Vrasja në Ksamil – Gjendet thika e krimit, DJ pa Sokrat Vatën duke hedhur diçka
Vrasja në Ksamil – Gjendet thika e krimit, DJ pa Sokrat Vatën duke hedhur diçka. Pesë ditë pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, hetimet për ngjarjen e rëndë pranë “Principotes” kanë sjellë një tjetër provë të rëndësishme. Arma e krimit është gjetur e hedhur mes ferrave në rrugën pranë qendrës shëndetësore në Ksamil, pikërisht aty ku një prej punonjësve të Pricipotes e kishte lënë me makinë Sokrat Vatën. Menjëherë pasi ka zbritur nga makina, Sokrat Vata ka flakur thikën në ferra dhe është larguar.

Arma e krimit është gjetur e hedhur mes ferrave në rrugën pranë qendrës shëndetësore në Ksamil. Thika pritet t’i nënshtrohet ekspertizës për të përcaktuar nëse është pikërisht arma me të cilën u godit për vdekje i riu portugez. Për vrasjen dyshohet Sokrat Vata, i cili pas ngjarjes tentoi të largohej, ndërsa sipas hetimeve është ndihmuar nga dy shtetas turq. Hetuesit dyshojnë se gjatë largimit është tentuar të fshihet edhe arma e krimit.
Dëshmia e DJ-së çoi hetuesit te vendi ku u gjet thika
Një element i rëndësishëm në gjetjen e armës së dyshuar është dëshmia e një prej DJ-ve që performonte mbrëmjen e 18 gushtit në klubin e natës të “Principotes”.
Pas përleshjes, Sokrat Vata, i mbuluar me gjak, i kishte kërkuar DJ-së që ta transportonte drejt Qendrës Shëndetësore të Ksamilit. Gjatë rrugës, Vata ka zbritur nga automjeti në një rrugë me kalldrëm.
DJ ka dëshmuar se, disa metra larg makinës, e kishte parë Vatën të hidhte me forcë diçka. Pikërisht në zonën ku dëshmitari kishte lënë 29-vjeçarin, hetuesit kanë gjetur edhe thikën që tashmë është sekuestruar si arma e dyshuar e krimit.
Shokët e viktimës: Vata kishte thikën në dorë
Dyshimet se Sokrat Vata mbante një thikë gjatë përleshjes mbështeten edhe nga dëshmitë e shokëve të Luis Miguel Varela Mendes. Tre prej tyre kanë përshkruar para hetuesve momentet e konfliktit dhe kanë identifikuar Vatën si personin që mbante thikën.
Adib Ghanmi ka deklaruar se fillimisht Vata goditi me thikë në këmbë shokun e tyre Tourpal Khitaev dhe më pas iu drejtua Luis Miguelit.
“Më pas erdhi një person, i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka goditur një shokun tim të quajtur Tourpal me thikë në këmbë dhe më pas ka goditur edhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë në zemër”, ka dëshmuar Ghanmi.
Edhe Tourpal Khitaev, i cili mbeti i plagosur gjatë përplasjes, ka deklaruar se personi që e sulmoi mbante një thikë.
“Njëri prej tyre, i veshur me rroba të bardha të shkurtra, me pak mjekër, flokë gështenjë, më tërheq nga krahu. Ai kishte thikën në dorë dhe më goditi mua në këmbë”, ka dëshmuar Khitaev.
Ndërkohë, Ibrahim Leimoeiv ka treguar se ka parë një person me thikë t’i drejtohej fillimisht Tourpalit dhe më pas Luis Miguelit. Ai ka sqaruar se, për shkak të përleshjes dhe numrit të madh të personave të përfshirë, nuk ka arritur të shohë momentin e goditjes fatale.
Përplasja zgjati vetëm 6 minuta
Nga rindërtimi i dinamikës përmes pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se e gjithë përplasja ka zgjatur rreth 6 minuta dhe është zhvilluar jashtë ambienteve të “Principotes”, në zonën e plazhit.
Në konfliktin me grupin e turistëve u përfshinë Sokrat Vata dhe David Heurtevent, ky i fundit ende në kërkim. Vata dyshohet si personi që përdori thikën, ndërsa Heurtevent, shqiptar me nënshtetësi britanike, dyshohet se ka goditur me grushte turistët.
Në përleshje u përfshinë gjithashtu kamerierët Ildi Cekani, Serxhi Selimi, Murat Zhabina dhe Ervis Bunci, si dhe truprojat Luciano Seferi, Moisid Matushaj, Romeo Shehu dhe Kristi Kosho.
Sipas të dhënave të hetimit, tre prej truprojave, Luciano Seferi, Moisid Matushaj dhe Romeo Shehu, punonin respektivisht në strukturat e Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve dhe Policisë Bashkiake dhe ishin të dypunësuar pa leje.
Në lokal në momentin kur ndodhi ngjarja ndodhej edhe pronari i “Principotes”, Bekim Bulica. Pas ngjarjes ai është larguar dhe aktualisht rezulton në kërkim.
Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për Sokrat Vatën, nën dyshimet për vrasje me dashje.
Masa e arrestit me burg është vendosur edhe për pesë persona të tjerë të përfshirë në çështje, dy shtetasit turq dhe tre kamerierë, ndërsa për pesë truproja është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Gjetja e thikës përbën një element të ri në dosjen hetimore, por mbetet ekspertiza ajo që do të përcaktojë nëse arma e sekuestruar është pikërisht ajo me të cilën u godit për vdekje Luis Miguel Varela Mendes mbrëmjen e 18 gushtit në Ksamil. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 12
23/08/2614:12
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 18
23/08/2614:12
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 11
23/08/2614:12
Pelikani i Butrintit – Imitim mozaiku i Butrintit, punim nga Agur Kapo
23/08/2614:12
Suvenire nga Saranda
23/08/2614:12