
20/11/1618:34
Anija “Liburna” gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
20/11/1618:34
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 17
20/11/1618:34
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 31
20/11/1618:34
Suvenire nga Saranda
20/11/1618:34