Zbardhet ballafaqimi në qeli, i moshuari-vajzës: Ndrysho dëshminë! (17-vjeçarja akuzon edhe 3 fqinj)

23/04/2010:33

Shperndaje:


Dosja hetimore që bën fjalë për abuzimin seksual të vajzës 17-vjeçare në qytetin e Sarandës, ka marrë një rrjedhë tjetër. Vajza minorene, është marrë në pyetje dy herë nga një oficere e policisë dhe psikologe, ku veç emrit të 72-vjeçarit me inicialet B.T., ajo ka treguar dhe tre emra të tjerë që sipas saj kanë abuzuar seksualisht me të. Të tre emrat e burrave janë komshinjtë e saj, të cilët tre ditë më parë janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë Sarandë dhe mandej u morën në pyetje.

Pavarësisht akuzave të vajzës 17-vjeçare se që të tre personat kishin abuzuar seksualisht me të, njësoj siç kishte bërë dhe 72-vjeçari, tashmë i arrestuar, në dëshminë e tyre të tre personazhet, kanë mohuar në mënyrë kategorike të kenë pasur marrëdhënie seksuale me të miturën. Të tre burrat i kanë pohuar policisë se vajza mund të ketë çrregullime psiqike, kjo për shkak edhe të moshës së adoleshencës, duke ngritur akuza të pabaza dhe shumë të rënda ndaj tyre. Megjithëse prokuroria dhe policia e Sarandës kanë të administruar një dëshmi akuzuese të vajzës minorene, ndaj tre burrave nuk është marrë asnjë masë arresti, për shkak se nuk ka asnjë element tjetër që provon implikimin e tyre në marrëdhënie seksuale me 17-vjeçaren.

“…nuk mund t’ia provojmë akuzat të tre personave që vajza i përmend në dëshmi dhe tregon se edhe ata kanë abuzuar seksualisht me të. Kemi përplasje thëniesh nga të dyja palët, por nuk kemi asnjë provë tjetër që të mbështesë pohimet e vajzës. Ndaj dhe nuk jemi nxituar të marrim masa për ndalimin e tyre. Kemi kryer analizimin e aparateve telefonike të tre persona dhe vajzës së mitur, por nuk kemi gjetur shenja të komunikimit mes tyre…”-tha një burim pranë policisë së Sarandës. Momentalisht për këtë ngjarje është arrestuar vetëm 72-vjeçari, i cili gjatë marrjes në pyetje ka pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se vajza e mitur që prej moshës 9 vjeçare vinte dhe e ndihmonte në banesën e tij. Sipas tij, e mitura vetë e kishte provokuar duke u zhveshur para tij herë pas here.

Përveç kësaj dëshmie të 72-vjeçarit, policia dhe prokuroria e Sarandës kanë përdorur dhe një rreng tjetër për të krijuar bindjen se mes të miturës dhe të moshuarit ka pasur një raport seksual. Të dy së bashku janë futur në një nga dhomat e komisariatit të Sarandës, duke u lënë vetëm. Ky takim ballafaqim është filmuar dhe përgjuar me autorizim të prokurorisë Sarandë, ku nga biseda që zhvillohet mes tyre, i moshuari i kërkon vajzës 17-vjeçare që të tërhiqet nga dëshmia e parë dhe t’u tregojë hetuesve një version tjetër, me qëllim mohimin e gjithçkaje. Kjo bisedë e përgjuar tashmë është një provë e rëndësishme në dosjen e prokurorisë. Kjo e fundit ditën e sotme ka çuar materialin hetimor në gjykatën e qytetit, ku ka kërkuar që trupi gjykues të caktojë masën e arrestit në burg për 72-vjeçarin B. T., i cili momentalisht akuzohet për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur.”

d.ba./Shqiptarja.com


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.