Zbulohen prapaskenat, cili ishte propozimi i Kryetarit të Bashkisë që u rrëzua nga e djathta – VIDEO

30/04/2420:51

Shperndaje:

Zbulohen prapaskenat, cili ishte propozimi i Kryetarit të Bashkisë që u rrëzua nga e djathta

Në dhjetor, Këshilli Bashkiak i Sarandës miratoi Paketën Fiskale të vitit 2024. Mes shumë pikave të miratuara, ishte edhe niveli i taksës së fjetjes në hotel ose quajtur ndryshe “City Tax”. Konkretisht, u miratua taksa 175 lekë për hotelet me 4-5 yje në Sarandë dhe Ksamil me 75 ditë qëndrimi, ndërsa për hotelet me 3 dhe nën 3 yje apo çdo njësi tjetër akomodimi, për zonën A të Sarandës dhe Ksamilit u miratua niveli 120 lekë për 75 ditë qëndrimi, për zonën B të Sarandës dhe Ksamilit u miratua niveli 90 lekë për 60 ditë qëndrimi ndërsa për zonën C të Sarandës dhe Ksamilit u miratua niveli 70 lekë për 40 ditë qëndrimi. Taksa u përcaktua për cdo klient të hotelit, ndërsa ditët e qëndrimit janë ato që rëndom quhen “aforfe”, në rast se subjekti nuk dorëzon librin e klientëve reale në Drejtorinë e Tatim Taksave në Bashki.

Mirëpo, 4 muaj pas miratimit të Paketës, Këshilltarët e djathtë kanë zbuluar se miratimi i kësaj pike ishte i paligjshëm. Kjo pasi me vendim Qeverie ishte përcaktuar taksa e fjetjes 70 lekë për Sarandën për cdo zonë dhe 35 lekë për Ksamilin, po për cdo zonë. Të ndodhur përballë këtij zbulimi, këshilltarët e djathtë kanë kërkuar në komisionin e ekonomisë ndryshimin e menjëhershëm të kësaj pike në Paketën Fiskale. Por, në bazë të legjislacionit të Këshillit Bashkiak, kjo duhej të shqyrtohej nga Kryetari i Bashkisë, i cili më pas do e sillte projekt-vendimin në mbledhjen e rradhës, e cila u mbajt sot.

Projekt-vendimi i sjellë nga Kryetari i Bashkisë ishte realisht me nivelin e taksave 70 dhe 35 lekë, por ndryshe nga Paketa e Dhjetorit, numri i ditëve të përcaktuara “aforfe”, nga 75 kishte shkuar në 150 për zonën A, nga 60 në 100 për zonën B dhe nga 40 në 70 për zonën C.

Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar sot mos miratimin e ditëve të ndryshuara, por lënien në fuqi të ditëve të miratuara në Dhjetor dhe ndryshimin vetëm të nivelit të taksës. Ata e argumentuan me faktin se niveli taksës ndryshohej për shkak të ligjit, ndërsa nuk kishte arsye të ndryshonin ditët pasi asgjë nuk ka ndryshuar nga Dhjetori në Prill dhe as nuk ka indicie se një hotel mund të punojë për 150 ditë. Argumentit të Drejtorisë së Taksave se këto ditë janë për faturim “aforfe” për ata që nuk deklarojnë ditët dhe numrin real të klientëve, Këshilltarët e djathtë i’u përgjigjën se “aforfeja” ishte përcaktuar në Dhjetor dhe nuk ka arsye të ndryshohet në Prill, pasi nëse duhej të “penalizoheshin” të pabindurit, atëherë kjo të ishte bërë që në Dhjetor. Këshilltarët e djathtë ironizuan duke pyetur se pse ditët duhet të jenë 150 dhe jo për shembull 365. Të ndodhur në këto kushte, përfaqësues të majtë të Këshillit Bashkiak deklaruan me sinqeritet se ditët janë rritur që të kompesojnë humbjen që do të pësonte buxheti i Bashkisë. Mendimit të këshilltarëve të majtë se niveli i ditëve duhej rritur, i’u bashkua edhe i pavaruri Ibrahim Bajrami, i cili shpesh ka funksionuar në sinkron me opozitën.

Të ndodhur përballë mosbindjes së të majtëve, Këshilltarët e djathtë kërkuan 5 minuta pushim deri sa vendosën të mos ktheheshin më në mbledhje pa u plotësuar kërkesa e tyre. Negociatat me telefonata duket se rikthyen të djathtët në mbledhje me shpresën se do pranohej një e “mesme e artë”. Por duket se të majtëve dhe të pavarurit Bajrami, i’u bashkuan edhe dy nga Këshilltarët e BF, Shpëtim Ahmeti dhe Enea Vasili. Ahmeti propozoi që niveli i ditëve të ulej deri në 120 dhe jo në të “mesmen e artë” 100 që kërkuan kolegët e tjerë të djathtë, propozim i deklaruar në emër te tyre nga Ilirjan Gërdhuqi. Kjo situatë ka shkaktuar tensione të forta në Këshill mes këshilltarëve Vesel Koçiu, Përparim Ahmeti e Joli Dine, të cilët kanë kundershtuar me forcë madje duke debatuar edhe me këshilltarin Ibrahim Bajrami.

Pasi u hodh në votim, propozimi i Kryetarit të Bashkisë Sarandë u rrëzua, pasi nuk mori dot shumicën e thjeshtë të kërkuar prej 16 votash. Të majtët nuk arritën dot të kalonin projekt-vendimin edhe pse me ta u bashkuan edhe Këshilltarët Ibrahim Bajrami, Enea Vasili e Shpëtim Ahmeti. Ky i fundit madje votoi propozimin e Kryetarit të Bashkisë Sarandë edhe pse vetë kishte kërkuar një ulje të numrit të ditëve nga 150 në 120, ndryshe nga të djathtët e tjerë.

Këshilli Bashkiak i Sarandës ka treguar disa herë se po funksionon në demokraci të plotë dhe në diversitet mendimesh, pasi disa herë ose është tërhequr Bashkia ose projekt-vendimet janë rrëzuar për shkak të qëndresës së Këshilltarëve të djathtë, të cilët kanë shfrytëzuar brishtësinë numerike në Këshill por në raste, edhe pse minimale, ndonjë “rebel” të majtë.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Publikohen Çmimet e Referencës për Shtëpitë dhe Apartamentet në Sarandë, Delvinë, Himarë dhe Konispol
100 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës “Pandeli Boçari” në Sarandë
Arrestohen 11 persona në Sarandë dhe Delvinë, akuzohen për shpërndarje ‘malli’ – VIDEO
Operacion i Policisë gjatë natës: 15 të shoqëruar në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë
Irakli Davella, 46-vjeçari nga Saranda që u ekzekutua sot në Athinë
Banesa e një të moshuare në Sarandë përfshihet nga flakët, nxirret nga fqinjët – VIDEO

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.