Katastrofa në Greqi, gjendet i vdekur 29-vjeçari nga Saranda

Tragjedia e ndodhur nga përmbytjet në Mandra të Greqisë ka shkaktuar edhe vdekjen e një shqiptari. Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Petro Koleci nga Kodra e Livadhjasë në Sarandë. Trupi i të riut është gjetur mes shkatërrimeve të përmbytjes, me ndihmën e qenve të repartit zjarrfikës, raporton “Gazeta Shqiptare”. 29 vjeçari shqiptar rezultonte i zhdukur prej disa ditësh që pas përmbytjeve të mëdha, që u shkaktuan në Mandra nga shirat e rrëmbyeshëm. Mësohet se Petro Koleci, djali i vetëm i familjes, ditën e përmbytjeve të pazakonta për zonën, ishte nisur për në punë.
Ai jetonte me prindërit prej 25 vitesh si emigrant ne Greqi dhe kishte profesionin e hidraulikut.