Çmimi i naftës jashtë kontrollit, rikthehet Bordi i Transparencës dhe ulet akciza

20/03/2611:04

Shperndaje:

Çmimi i naftës jashtë kontrollit, rikthehet Bordi i Transparencës dhe ulet akciza 
Rritja e çmimit të naftës në 217 lekë për litër ka detyruar qeverinë të tërhiqet nga qëndrimet e saj të mëparshme dhe të rikthejë një instrument që deri dje e konsideronte të panevojshëm: Bordin e Transparencës.

 

 

Një vendim që pritet të miratohet javën e ardhshme, por që në thelb është një pranim i qartë se tregu i karburanteve ka dalë nga çdo logjikë kontrolli.
Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i naftës u rrit me 15 lekë për litër, duke goditur drejtpërdrejt qytetarët dhe bizneset. Përballë kësaj situate, qeveria po rikthen formulën e ndërhyrjes direkte, duke vendosur çmime tavan dhe duke kufizuar fitimet e kompanive. Marzhi i fitimit është paracaktuar: 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për pakicë. Çdo shkelje do të ndëshkohet ashpër, deri në pezullim licence.

 

Por përtej kontrollit administrativ, në qendër të debatit rikthehet një element kyç që ka rënduar për vite mbi çmimin e naftës: akciza. Aktualisht, ajo është 38.8 lekë për çdo litër dhe përbën një nga komponentët më të rëndësishëm të çmimit final. Qeveria ka vendosur ta ulë këtë taksë me 20%, duke e çuar në rreth 31 lekë për litër, si një përpjekje për të lehtësuar barrën për konsumatorët.

 

Megjithatë, pikërisht këtu lind dilema më e madhe: a do të reflektohet realisht kjo ulje në pompë apo do të mbetet vetëm në letër? Eksperiencat e mëparshme kanë treguar se uljet fiskale shpesh nuk përkthehen automatikisht në çmime më të ulëta për qytetarët.

 

Situata bëhet edhe më paradoksale nëse kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, qeveria kishte përjashtuar çdo mundësi për ndërhyrje në taksa dhe rikthim të Bordit, duke e cilësuar tregun si të qëndrueshëm. Sot, i njëjti treg trajtohet si emergjencë kombëtare.

 

Në realitet, problemi është më i thellë. Në një litër naftë në Shqipëri rëndojnë katër taksa kryesore: akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe ajo e qarkullimit. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e çmimit që paguan qytetari nuk lidhet me tregun ndërkombëtar, por me barrën fiskale të brendshme.

 

Rikthimi i Bordit të Transparencës dhe ndërhyrja në akcizë janë masa që tregojnë një qasje reaktive dhe jo strategjike. Në vend të një politike të qëndrueshme dhe të parashikueshme, kemi një lëvizje të nxituar që vjen pas shpërthimit të çmimeve dhe presionit publik.

 

Tani mbetet për t’u parë nëse ulja e akcizës dhe vendosja e çmimeve tavan do të japin efekt real apo do të jenë thjesht një tjetër episod i përkohshëm në një treg që vazhdon të funksionojë pa rregulla të qarta dhe pa transparencë të vërtetë. Në fund, qytetarët mbeten sërish ata që paguajnë faturën.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Çmimi i naftës jashtë kontrollit, rikthehet Bordi i Transparencës dhe ulet akciza
Me naftën rriten edhe çmimet e plehrave. Fermerët e Sarandës dhe Konispolit në kolaps
Lavazho Nr.1 në Sarandë kërkon punonjës me eksperiencë. Ofrohet Akomodim
Shkollat do jenë hapur edhe pas mësimit, qeveria plan për angazhimin e mësuesve në pension
Procedohet penalisht mësuesi në Finiq për keqtrajtimin e një nxënësi gjatë mësimit
Supermarket “DAKLESA” kërkon Kasiere dhe Punonjëse raftesh dhe Ekonomiste

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.