Borshi

05/01/1610:34

Shperndaje:

BORSHI

Po të themi se e njohim Borshi, me siguri kemi parasysh atë hapësirën e pamatë blu… Që të shfaqet para syve, sapo ke kaluar edhe kthesën e fundit të Qeparoit. Por ta njohësh shumë mirë Borshin, duhet sigurisht më shumë se kaq.
Në vetvete Borshi është një vend i pasur me histori. Ai ka një kala në gjendje shumë të mirë që dëshmon për rrënjët e tij të hershme. Dhe gjurmët e tij të ekzistencës shtrihen shumë thellë… Gjë që e bën të vlefshëm jo thjesht si një destinacion të freskët pushimesh… Por si një pikë të mirëfilltë turistike që ka se ç’tju ofrojë.


BORSHI -Natyra dhe njerëzit

Gjiri i mrekullueshëm disa kilometra i gjatë lë pa fjalë çdo vizitor, i huaj apo vendas qoftë ai. Nuk ka një njeri të vetëm që të ketë shkelur plazhin e Borshit… Dhe të mos ketë thënë të paktën: – “Çfarë mrekullie…! ” Bukuria akoma e virgjër e plazhit, fton vazhdimisht pushuesit e verës të kridhen në ujrat e pastra të Jonit… Të shijojnë një koktejl në baret e vegjël ekzotikë të plazhit… Të ulen e të bisedojnë me banorët që hapin bujarisht shtëpitë e tyre për miqtë e verës… Me nga një gotë raki apo verë përpara…
Krah shtëpive të pritjes që janë të gjitha në dispozicion të pushuesve, po ngrihen edhe hotele të vegjël. Ky plazh ka shumë vizitorë, ata duan të pushojnë bukur dhe kërkojnë tashmë çdo ditë e më shumë…


BORSHIPor ishte edhe Ujvara, ose burimi i zanave…


Ndodhet buzë rrugës për në Sarandë ose kur ktheheni nga Saranda… Poshtë këmbëve të të cilit zbret me zhurmë një burim i fuqishëm nga rrugë të shumta. Ky burim quhet Ixuari i Borshit dhe është një nga 697 monumentet natyrore të Shqipërisë.

Burimi zbret nga lart, ku ndodhet ujvara e fshatit… Sot ky vend është kthyer në një pikë të vërtetë pushimi.


Borshi – Kalaja e Borshit


Ajo quhet edhe “Kalaja e Sopotit” ose “Kalaja e Grekut”. Sipas studiuesve, e ka zanafillën diku në shekullin e XII-të. Është përdorur për qëllime lufte a fortifikimi deri buzë shekullit XIX-të. I fundmi sundimtar i saj ishte Ali Pashë Tepelena. Si strateg, e konsideronte këtë kala një pikë të fortë mbështetjeje buzë Jonit… Me Korfuzin përballë, që mund ta vëzhgonte si në pëllëmbë të dorës.
Kalaja është ndërtuar mbi rrënojat e qytetit antik të periudhës së lashtësisë, i cili atëherë quhej Meandria. Gjurmët e qytetërimit tregojnë se vendi është vlerësuar nga banorët e atëhershëm, që vendosën të ngrenë aty vendbanimet e tyre… Gjë që e bënin vetëm kur ishin të sigurt për pozicionin e favorshëm gjeografik të zonës. Muret rrethuese të qytetit ishin shumë të gjatë e të fortifikuar. Ato rrethonin të gjitha ndërtesat urbane të atëhershme, duke u dhënë siguri banorëve nga pushtuesit.
Në kohën e pushtimit turk, në kala u ndërtua një xhami. Gjurmët e saj kanë mbetur ende edhe sot. Kjo kalaja ruan një gjendje shumë të mirë dhe është plotësisht e aftë të tregojë historinë e saj. Nga pika të ndryshme të kalasë, mund të shijoni panoramat e papërsëritshme të Jonit… Dhe do t’ju lënë pa frymë.


Muzikë live në plazhin e Borshit


Vitet e fundit muzika live është spostuar ndjeshëm në bregdet kur bëhet fjalë për verën. Dhe nuk kishte si të bënte përjashtim plazhi i Borshit. Dj të shumtë vijnë në diskot verore që argëtojnë pushuesit e shumtë dhe luajnë muzikë përgjatë të gjithë natës. Besojmë se nuk ka mënyrë më të mirë për të mbyllur ditën sesa të freskohesh nën tingujt e muzikës… Me një pije përpara e me valët e detit që të shushurijnë në vesh.


Një vizitë në Borshin e vjetër


Por mund ta organizoni edhe ndryshe ditën. Vishni një palë atlete, ose sandale praktike, pantallonat e shkurtra, një bluzë pambuku për djersën… Mos harroni çantën e shpinës ku patjetër duhet të ketë ujë, dhë nisuni lart burimit, për tek fshati i vjetër. Gjurmët e fshatit ndodhen mbi një shkëmb në lartësinë 300 m mbi det. Do të kënaqeni duke shijuar vlerat e ndërtimeve karakteristike, të gjitha në gur, ku nuk mungon fantazia dhe prakticiteti. Ky sigurisht është i njëjti itinerar që ju rekomandojmë edhe për të vizituar kalanë. Nuk është keq të merrni një informacion më të saktë te Ujvara, ndonëse rruga është e lehtë për t’u gjetur. Gjithsesi mirë është të takoheni me djemtë e Ujvarës, sepse aty mund të ktheheni për të ngrënë drekë.


Borshi – Lugina e Borshit


Lugina e Borshit është një nga vendet më të bukura e më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Ajo fillon në Qafën e Dërrasës, që e lidh me luginën e Shushicës. Është e gjatë 12 km dhe e zhvilluar përgjatë shkëputjes mbihipëse të gëlqerorëve mbi flishin. Shtrihet nga niveli i detit deri në rreth 500 m. Dallohet për energji të madhe të relievit dhe pjerrësi të ndjeshme të shpateve. Në afërsi të Borshit ngushtohet shumë sepse ndërpret gëlqerorët. Pas këtij ngushtimi hyn në fushën e Borshit.

Edhe kjo fushë është formuar nga prurjet e shumta të ngurta të lumit të Borshit… Të cilat kanë mbushur gjirin e dikurshëm detar. Peizazhet e mrekullueshme janë të shumta, ato do t’ju mahnisin në çdo stinë e jo vetëm gjatë verës. Në luginën e Borshit shtrihet edhe plazhi i tij i kristaltë. Në këtë zonë gjejmë edhe një tjetër monument natyre të Shqipërisë që quhet Shkëputja tektonike e Borshit. Në gjuhën gjeografike kjo shkëputje quhet e llojit shtytje.


BORSHITë gjitha sa ju thamë më sipër Besojmë se mjaftojnë që t’i kushtoni Borshit një apo dy ditë nga pushimet tuaja… Nëse për të pushuar keni zgjedhur Sarandën. Borshi është jo vetëm kufiri mes Vlorës e Sarandës por edhe kufiri mes reales e ireales… Të lashtës e modernes, butësisë dhe ashpërsisë, blusë së detit dhe të gjelbrës së malit… Gjithçka që do t’ju bënte të lumtur, nëse kjo lumturi do të varej nga e bukura.

Vizitoni Borshin

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.