Auron Tare: Butrinti duhet mbrojtur me çdo kusht, historia nuk duhet të varroset nën beton

Auron Tare: Butrinti duhet mbrojtur me çdo kusht, historia nuk duhet të varroset nën beton

Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet që lidhen me Parkun Kombëtar të Butrintit dhe ndryshimet që, sipas tij, po prekin zonat e mbrojtura të kësaj pasurie të rëndësishme kombëtare dhe botërore.

 

 

 

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Tare shkruan:

 

“Për shumë vite, Parku Kombëtar i Butrintit, kjo stoli e rrallë e trashëgimisë sonë kombëtare dhe botërore, u ruajt nga etja e ndërtimit të pakufishëm.

 

Sot, me marifetet e zakonshme të burokracisë, kartonat e baballarëve të Kombit dhe pafytyrësinë e atyre që duhet ta mbrojnë, bëhen ndryshime ligjore të qepura sipas interesave të ditës. Jo nga paaftësia apo varfëria, përkundrazi. Kufijtë e mbrojtjes po rrudhen nga vetë shteti, i cili shtron udhën që betoni të marshojë mbi një nga peizazhet më të çmuara të Shqipërisë.

 

Në vendet ku toka ende fsheh historinë, kërkohet të mbillen vila. Aty ku arkeologjia pret të zbulojë qytete të humbura, synohen pishina.

 

Në Kalivonë, ku prehen gjurmët e një qyteti antik ende të pashpalosur, më të madh se vetë Butrinti dhe më të hershëm se vetë Troja, projektohet një resort i ardhshëm.

 

Në Diapor, atje ku një vilë e madhe romake mund të ketë qenë pjesë e pronës së Pompon Atticus-it të famshëm dhe ku Ciceroni kalonte kohën mes librave të tij, projektohen pishina dhe fitime të shpejta.

 

Mjerisht, nuk është hera e parë që në Shqipëri një gur antik vlen më pak se një metër katror beton. Por rrallëherë shpërfillja ka qenë kaq e hapur. Ata që kanë për detyrë të mbrojnë trashëgiminë kombëtare heshtin. Disa heshtin nga frika, të tjerë nga bindja, e ca nga përfitimi. Heshtja e tyre është po aq e rëndë sa zhurma e ekskavatorëve që presin urdhrin për të hyrë në këtë peizazh antik.

 

Na thuhet se zhvillimi kërkon sakrifica. Por kombet e qytetëruara nuk sakrifikojnë historinë për luksin e pak vetëve. Nuk varrosin qytetet antike për të ngritur resorte. Nuk shesin kujtesën e tyre për një bilanc fitimesh.

 

Butrinti nuk është pronë e qeverive kalimtare, e fondacioneve, e investitorëve apo e administratave të radhës. Butrinti është trashëgimi e popullit shqiptar dhe e qytetërimit botëror. Askush nuk ka mandat moral ta zvogëlojë, ta copëtojë apo ta përdorë si monedhë shkëmbimi për interesa të ngushta.

 

Prandaj protestojnë të rinjtë në shesh.

Protestojnë kundër rrudhjes së zonave të mbrojtura.

Protestojnë kundër betonizimit të peizazheve të Shqipërisë.

Protestojnë kundër heshtjes së institucioneve që janë ngritur për të mbrojtur trashëgiminë dhe jo për ta përcjellë drejt shkatërrimit.

Protestojnë sepse një komb që nuk mbron kujtesën e tij, nuk mbron as të ardhmen e vet.

 

Butrinti Homerik është një copëzë Shqipërie e cila duhet mbrojtur me çdo kusht, pasi historia nuk duhet të varroset nën beton.

Prandaj kjo protestë është historike. Lum ai që bëhet pjesë, pasi një ditë historia do ta falenderojë.”  Saranda Web

 

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Familjarët në alarm për zhdukjen e një personi nga Saranda, humb kontaktet gjatë udhëtimit drejt Greqisë
Lexoni më shumë
Atentati në Gjirokastër, dyshime për lidhje me vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë
Lexoni më shumë
Butrinti përmbys Apoloninë në Fier, Mario Mërkuri shënon dy gola dhe i jep fitoren 2-1
Lexoni më shumë
Butrinti luan nesër në Fier ndaj Apolonisë, një përballje e rëndësishme në Kategorinë e Dytë
Lexoni më shumë
Tetë vjet pa drita, apeli i 68-vjeçarit: Më kanë marrë shpirtin ngado që kam vajtur
Lexoni më shumë
Parashikohen reshje intensive në Sarandë, Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron vërshime uji
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.