Evazion miliona euro në Sarandë, nën hetim administratorët e “Nikaj” sh.p.k. dhe zyrtarë të Tatimeve

12/02/2617:25

Shperndaje:

Evazion miliona euro në Sarandë, nën hetim administratorët e “Nikaj” sh.p.k. dhe zyrtarë të Tatimeve

 

Denoncimi i bërë nga emisioni investigativ “Stop” ka shërbyer si pikënisje për një hetim penal të gjerë ndaj një qendre tregtare në Sarandë, ku dyshohet për një skemë të organizuar shkeljesh ekonomike dhe fiskale.

 

 

Veprimet procedurale janë ndërmarrë pas një bashkëpunimi mes Prokurorisë së Tiranës, sektorit të Krimit Ekonomik dhe emisionit investigativ “Stop”. Me vendim të Gjykatës së Tiranës, është ushtruar kontroll në ambientet e qendrës tregtare në Sarandë, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar për disa akuza të rënda që lidhen me aktivitetin financiar të subjektit.

 

Sipas burimeve paraprake nga grupi hetimor, administratorët dhe drejtuesit e kompanisë dyshohen për:

• Falsifikim dokumentesh, ku pretendohet se janë përdorur dokumente tatimore dhe financiare të manipuluara për të fshehur qarkullimin real të biznesit, si dhe vendime të dyshuara të asamblesë.
• Fshehje të ardhurash dhe evazion fiskal, përmes mosdeklarimit të të ardhurave reale, shmangies së detyrimeve tatimore dhe moslëshimit të kuponëve fiskalë.
• Pastrim të produkteve të veprës penale, duke dyshuar se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm janë futur në qarkullim përmes skemave financiare me qëllim fshehjen e origjinës.
• Tregtim të mallrave kontrabandë, pasi gjatë kontrolleve janë evidentuar dyshime për mallra të futura në territor pa dokumentacion të rregullt doganor.

 

Gjithashtu, po hetohen dyshime për punësim të paligjshëm, mospagim të taksave dhe madje edhe për faliment të provokuar.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se evazioni fiskal i dyshuar arrin në miliona euro, duke e kthyer këtë çështje në një nga rastet më të rënda të evidentuara në jug të vendit në vitet e fundit.

 

Nën hetim edhe zyrtarë të Tatimeve në Sarandë

 

Çështja merr përmasa edhe më të gjera, pasi në fokus të hetimeve janë vënë edhe zyrtarë të administratës tatimore në Sarandë. Nën hetim ndodhen drejtori i Tatimeve në këtë qytet si dhe disa inspektorë, të dyshuar për shpërdorim detyre, moskryerje të kontrolleve ligjore apo tolerim të shkeljeve, që mund të kenë mundësuar vijimin e aktivitetit të paligjshëm për një periudhë të gjatë.

Hetimet synojnë të zbardhin nëse ka pasur neglizhencë, bashkëpunim apo mbështetje të drejtpërdrejtë nga struktura shtetërore.

 

Sekuestrime dhe shoqërime në Polici

 

Policia e Shtetit ka shoqëruar administratorët e kompanisë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa nuk përjashtohen masa sigurie apo arrestime në vijim, në varësi të provave që do të administrohen.

Grupi hetimor po sekuestron dokumentacion financiar, servera dhe pajisje elektronike, ndërsa kontrollet vijojnë si në ambientet e biznesit, ashtu edhe në magazina të tjera të lidhura me aktivitetin tregtar të subjektit.

 

Në kuadër të hetimeve është përfshirë edhe një oficer i Policisë Gjyqësore Sarandë pranë sektorit të krimit ekonomik. Sipas materialeve të regjistruara nga emisioni investigativ “Stop”, subjekti në fjalë dyshohet se informohej rregullisht dhe mbështetej nga një oficer i policisë. Ky pretendim është përfshirë në dosjen hetimore dhe pritet të verifikohet nga organet kompetente gjatë vijimit të procedurës.

 

Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar pas përfundimit të fazës së parë të hetimeve, ndërsa çështja mbetet në zhvillim dhe me interes të lartë publik për qytetin e Sarandës.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Yakuza Umi Restaurant & Sushi në Ksamil kërkon Staf. Ofrohet akomodim
Evazion miliona euro në Sarandë, nën hetim administratorët e “Nikaj” sh.p.k. dhe zyrtarë të Tatimeve
Ardit Bido dhe Sali Berisha përplasen ashpër në Parlament – VIDEO
Ku janë gurët e shkallëve të Sarandës? – VIDEO
Dhimbje në Dhivër – Gjendet i pajetë pas 2 ditësh kërkime 91-vjeçari Spiro Guveli
Qendra Estetike She’s a Lady në Sarandë kërkon Estetiste për thonj dhe Fizioterapiste

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.